Reagimet, të gjithë në mbështetje të gazetës TemA
Gazetarë, të huaj dhe shqiptarë, politikanë, intelektualë e qindra qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe e gjithë diaspora janë solidarizuar me gazetën TemA pas përpjekjeve të kryeministrit për shkatërrimin e saj. Pas sulmeve të pafundme verbale, pasi hoqi me urdhër të gjitha reklamat prej saj, kryeministri arriti atë që nuk do e bënte askush në një shtet evropian, të prishte kontratën e rregullt të kompanisë sonë me Ministrinë e Ekonomisë, duke shkatërruar një investim prej qindra mijëra dollarësh. Në sjellim për ju disa prej këtyre reagimeve, ndërsa gazeta e mbyll vitin duke shënuar një bilanc të rrallë denoncimesh qeveritare.
Renate Flottau,
“Der Spiegel”
I dashur Mero,
Gjithmonë do të mbështes gazetën tuaj, sepse është një nga gazetat më të mira në Shqipëri dhe ju vlerësoj lart juve si një koleg profesionist dhe i ndershëm.
Për fat të keq politikanët na respektojnë ne gazetarëve shumë shpesh, kur i vlerësojmë, por jo kur i kritikojmë. Ata duhet të mësojnë se ne nuk jemi armiqtë e tyre, por një paralajmërim në kohë.
Të uroj Krishtlindje të gëzuara dhe një Vit të Ri më të mirë! Mos u dorëzo!
Fatos Lubonja
Publicist
E kam ndjekur me vëmendje tërë ecurinë e konfliktit të gazetës “TemA” dhe të drejtorit të saj, Mero Baze, me qeverinë dhe veçanërisht kryeministrin Berisha. Në vend që të marr përgjigje sqaruese nga qeveria për çka gazeta ka kritikuar - fillimisht do të thoja në mënyrë mjaft të moderuar dhe më vonë me akuza gjithnjë e më të forta, por goxha të argumentuara - ka qenë heshtje dhe më vonë sulme personale ndaj Bazes dhe diskreditime nëpërmjet akuzash që nuk kanë pasur të bëjnë me argumentet dhe akuzat në fjalë.
Sulmi i fundit ndaj gazetës është në vazhdën e shurdhësisë së Berishës ndaj kritikave gjë që, për fat të keq, zhvillohet tek ai në mënyrë eksponenciale sipas logjikës e keqja prodhon një të keqe tjetër edhe më të madhe, ku veshshurdhësia dora-dorës shndërrohet në dhunë për të mbyllur gojën. Ky është një nga problemet më të rënda që ka politika jonë dhe Berisha është një nga të akuzuarit më të mëdhenj për këtë lloj politike me tragjedinë e ‘97.
Po aq e rëndë është edhe politika sipas së cilës sa kohë je mbështetësi im mund të bësh ç’të duash, të ligjshme dhe të paligjshme, kurse po guxove të më dalësh kundër, do të përdor çdo mjet të ligjshëm dhe të paligjshëm për të të shkatërruar. Edhe për këtë Berisha është një ndër kampionët.
Sulmi ndaj “TemA”-s është një ndër ilustrimet e shumta të kësaj politike, ku edhe ligji zbatohet në mënyrë selektive duke nëpërkëmbur një nga parimet themelore të së drejtës, sipas të cilit përpara ligjit janë të gjithë të barabartë, çka e ka katandisur politikën tonë në një luftë bandash që në vend të shtetit të së drejtës kërkojnë të instalojnë shtetin e më të fortit.
Dr. Irena Nikaj
Universiteti i Korçës
Përshëndetje,
Ju shpreh vlerësimin tim për pasqyrimin e asaj që është detyrë e gazetarisë së lirë në demokraci, investigimit dhe pasqyrimit të rezultateve të tij. Shpresoj që beteja juaj të jetë shenjë e emancipimit të opinionit publik në lidhje me të menduarin e padrejtuar nga politika e ditës. Ia vlen të luftosh për lirinë, demokracia pa të nuk ka kuptim. Njerëzit e politikës së ditës janë shpesh të vegjël dhe meskinë, sidomos kur përballen me madhështinë e parimeve të demokracisë. Sot, ca i kanë kuptuar dhe i shfaqin, ca i kanë stoli për konferenca. Uroj që ky të jetë shans që të shtojë mbrojtësit e thjeshtë të demokracisë, vetëm kështu autoritarizmi dhe despotizmi demokratik, si e quante Tocqueville, do të ketë më pak shanse t'i imponohet demokracisë.
Mira Shehu
Ftoj të gjithë lexuesit e kësaj gazete të dërgojnë te miqtë e tyre një e-mail në ndihmë të gazetës “TemA” për sensibilizim. Në shekullin në të cilin ne jetojmë, lufta për fjalën e lirë dhe median e lirë mund të bëhet edhe online. Një e-mail më shumë do të thotë miq më shumë dhe sensibilizim më shumë, një dritare më shumë për të protestuar për një gazetë që secili nga ne e lexon përditë.
Lufta për fjalën e lirë bëhet edhe pa policë, dhe pa kontrata të prishura në mënyrë tinëzare. Mes Fazlliçit dhe “TemA”-s, unë zgjedh “TemA”-n.
Gilman Bakalli
Deputet
Qeveria e këtij vendi i jep vetes liri më tepër se sa ka nevojë për të qeverisur në mënyrë normale, duke shkelur mbi lirinë e medias që përhap fjalën e lirë. Vendimi i fundit i qeverisë për të bllokuar botimin e gazetës “TemA”, duke prishur papritmas dhe në mënyrë të njëanshme një kontratë 20-vjeçare, cenon drejtpërsëdrejti fjalën e lirë. Jo vetëm fjalën e lirë të atyre që e drejtojnë këtë gazetë, por fjalën e lirë të individëve që ftohen në atë gazetë për të shprehur mendimin e tyre.
Qeveria duhet të mendohej përpara se ta ndëshkonte këtë gazetë, sepse ka ndëshkuar drejtpërdrejt fjalën e lirë. Mark Aureli thotë se, “pasojat e zemërimit janë më të rënda se shkaqet”. Dhe pasojat tashmë janë te porta.
Nuk është “TemA” që po ndëshkohet, por e vërteta që ka përcjellë vazhdimisht kjo gazetë. Taktika e përdorur në këtë rast është mjaft moderne, ndërsa përmbajtja kryekëput mesjetare.
Shprehja e lirë është diçka që po nëpërkëmbet më së shumti në kohën tonë. Ata që e shkelin, e dinë pse e shkelin, por për fat të keq pjesa më e madhe e atyre që u shkelet, nuk dinë e nuk mund ta mbrojnë. Duhet ta dimë se mohimi i shprehjes së lirë të një individi të vetëm, lëre pastaj të medias, është mohim i lirisë së shprehjes së tërë bashkësisë. Indiferenca në një rast të tillë i ngjan indiferencës së dikujt që s’do t’ia dijë fare se shtëpia e komshiut po digjet.
Pra, këtu nuk është fjala për të mbrojtur gazetën “TemA” apo një media të caktuar. Këtu është fjala për të mbrojtur shprehjen e lirë, për të mbrojtur veten tonë. Është pikërisht shprehja e lirë ajo që na bën njerëz. Nëse refuzojmë shprehjen e lirë, refuzojmë të qenit njerëz.
Sa i takon ndëshkimit absurd dhe padrejtësisë së rëndë që qeveria po kryen ndaj gazetës “TemA”, e gjej me vend shprehjen e madhe e gjithaq të dhimbshme të Karl Kraus: “Padrejtësia duhet të jetë, sepse përndryshe nuk mbaron kurrë”.
E pra, më duket se në këtë vend ka ardhur koha që padrejtësitë të marrin fund.
Andi Bushati
Publicist
Vendimi për të mbyllur de facto gazetën “TemA” është një veprim, sa i turpshëm, aq edhe i ulët, sa sharlatanesk aq edhe banditesk i kryeministrit Berisha. Por aq sa është i tillë, aq është edhe një veprim i pritshëm. Sepse është në vazhdën e të gjitha sulmeve, pa çmim dhe pa princip, që i janë bërë, prokurorëve, gjykatësve, Presidentit të Republikës, dhe gazetarëve të tjerë, pra, me një fjalë, të gjithë atyre që kanë guxuar të prekin ose që rrezikojnë të prekin në të ardhmen aferat korruptive të familjes Berisha. Pra, dhe sulmi ndaj gazetës “TemA” është një përpjekje e dëshpëruar përballë atyre që, pavarësisht nga arsyet, kanë guxuar të denoncojnë krimin.
Ky inat dhe kjo hakmarrje e verbër ka vënë në një pozicion të mjerueshëm edhe ministra si Genc Ruli që tre vjet më parë mund të konsideroheshin si garanci për qeverisjen e Berishës (ka mbetur e famshme shprehja e tij drejtuar deputetëve të PD, në periudhën e aferës së drurit të arrës, për delen që nuk ndihet, kur i presin kokën shoqes së saj), por që përditë e më shumë po tregojnë se nuk janë gjë tjetër veçse vasalë të bindur të tij.
Xhemal Ahmeti
Gazetar, anëtar i Unionit të Gazetarëve zviceranë,
Bernë
Ballkani nuk del dot nga lloçi, përderisa shtetet ende udhëhiqen nga liderë gjysmëfeudalë, të cilët me metoda parakomuniste përpiqen ta mbysin fjalën e lirë.
Berisha përdor po të njëjtat metoda si shumica e homologëve të tij përreth e deri në Moskën e Putinit, ku vazhdimisht ekzekutohen gazetarë e media që synojnë të jenë profesionale.
Gazeta “TemA” ka informuar vazhdimisht për raste, të cilat shfaqin një qeveri të korruptuar deri në asht. Një portret të tillë qeveria aktuale e ka edhe në shumicën e raporteve të botuara nga institutet më serioze të Evropës dhe SHBA. Natyrisht, kundër tyre kryeshefi nuk bën dot gjë, por përpiqet që shifrat dhe faktet t'i denoncojë si shpifje të opozitës dhe gazetave si “TemA”.
Berisha ka pasur shumë miq dhe përkrahës - një ndër ta ka qenë edhe “TemA” - dhe tash i humb edhe ata të fundit. Atje në Shqipëri e këndej jashtë në Perëndim ai mund të llogarisë vetëm ata që ende përfitojnë nga administrata e tij e kriminalizuar, përndryshe askush nuk e llogarit më si njeri që duhet respektuar e nderuar.
Sulmet e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, ndaj gazetës “TemA” duhet të denoncohen. Nga shtypi vendas po se po. Ato duhet të denoncohen veçanërisht në botën e jashtme. Gazetarët shqiptarë dhe ata që merren me Shqipërinë në shtypin e huaj duhet që rastin ta hulumtojnë dhe ta plasojnë në mediat ku janë të angazhuar.
Njëkohësisht, ata duhet të protestojnë në shoqatat, sindikatat dhe unionet gazetareske të vendeve ku janë duke punuar. Një aksion të tillë duhet ta ndërmarrë çdokush që mendon se e do profesionin e vet, çdokush që mendon se nuk duhet lejuar që krimi të ngadhënjejë mbi lirinë e fjalës.
Portalet internetike jashtë e brenda vendit duhet që protestën ta masivizojnë duke shpërndarë një protestë në çdo kontakt të mundshëm të adresarëve të tyre. Të njëjtën protestë duhet t'ia dërgojnë edhe qeverisë shqiptare, ambasadave të saj dhe çdokujt që ka të bëjë me rrethin mafioz të kryeministrit.
Kjo betejë kundër korrupsionit duhet të fitohet me çdo kusht. Nëse Berisha arrin ta përheshtë gazetën “TemA”, ai dhe gjithë pasuesit e tij do të përdorin të njëjtën metodë, sa herë që të ndihen të rrezikuar nga ndonjë gazetë. Prandaj, skandali duhet të zhvishet si i tillë dhe denoncohet gjithandej.
“TemA” nuk do të mbyllet. Gjeografia e solidaritetit ndaj saj është shumë më e gjerë sesa territori ku Sali Berisha ushtron pushtetin e tij të kriminalizuar.
Agime Kera
agimekera@live.com
Unë që po ju shkruaj jam lexuese e rregullt e gazetës “TemA”. Këto ditë po lexoj gjëra të trishtuara për këtë gazetë, të cilën mund ta krahasoj me gazetën “New York Times” këtu te ne, pa e zmadhuar.
Zotit Mero Baze i uroj suksese dhe krenohemi që ekzistojnë të tillë gazetarë në Shqipëri. Unë sapo kthehem nga puna në orën 1 e 30 minuta pas mesnate futem dhe lexoj artikujt e kësaj gazete. Ashtu duhet të luftojnë të gjithë gazetarët kundër korrupsionit, kundër krimit ekonomik, kundër mafiozëve, kundër qeveritarëve të pasuruar me pasuri të pistë në moshë të re. Zoti Sali Berisha duhet të dijë një gjë, se bota lufton kundër njerëzve që pengojnë median e lirë, menjëherë larg duart nga kjo gazetë prestigjioze. Populli duhet ta ngrejë zërin edhe mbas reagimeve të ambasadës amerikane. Vetëm në Shqipëri më duket se qeveria është private. Njerëzit e thjeshtë që vjedhin, pse duhet të shkojnë në gjyq, ndërsa qeveritaret që kanë bërë vezën e kuqe duhet të rrinë të lirë, duke injoruar dhe Prokuroren e Përgjithshme? Atëherë dhe kjo e fundit nuk është serioze, duhet të japë dorëheqje, derisa nuk i shkon fjala në vend. Në fund zoti Mero mos u dorëzo. Partia Demokratike duhet të mblidhet menjëherë dhe t’i kërkojë zotit Berisha se çfarë të keqe i ka sjellë kombit kjo gazetë e nderuar. Ku janë Spartak Ngjela, Besnik Mustafaj, zoti Zogaj, zoti Lesi etj? Këta njerëz duhet ta ngrenë zërin krah jush.
Kurrë nuk mund të mbyllet kjo gazetës. Ne gratë shqiptaro-amerikane do i dërgojmë një letër ambasadës amerikane. Ju urojmë në gjuhën tonë suksese dhe urime për Krishtlindjet! Rroftë atdheu ynë, Shqipëria, për të cilin na merr malli! Përshëndetje, Kera.
Dashamir Çokaj
Patolog
I nderuar z. Baze,
Dëshiroj të shpreh keqardhjen time për transformimin e kryeministrit Berisha në një person pa stabilitet emocional e mendor, ka humbur sensin e realitetit objektiv, si rezultat i drogave që merr për të mbajtur veten në funksion. Si makinë e prishur, Berisha po dëmton dhe poshtëron tani njerëzit që e sollën atë në pushtet. Ai ka humbur aftësinë e gjykimit të drejtë dhe me njerëzit e tij, po bëjnë sulme të pamoralshme kundër individëve me integritet, vetëm për t'i kullufitur edhe ata në makinën e tyre të stërmadhe të korrupsionit familjar dhe mafies ndërballkanike. Ai po synon të na përdorë përsëri.
Meqë e di se me dëshirë nuk shkojmë pas marrëzisë, ka kohë që ka filluar të përdorë forcën për të na detyruar me forcë.
Përkundër sulmeve dhe kanosjes për mbylljen e gazetës, Ju dhe gazeta “TemA” keni mundur të ruani një ekuilibër intelektual e profesional për t'u admiruar, që tregon edhe standardin tuaj moral përballë një frikamani që shfaqet si bishë e egërsuar dhe fshihet pas karriges për të kryer punë të liga, deri edhe përbaltjen morale dhe ndërhyrjen në çështjet familjare të njerëzve që mendojnë ndryshe nga ai, që janë realisht më të zgjuar se ai, që ia duan të mirën këtij vendi më shumë se ai, pavarësisht postit që ai ka sot. Si çdo gjë tjetër, as pushteti i tij nuk është i përjetshëm. Ai kujton se e ka sjellë Fazlliçi me mafien e tij në pushtet, por gabohet. Fazlliçi po korr paratë e paligjshme të këtij pushteti. Në pushtet e kemi sjellë ne Berishën, ne që kontribuuam për PD, ky popull që na besoi dhe na dha votën, e që duket se paskemi bërë një gabim të madh. Berisha paska qenë gënjeshtari dhe ngatërrestari më i madh në politikën shqiptare. Gazeta juaj ia ka nxjerrë në dritë fytyrën e tij të vërtetë tani, kjo është edhe arsyeja e harbutërisë së tij. Ai nuk paska qenë as demokrat, as atdhetar.
Uroj që diktati i tij dhe njerëzve agresivë rreth tij të përfundojë sa më parë.
Me respekt për guximin dhe punën tuaj të fisme,
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Kryetari
Aleksandër Çipa
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon me shqetësim ndaj situatës së fundit të krijuar në raportet mes qeverisë së zotit Berisha dhe institucionit mediatik “TemA”. Urdhri administrativ i qeverisë për ta përzënë prej mjediseve aktuale redaksinë e gazetës së përditshme “TemA”, duke prishur rregullat e aktet kontraktore mes palëve, rrezikon veprimtarinë normale të stafit të kësaj gazete dhe krijon pasiguri dhe mundësi të ekzistencës së mëtejshme financiare të këtij institucioni të shtypit të shkruar privat.
Kjo përplasje e qeverisë me një ndër gazetat më kritike të saj në ditët e sotme, flet qartë për një presion të hapur, jo vetëm mbi botuesin e kësaj gazete, për të cilin si punëdhënës Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka kritikat e veta, por njëherësh mbi gazetarët dhe redaksinë e kësaj gazete në tërësi, një pjesë e të cilëve janë anëtarë të Unionit të Gazetarëve.
Për ta ndalur presionin dhe aktin ndëshkues të qeverisë mbi këtë gazetë dhe për të mos i shtuar marrëdhënies së qeverisë me mediet një precedent që rëndon imazhin e marrëdhënieve institucionale, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë nismon nënshkrimin e Aktit të Solidaritetit me kolegët e gazetës “TemA”.
Përmes këtij akti ne i kërkojmë së pari, kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha:
Anulimin e urdhrave për nxjerrjen e redaksisë së gazetës “TemA” nga mjedisi aktual ku është vendosur pas një investimi të realizuar me kohë, mbi bazën e një marrëveshjeje të rregullt dhe të ngjashme me të tilla, të realizuar mes palëve kontraktore në mjedisin si pronë publike, ku janë vendosur edhe subjekte të tjera;
Të ndalet çdo akt presioni dhe kërcënimi administrativ dhe jo vetëm administrativ mbi gazetarin e njohur Mero Baze.
Të mbyllet kjo histori e re e konflikti mes qeverisë dhe medieve kritike, si një nevojë për rritje të treguesit të lirisë së medieve dhe të fjalës së lirë në vend.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë fton organizatat dhe shoqatat e gazetarëve të vendit, si dhe gjithë gazetarët e vendit, ta nënshkruajnë këtë Akt Solidariteti në emër të kauzës për një media të fuqishme me integritet dhe autoritet publik, dhe në shërbim të standardit të lirisë së fjalës dhe së drejtës për informim.
Gentiana Minga
Bolzano, Itali
Ndonëse kam pasur e do të kem simpati për romanin “Njeriu me top”, në thelb, personazhe si Agushi, në shekullin e webcam-ve e ishujve imagjinarë, nuk e di se si më japin një lloj përzierjeje intelektuale në stomak!
Është tragjikomike që ende Agushi vazhdon të godasë plakun Mere me Top!!
Në fakt, për të hyrë në Evropë, (kur të hyjmë e të vdesim nga lumturia, se po vdesim si krimba nga pritja), nëse nuk rrimë dot pa gunën, sikur të paktën topin me gjylet t’i kishim lënë jashtë kufijve të Evropës, nuk do bënim keq!
S'do ishte keq edhe t’i linim rehat të bijtë e nipërit e plakut Mere ta jetonin rehat demokracinë gërdallë që kemi, po të paktën me gjuhë të lirë (thënë fshatarçe, me llapë të lirë).
Edhe diçka tjetër nuk na duhet për të qenë plot të sinqertë, nëse duam të gjejmë një vrimë e të fusim, sipas traditës supersticioze shqiptare, të paktën këmbën e djathtë në Evropë: përfaqësuesit Agusha, aq më kobzinj, nëse kanë veshur xhyben e shenjtë të kryeministrit!
Thënë më shqeto, në emër të të tërë emigrantëve shqiptarë, në emër të të tërë shkrimtarëve e gazetarëve që emigruam, zoti kryeministër, nëse nuk na krijove mundësinë të jetojmë mirë në vendin tonë si artistë e si gazetarë, apo thjesht si qytetarë shqiptarë të ndershëm, na lini të paktën të lirë të lexojmë gazetat që na do kokrra e qejfit, t’i lexojmë më shumë, e na i lini të lirë miqtë tanë gazetarë e shkrimtarë që ju kemi lënë peng atje.
Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë
Kryetari
Kolonel Pëllumb ZAIMI
Ne, ushtarakët e degës së SHKURSH të Tiranës së Re, radhitemi në krah të gazetës “TemA”, ofrojmë solidaritetin dhe mbështetjen nga e gjithë anëtarësia jonë. Një gazetë kritike e opozitare si “TemA” vlen për ne më shumë se të gjitha batalionet e letrave të gënjeshtërta që prodhon makineria mediatike e Sali kryeministrit. Ato që fsheh e përpunon në konspiracion ky kryeministër, i ka nxjerrë lakuriq gazeta Juaj dhe këtu qëndron shkaku kryesor i luftës që ai i ka shpallur kësaj gazete. Siguria kombëtare nuk cenohet nga media dhe nga gazeta “TemA” dhe ne, si specialistë, e dimë këtë më mirë se Saliu. I thoni atij se ai dhe miku apo miqtë e tij të tipit Fazlliç kanë qenë e janë rreziqet më të mëdha për këtë siguri. Saliu shkatërroi ushtrinë dhe shtetin më 1997 dhe gjyqin që s’ia bënë ata që e kishin për detyrë, ia bëtë vetëm Ju dhe kjo është një meritë historike e medias.
Sa për dijeni, Tipografia Ushtarake është pronë që e kemi ngritur ne ushtarakët. Lutemi trajtoni të drejtën tonë për të na u rikthyer kjo pronë e grabitur dhe në qoftë se kjo ndodh, ju sigurojmë se do ta vëmë në dispozicion të gazetës “TemA” e të çdo medieje të pavarur. Në gjykimin tonë profesional na rezulton se “strategu” Sali do ta humbasë betejën e nisur me gazetën Tuaj sulmuese. Fakte të shumta flasin se betejat me punëtorët e mendjes ai i ka humbur të gjitha. Kjo tregon se është një “strateg” me mendje që nuk i punon dhe nuk i mbush mirë. Prandaj paralajmërojeni për këtë rrezik, duke i thënë se është aksiomatike që në luftë më përpara ndeshen e fitojnë mendjet, pastaj armët dhe se ai nuk e ka të parën.
Shtoni dhe qindra ushtarakët e Tiranës së Re në frontin e luftës Tuaj të drejtë. Ju njoftojmë vendimin tonë për nxitjen e aksionit të solidaritetit të të gjithë ushtarakëve të Shqipërisë me Ju.
Marko Bello
Deputet, anëtar i Komisionit të Medias
Pas fyerjeve dhe kërcënimeve që kryeministri, Sali Berisha, i ka bërë botuesit dhe gazetarit të njohur Mero Baze, sa herë që shkrimet kritike të tij e kanë vënë në vështirësi kreun e mazhorancës, më në fund kemi një sulm të hapur kundër gazetës “TemA”, një nga të përditshmet më të lexuara në vend. Kësaj radhe, armiku i medias së lirë e të pavarur, Sali Berisha, ka shfrytëzuar postin zyrtar për t’i treguar “dhëmbët” një gazetë serioze, duke ndërprerë dhunshëm kontratën që ajo ka pasur me një institucion qeveritar, konform rregullave dhe ligjeve të vendit. Alibia se ambientet që i janë dhënë me qira redaksisë së gazetës ndodhen pranë zyrave ku do të prodhohen kartat e identitetit, çka gjoja kërkojnë siguri, është qesharake dhe kërkon në mënyrë të sforcuar të fshehë arsyen e vërtetë: urrejtjen e kryeministrit ndaj lirisë për të shprehur hapur opinionin nga ana e kësaj gazete dhe veçanërisht inatin prej komunisti të pareformuar të një lideri si Sali Berisha, i cili kujton se mund të bllokojë daljen e gazetës, përmes vështirësive financiare që po përpiqet t’i krijojë. Është fatkeqësi që edhe pse kanë kaluar 18 vjet që nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, mentaliteti komunist dhe nostalgjia për të imituar diktatorin Hoxha ende reflektohet në kreun e ekzekutivit shqiptar. Është e patolerueshme për një vend që pritet të anëtarësohet së shpejti në NATO dhe që kërkon të integrohet në BE, të vazhdojë të drejtohet nga një grup i korruptuar që po dëshmon urrejtje ndaj fjalës së lirë dhe opinionit të pavarur. Përballë kësaj ngjarjeje të shëmtuar duhet të gjithë të reagojmë. Nga përgjumja e popullit, lindin përbindësha.
Si anëtar i Komisionit të Medias, i kërkoj publikisht kryeministrit të ndalë sulmin antidemokratik ndaj gazetës “TemA” dhe të heqë dorë përfundimisht nga praktika që bien ndesh me frymën perëndimore dhe standardet evropiane.
Luan Rama
Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në LSI
Mbrojtja dhe garantimi i lirisë së shtypit, si shprehje cilësisht domethënëse e nivelit të demokracisë në një vend demokratik, është një konstante e pandryshueshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim, theksohet në një deklaratë për shtyp të kësaj partie, duke nënvizuar më tej se LSI është kundër çdo veprimi arbitrar dhe të kundërligjshëm të pushtetit që synon të pengojë, apo me keq akoma, të bllokojë veprimtarinë normale të cilitdo subjekt mediatik që denoncon e publikon fakte të abuzimit apo të shpërdorimit të pushtetit, si shprehje të korrupsionit qeverisës. LSI duke marrë shkas nga prishja e njëanshme e kontratës mes Ministrisë së Ekonomisë dhe gazetës “TemA”, shpreh shqetësim për arbitraritetin dhe hakmarrjen e pushtetit, çka dëshmon se gjithë sa thuhet nga qeveria për lirinë e shtypit, është vetëm demagogji.
Dashamir Shehi
Drejtues i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar
Unë gjykoj që e gjithë kjo është pjesë e luftës politike. Në të mirë e në të keq, gazeta “TemA” thotë të vërteta që mund të jenë të hidhura, po shtypi këtë funksion ka, të thotë të vërtetën dhe kur është e hidhur. Unë gjykoj që këto përrallat e sigurisë kombëtare, bëhen vetëm që të atakohet gazeta. Këto do të ishin të vlefshme vetëm disa vite më përpara, sigurinë kombëtare e dëmton korrupsioni, jo denoncimi, sido që të jetë ai.
Nard Ndoka
Drejtues i Partisë Demokristiane
Nuk është hera e parë që z. Berisha zhvillon një luftë të paprinciptë me mediat dhe me gazetarët, të cilët i klasifikon në mënyrë fyese në shërbëtorë dhe armiq. Shërbëtorëve ai është i gatshëm t’u japë gjithçka; sheshe ndërtimi, ambiente shtetërore, reklama qeveritare dhe favore të tjera, mjafton që këto media të shërbejnë, të dezinformojnë publikun, të bëhen pjesë e lojës së tij politike, të shndërrohen në fletushka, altoparlantë, ose ekrane të tij privatë.
Z. Berisha median e lirë, median e panënshtruar prej tij, e konsideron media kundërshtare, media armike dhe, në bindjen e tij, kjo media duhet shkatërruar. Kështu që sulmet dhe presionet ndaj gazetës “TemA” nuk janë një rastësi, por një strategji e ndjekur prej tij ndaj medias së lirë. Aq më tepër që kjo gazetë, sidomos gjatë muajve të fundit, ka denoncuar rregullisht korrupsionin qeveritar dhe politikat e mbrapshta të kryeministrit që kufizojnë liritë politike dhe ekonomike të qytetarëve.
Kam bindjen se me z. Berisha kryeministër asnjëherë nuk do të kemi respektim të lirisë së mediave. Rasti i sulmeve ndaj gazetës “TemA” e dëshmon qartë konceptin e tij primitiv, mungesën e plotë të respektit që ai ka jo vetëm për lirinë e medias, po edhe për ligjin. Pushteti për z. Berisha është sundim, jo qeverisje. Dhe si sundimtar ai urdhëron vartësit që në kundërshtim me ligjin, të rrënojë kompaninë që boton gazetën “TemA”. Ne ftojmë kryeministrin të reflektojë dhe të heqë dorë nga kjo aventurë e radhës dhe të dëshmojë përgjegjësi dhe respekt për median e lirë dhe ligjin.
Erion Veliaj
Drejtues i Lëvizjes G99
Ky ka qenë një vit, kur “TemA” ka investiguar shumë tema me interes publik, Fazlliç, Basha, Gërdeci, Mediu, armët, kartat, tenderat, për të përmendur disa. 2008 ka qenë padyshim viti i “TemA”-s, në prodhim lajmi, provokim debati dhe transparencë për publikun, i cili me të drejtë ka pritur që qeveria të përgjigjet për këto afera. Por, në pamundësi për t'iu përgjigjur këtyre temave, qeveria mbyll “TemA”-n. Dhe pse jo gjithmonë kemi ndarë të njëjtat pikëpamje me “TemA”-n, kemi ndarë të njëjtin pasion për t'i debatuar “TemA”-t e rëndësishme, pavarësisht bindjeve respektive. Ndaj sot, për interes të avokatisë së këtyre “TemA”-ve publike, solidarizohem me “TemA”-n. Kurajë.
P. S. Ndoshta ndihmon, nëse sqaroni kryeministrin se rubrika juaj “Antena Brenda Familjes” nuk është një objekt fizik poshtë tavolinës së tij. Kjo mund të kurojë paranojën se mund të interceptoni procesin ‘sekret’ të shtypjes së kartave në mëhallën e redaksisë suaj.
Petro Koçi
Drejtues i PS ‘91
Në kohën kur politika ka rënë në batakun e pazareve të emërimit të parlamentit të ardhshëm dhe korrupsioni po bën kërdinë, të vetmit që po guxojnë të godasin të keqen janë një grup qytetar gazetarësh si Mero Baze dhe vetë gazeta “TemA”. Sulmi i qeverisë ndaj gazetës “TemA” duhet ndaluar me reagim të fortë qytetar dhe politik. Duhet të bëhet me aktiv se kurrë solidariteti i komunitetit të medias për të ndaluar projektin e qeverisë për të mbyllur gazetën. Praktikat anti-media të qeverisë dëshmojnë se politika e Gërdecit vazhdon të rrënojë institucionet, demokracinë dhe jetën tonë.
Artur Duçkallari
Sekretar politik i Partisë Demokracia Sociale
PDS dënon presionet e qeverisë ndaj shtypit dhe përpjekjet për t’i mbyllur gojën denoncuesve të aferave korruptive të ministrave të Berishës. Njeriu që dogji redaksitë e gazetave dhe rrahu gazetarët duhet të heqë dorë nga hakmarrjet primitive. Shtypi i lirë duhet inkurajuar dhe jo stepur me shantazhe ekonomike, vetëm pse pati guximin t'i thoshte Berishës se familja e tij politike dhe biologjike duhet të shkojë përpara drejtësisë. Aferat e Gërdecit, rrugës Durrës- Kukës dhe lidhjet familjare-ekonomike me Fazlliçin nuk mund të mbulohen as duke mbyllur një gazetë, as duke ndëshkuar një gazetar, as duke bërë shembuj, që të tjerët t’i binden kryeministrit. PDS i bën thirrje shoqatave të gazetarëve dhe shoqërisë civile, si dhe partive politike të kampit opozitar të reagojnë në mbrojtje të gazetës “TemA”.
Armand Shkullaku
Publicist
Gazeta “TemA” ka qenë më kritikja ndaj qeverisë kohët e fundit. Vendimi i prishjes së kontratës shtetërore 20-vjeçare është bërë shumë shpejt. Në një kohë rekord do të thosha. Unë nuk mendoj se cenohet siguria kombëtare nga kjo media.
Ylli Rakipi
Publicist
Përpjekja e gazetës “TemA” duke denoncuar korrupsionin e qeverisë, kryeministrit dhe pjesëtarëve të familjes së tij, prej një kohe të gjatë do të thosha, ka çuar këtë të fundit që të marrë vendime të tilla. Ky është një nga mjetet më të dhunshme për t’iu kundërvënë një gazete që thotë të vërtetën.
Gjergj Erebara
Gazetar
Unë solidarizohem plotësisht me gazetën “TemA” për sa i përket problemit me kontratën e qirasë në ambiente publike. Gjatë këtyre muajve, gazeta “TemA” ka qenë dritarja e vetme serioze e informacionit mbi atë çfarë ndodh në këtë vend, duke ofruar shërbime informimi që janë në të mirë të të gjithë shqiptarëve.
Gjithë të mirat.
Bashkim Hoxhaj
Prizren
Lajmi për tentim-mbylljen e gazetës “TemA” nga qeveria shqiptare, përkatësisht nga kryeministri Sali Berisha, nuk përbën diçka të re për demokracinë ende të brishtë shqiptare. Ky informacion, vërtet tejet shqetësues, teorikisht i pabesueshëm, praktikisht është i vërtetë. Është vazhdim i vijës antidemokratike e anti-pluraliste, kundër fjalës së lirë nga përhapësi i frymës intolerante dhe perverse të politikës së Sali Berishës. Për zbatuesin, aplikuesin, përhapësin e antivlerave demokratike, Sali Berisha, e vërteta është armik, ajo pengon, ajo vret. Fjala e lirë, aq shumë e proklamuar, tash synohet të mbytet. Sepse ajo po thotë diçka, ajo po informon. Njeriu i super-skandaleve që aktualisht mban postin kryeministror në Shqipëri, me kohë ka dhënë sinjalet e ngufatjes së vlerave më elementare të demokracisë në vend. Mënyra e daljes së tij në skenën politike shqiptare, për mua personalisht ka ngritur dhe akoma vazhdon të ngrejë pikëpyetje të mëdha. Ai njeri, ai politikan, ai lider... ka një mision. Misionet e tij tanimë veç janë bërë shumë herë të njohura për opinionin shqiptar e më gjerë. Që nga shkatërrimet e mëdha të fillimit të viteve ‘90; burgosjet e opozitarëve; rrahjet e gazetarëve; tolerimi e ndoshta ortakëria në skemat piramidale, që rezultuan me djegien e shtetit dhe humbjen e mijëra jetëve njerëzore; tentim-shkatërrimet e gjyqësorit; tentim-mbyllje gojësh opozitare dhe mediale, qeverisjet despotike etj... kanë një emër, ato kanë një adresë, Sali Berisha quhen. Orvatjet e fundit për ta mbyllë gazetën “TemA”, vetëm për faktin se kjo gazetë, editori i saj, gazetari i njohur Mero Baze, kanë publikuar aferat korruptive të Sali Berishës dhe familjes së tij në bashkëpunim me serbin e Bosnjës, Damir Fazlliç, s’janë gjë tjetër përpos orvatje për ta mbuluar korrupsionin e tij. Të tentohet të mbytet fjala e lirë që të mos merren vesh skandalet kriminalo- korruptive të një matrapazi të quajtur Damir Fazlliç, këtij serbi dhe antishqiptari, jo vetëm që na bëjnë të dyshojmë në Sali Berishën për lidhjet e tij me krimin e organizuar politik dhe ekonomik, por edhe për lidhjet e mundshme me qarqe që synojnë minimin e mëtejshëm të perspektivës së shqiptarëve në mbarë Ballkanin.