Shpjegohen procedurat pas ankesave të emigrantëve për t’u kthyer në vendet fqinje
Emigrantët mund të pajisen me pasaportë biometrike vetëm në një mënyrë dhe jo sipas pretendimeve të tyre. Madje, është qartësuar edhe rruga sesi do të veprohet për ata që do të largohen jashtë Shqipërisë pa pasaportë biometrike, që ende nuk është prodhuar. Shpjegimet janë dhënë zyrtarisht nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, i cili ka sqaruar edhe njëherë problemin që solli protesta e emigrantëve për pasaportat e reja. Sipas tij, rregulli është i qartë dhe është sqaruar që në fillim.
Ministria
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, shpjegon se asnjë emigrant nuk do të ndalohet në kufi, sipas pretendimeve të ngritura nëse ka aplikuar për pasaportë. “Nëse personi përkatës ka aplikuar për pasaportë biometrike, por do të largohet para afatit që ajo prodhohet, ai mund ta lërë Shqipërinë pa problem, duke përdorur pasaportën e vjetër. Por, nëse pasaporta është prodhuar dhe ka hyrë në sistem dhe shtetasi posedues i saj nuk është paraqitur për ta marrë, atëherë ai nuk mund të kalojë në kufi me pasaportën e vjetër. Pasaportat e vjetra dalin të pavlefshme në momentin që ato biometrike hyjnë në sistem dhe kur ndodh kjo, ato janë të gatshme për t’u shpërndarë”, ka detajuar Konja. Ndërsa në lidhje me pretendimet e emigrantëve, Konja është shprehur se asnjë emigrant, i cili ka zbatuar këtë procedurë nuk është penguar për të kaluar kufirin. Gjithashtu, ai shpjegon se kur emigrantët pajisen me pasaportë biometrike, mund të mbajnë edhe pasaportën e vjetër, për shkak të vizave që kanë në të.
Pra, duhen të dyja që ata të jenë ligjërisht në rregull për të kaluar kufirin. Veç këtyre të dhënave, zëdhënësi Konja shpjegoi se koha për prodhimin e pasaportës është dy javë (14 ditë) dhe duhet të tërhiqet pranë policisë nga vetë personat që kanë aplikuar për të, duke marrë shkas edhe nga pritjet e shumta të emigrantëve pranë sporteleve që në ditën e dytë të aplikimit. Ndërkaq, Ministria e Brendshme ka kërkuar mirëkuptimin e emigrantëve, që për shkak të fluksit të aplikimeve nuk mund të ulet koha e prodhimit të pasaportave. Nga ana tjetër, departamenti i kufirit, i cili merret me drejtoritë rajonale të kufirit në të gjithë vendin, shpjegon se nuk ka pasur asnjë pengesë në kufi për emigrantët. Nëse ata kanë pasur mungesë dokumentacioni, janë sqaruar në mënyrë që të jenë të rregullt për çdo veprim. Nga policia mësohet se në kufi kalohet edhe pa aplikuar për pasaportë biometrike, duke përdorur pasaportën e vjetër dhe nuk është detyrim një veprim i tillë.
Protesta
Vetëm dy ditë më parë, emigrantët dolën në protesta, duke pretenduar për pengesa që po hasin për t’u kthyer në shtetet ku jetojnë. Ata janë ankuar se vonesat po u krijojnë probleme për rinisjen e procesit të punës për ta dhe mësimit për fëmijët e tyre. Dhjetëra qytetarë kanë protestuar dy ditë më parë, kur zyra e pasaportave nuk është hapur në orar për t’u shërbyer. Ndërsa kanë pritur deri në orën 11.00 pranë zyrës së shpërndarjes së pasaportave biometrike, për të marrë në dorëzim dokumentin, emigrantët kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste.
Sporteli është hapur me vonesë, ndërkohë që të paktën 60 emigrantë që kanë qenë në radhë janë larguar përkohësisht për të bllokuar rrugën si formë reagimi. është dashur ndërhyrja e policisë për t’i bindur të largohen nga rruga dhe protesta e tyre është zhvendosur para zyrës. Pretendimi kryesor i tyre ka qenë prodhimi i pasaportave në një kohë më të shkurtër, por që sipas specialistëve është e pamundur për shkak të fluksit dhe punës që duhet kryer për të ruajtur gjithë parametrat e sigurisë.