Përgjimet, 14 mijë euro një diplomë
Dënohen me nga 4 muaj burg dy të dyshuarit, kushti i vetëm për qytetarin: Saktëso datën e gjimnazit!
Tiranë, ish-mësuesja e sekseri, qytetarit: Zgjidh degën që do.
Një ish-mësuese dhe një i akuzuar si sekser i saj janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga Gjykata e Tiranës, pasi i kanë kërkuar një shtetasi 12 mijë euro për një diplomë të shkollës së lartë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, shpallur pak ditë më parë, shtetasja Hajrie Hanelli dhe Vani Nicka janë dënuar me nga 4 (katër) muaj burgim e 333.333 lekë gjobë për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Historia, e cila në vetvete duket se përmbledh fenomenin që ndodh me blerjen e diplomave të shkollës së lartë në vend, ka ndodhur në shkurt të 2011-s. I interesuari për diplomën pyetet nga sekserët se në cilën degë e kërkon diplomën, pasi mund tia sigurojnë atë sipas dëshirës, ndërsa kushti i vetëm që duhet të plotësojë, është që të sqarojë mirë datën kur ka mbaruar gjimnazin, në mënyrë që diploma e shkollës së lartë të mos jetë me një datë më para se ajo e shkollës së mesme! Hetimet për ngjarjen kanë nisur më 8 shkurt 2011 mbi bazën e denoncimit të qytetarit që nuk e ka marrë diplomën, pasi ka mësuar se sekserët nuk i kishin dhënë zyrtarëve një pjesë të parave që ai pagoi paraprakisht.
Denoncuesi ka mësuar se Hajrie Hanelli ka punuar si mësuese në një shkollë në periferi të Tiranës dhe i ka thënë se kishte njohje me një drejtor shkolle, tek i cili mund të siguronte diploma të rregullta të shkollës së mesme, megjithëse personi i interesuar nuk bënte asnjë ditë shkollë. Ajo i ka thënë që dhënia e diplomës realizohej kundrejt pagimit të shumës prej 6000 eurosh. Veç sa më lart, e pandehura Hajrie i ka thënë kallëzuesit që mund të siguronte edhe diploma të shkollës së lartë, kundrejt shumës prej 12.000 eurosh. Pasi regjistroi hetimin, Prokuroria autorizoi përgjimin e komunikimeve mes sekserëve dhe qytetarit të interesuar.
-Nga transkriptimi i bisedës së zhvilluar më datë 14.02.2011 midis kallëzuesit Xh.G dhe Hajrie Hanellit, kjo i thotë personit: Fola me atë (personi që do ti bëjë diplomën), tani do iki në Greqi, por do ta bëj atë (diplomën) të lartën, nuk e di ku do ta nxjerr, në shtet apo privat. Kur kallëzuesi e pyet për çmimin, shtetasja Hajrie i thotë Aq sa të kam thënë 12 (dymbëdhjetë), por do mundohemi ti bëjmë ulje, por personi i do lekët në gjendje dhe unë i thashë qe do mi lërë mua ti mbaj. Kallëzuesi i thotë Po tu nevojit, deri në 50.000 lekë të rinj ia jap unë si një lloj garancie. Më pas, kallëzuesi i thotë që unë 12.000 euro i kam gati, i ngrijmë në bankë me të drejtë tërheqjeje kur të jemi të dy, por bashkëbiseduesja Hajrie këmbëngul I mbaj unë eurot pasi jam nga ana jote. Ai po e bëri e bën brenda javës, ska nevojë as për arkë, brenda javës e bëjnë këta. Më pas, Hajria e pyet kallëzuesin Të pëlqen Ekonomiku si degë? dhe, kur ndahen, i thotë Hidhmi lekët mua! …diploma në dorë, zëre se i ke lekët në xhep, se unë jam me ty jo me atë.
-Nga transkriptimi i bisedës ambientale të zhvilluar në datë 21. 02.2011 midis kallëzuesit dhe Hajrie Hanellit, rezulton se
ajo i thotë kallëzuesit: E takova personin që i kishte thënë vetëm në universitet privat, degën çfarë të dojë, ata janë të licencuar nga shteti dhe duhet që personi të jetë mbi 24 vjeç, që të përkojë koha e mbarimit të viteve. Emrin e shkollës nuk e tregon se e ka sekret, ky person është i saktë në veprime, është vetë zot vetë shkop. Se ata që punojnë në shtet duhet të korrigjojnë të tërë regjistrat e katër viteve qe të vësh një emër, të hedhësh notat, por me një person nuk del ajo, se duhen firma të shumë vetave. Ndërsa ky është privat, e firmos vetë emrin në katër regjistra, nuk e merr vesh kush se është. Më pas, kallëzuesi e pyet nëse duhet të paguante kapar, por e pandehura Hajrie i thotë Asnjë lek nuk i jap unë pa dhënë atë që duhet të japë (diploma). Fol me njerëzit e shtëpisë për lekët dhe më pas zgjidh profilin që të pëlqen ty, Juridik, Ekonomik, çfarë të duash.
-Nga transkriptimi i bisedës së zhvilluar më datë 28.02.2011 midis kallëzuesit dhe Hajrie Hanellit, rezulton se kallëzuesi i thotë të pandehurës Hajrie: Kam folur me babanë për lekët dhe më ka thënë kujdes o djalë mos biesh viktimë. Por ajo i përgjigjet: Mos u mërzit se ke rënë në duar të sigurta. E shoqëroj unë atë, pa qenë lekët prezent ai nuk fillon punë. Lekët mi jep mua, unë nuk ti dorëzoj. Zëre se i ke ti, unë i dua për tia treguar atyre që ja ku janë leket qe ka dorëzuar. Ai vetë nuk del të të takojë, nuk do të dale fare në skenë. Do mundohem unë ta mbroj atë lek, se të kam dalë garant. Do flasim në telefon; Po të thashë unë, OK merri lekët me vete që ta mbyllim këtë punë, se është plak ky personi. Në deklarimin e datës 28.02.2011 shtetasi Xhaferr Gixhari ka shpjeguar rrethanat që rezultojnë nga përgjimi ambiental i së njëjtës datë.
-Nga transkriptimi i bisedës së zhvilluar më datë 22.04.2011 midis kallëzuesit dhe të pandehurës Hajrie Hanelli, rezulton se: E pandehura Hajrie i thotë kallëzuesit që ai person i ka thënë që, pa komunikuar bashkë, mos i thuaj gjë personit (kallëzuesit). Ai nuk është i pari në këtë drejtim, lidhen shok mbas shoku. Gjatë ndarjes, Hajria i thotë që këtë problem dua ta kryej sa më shpejt.
-Nga transkriptimi i bisedës ambientale të zhvilluar më datë 16. 06.2011 midis kallëzuesit dhe të pandehurës Hajrie Hanelli, rezulton: E pandehura Hajrie i thotë kallëzuesit Kam biseduar me atë personin dhe më dha përgjigje pozitive. U gëzova shumë, sikur ta kisha për veten time, dy janë degët në Ekonomik, Financë dhe Administrim biznesi. Më pas i tregon për dokumentet që nevojiten- kartë identiteti, foto, i jep një letër që i ka shkruar personi me shkrimin e tij. E pandehura Hajrie i thotë kallëzuesit Ai personi më ka thënë se cilat janë degët, merri lekët dhe brenda javës bëhet ky muhabet. Ndërsa për shumën e parave, ajo shprehet se ia ka ulur duke i thënë 14.000 euro. Më pas, e pandehura Hajrie i kërkon lekët kallëzuesit me pretekstin për tia treguar personit. Kallëzuesi i thotë Shumë e ngriti pazarin, por Hajria i përgjigjet: Le të behet mbarë ty, se lekët shkojnë e vijnë. Në qoftë se nuk të korrespondon data me të mesmen, do ti them që të nxjerrë një diplomë të shkollës së mesme. Kallëzuesi thotë Nuk fus më lekë të tjera. Më pas, e pandehura Hajrie i thotë: Mi jep leket tia tregoj unë atyre, nuk e lëshoj lekun e tjetrit. Ja ku e ke lekun, do ti them personit po është gjë reale, hidhu.
-Nga transkriptimi i dt.27.06.2011 i bisedës së zhvilluar më datë 24.06.2011 midis kallëzuesit dhe të pandehurës Hajrie Hanelli, rezulton se: E pandehura Hajrie i thotë kallëzuesit që takova personin dhe ai i kishte thënë Muhabeti po nuk u mbyll deri të hënën, nuk bëhet më. Më pas, kallëzuesi i thotë që, pasi është konsultuar me prindërit, i kanë sugjeruar që të mos i japë të gjitha paratë njëherësh. Por përsëri e pandehura Hajrie Hanelli këmbëngul që lekët duhen parapaguar patjetër, duke u shprehur se do ti mbante ajo. E pandehura Hajrie Hanelli i thotë kallëzuesit që personi e ka një bazë dhe është shprehur që ai të shkoje vetë ta marrë diplomën në sekretari, e cila është për fakultet ekonomik. Kallëzuesi shprehet se familja nuk e lejon që paratë tia japë asaj të gjitha në dorë, insiston që ti derdhë në bankë dhe pasi të mbarojë puna të shkojnë dhe ti tërheqin. E pandehura Hajrie shprehet që Banka ishte ajo dhe se ajo nuk do ti lëshonte paratë pa mbaruar punë.
-Nga transkriptimi i dt.28.06.2011, i bisedës së zhvilluar në datë 27.06.2011 midis kallëzuesit dhe të pandehurës Hajrie Hanelli, rezulton se: E pandehura Hajrie Hanelli e ka pyetur kallëzuesin se ku ishte problemi. Ai i është përgjigjur që ditën e nesërme të shkonin në bankë dh