E Shtunë, 31 Tetor 2026

Popa: Udhëtimi i Mehmetit në SHBA, përplasja në vapor me të birin e Çërçillit

Ishte shtatori i vitit 1960, kur një delegacion i nivelit të lartë të Shqipërisë Komuniste, i kryesuar nga vetë njeriu i fuqishëm i pushtetit, Mehmet Shehu, mori rrugën e gjatë për të mbërritur në Nju-York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po zhvillonte punimet Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ishte koha kur lideri i komunizmit shqiptar kishte kërkuar çarjen e madhe me aleatin e tij të hershëm, Bashkimin e madh Sovjetik, që në ato momente drejtohej nga Nikita Hrushovi. Pikërisht për këtë arsye, kryeministri Mehmet Shehu me delegacionin që e shoqëronte nuk udhëtoi me kryqëzorin “Aurora” me të cilin udhëtonin delegacionet e shteteve komuniste dhe vetë Nikita Hrushovi. Ai preferoi që lëvizjen ta bënte me vaporin më madhështor të kohës, siç ishte ai “Kuin Elisabet”. Por fati i keq i kryeministrit të pushtetshëm do të vinte pikërisht nga rastësia e madhe e atij udhëtimi, pasi në atë vapor po udhëtonin edhe vetë lideri i supershtetit jugosllav Josip Broz Tito dhe i biri i kryeministrit të Anglisë, Uinston Çërçilli. Ishte kjo rastësi, që 20 vite më vonë, kur Mehmet Shehu do të priste ‘suferinën’ e sulmeve të Enver Hoxhës, do të kishte edhe akuzën se pikërisht atë udhëtim që ai kishte bërë për në SHBA me vaporin “Kuin Elisabet”, e kishte përdorur për t’u takuar me Randolf Çërçillin, Josip Broz Titon dhe ish-drejtorin e tij të shkollës teknike, Harri Fultzin, me të cilët kishte komplotuar si poliagjent në kurriz të Shqipërisë dhe të vetë liderit të saj, Enver Hoxha. Por si është e vërteta e atij udhëtimi që do të hynte zhurmshëm në historinë e Shqipërisë Komuniste? A kanë udhëtuar figurat e lartpërmendura në vaporin e famshëm të viteve ’60-të dhe kush ka qenë reagimi i Mehmet Shehut para kërkesës insistuese të të birit të Çërçillit, të paraqitur si gazetar, për të bërë një takim personal me të. Këto dhe gjithçka që lidhet me akuzat dhe misteret e atij udhëtimi të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, do t’i dëshmojë për lexuesin e gjerë të “Gazeta Shqiptare”, vetë profesor Agim Popa, i cili ishte jo vetëm një nga pjesëtarët e ekipit të kryeministrit, por vetë përkthyesi i tij i materialit therës kundër qeverisë amerikane, që do ta mbante në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

(Vijon nga numri i kaluar)

Profesor. Folëm nga numri i kaluar, për historinë misterioze të udhëtimit të Kryeministrit të viteve ’60-të, Mehmet Shehu, për në sesionin e radhës së Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-York. Udhëtim ky, që më mbrapa do të sulmohej nga vetë Enver Hoxha me një lumë akuzash, deri te takimet sekrete të ish-kryeministrit për interesa të agjenturave të huaja. Ndërkohë, bëmë një rezyme të gjerë të asaj situate kur u bë ai udhëtim misterioz, që paska qenë e thënë të bëhej së bashku me liderin e Jugosllavisë komuniste Josip Broz Tito dhe të birin e Uinston Çërçillit, Randolfin. Le të ndalemi në numrin e sotëm, pikërisht te momenti i udhëtimit tuaj për në Amerikë. Si nisi ai?
Kemi lëvizur me avion në linjën Tiranë-Romë, pastaj Romë-Paris me tren, në të cilin kemi udhëtuar dy ditë e dy net. Prej andej kemi marrë linjën tjetër të trenit për të shkuar në Sherburg, që ndodhej pikërisht në veriun e Francës. Pikërisht në portin e Sherburgut, ne hipëm në vaporin gjigant britanik “Kuin Elisabet” (Mbretëresha Elisabet).
Pasi u akomoduam, mësuam se pikërisht me atë vapor udhëtonte dhe Titoja, i cili konsiderohej si mysafiri personal i mbretëreshës së Anglisë, prandaj një herë në ditë hante drekë në restorant të tragetit, ndërkohë që vaktet e tjera i hante në apartamentin e vet luksoz ku ishte sistemuar.
Në lidhje me sa është thënë për një takim sekret të Mehmetit me Titon, apo të birin e Çërçillit në atë traget, unë po ju them me bindje të padiskutueshme, se ai nuk ka bërë asnjë takim. Këtë nuk e thotë dokushdo, por e them pikërisht unë, si një dëshmitar okular që ka ndenjur shumë afër tij dhe se, më mirë se unë nuk di kush mbi veprimet e tij në atë udhëtim të gjatë.
Po ju, pjesëtarët e tjerë të ekipit që shoqëronit kryeministrin, keni pasur ndonjë moment kontakti me Titon në atë udhëtim me vapor?
Ne pjesëtarët e tjerë të ekipit hanim në restorantin madhështor të vaporit. Kështu që, të paktën një herë në ditë, kur Titoja ishte në këndin e tij të rezervuar për njerëzit e rëndësisë tepër të veçantë, ne i kalonim shumë afër.
Me kë ulej Titoja për të drekuar?
Titoja ishte i ftuari i nderit nga vetë mbretëresha e Anglisë në vaporin gjigant, prandaj ai, siç e theksuam disa herë, rrinte në këndin e tij të rezervuar për njerëzit e atij rangu dhe të asaj rëndësie, i rrethuar nga të gjithë këshilltarët e tij; midis tyre ishte edhe ish-ambasadori jugosllav në Shqipëri, Josip Gjergja, e të tjerë. E veçanta e atij momenti kur ne kalonim për të ngrënë në restorant ishte se, në shumë raste situata bëhej goxha qesharake, aq sa kur uleshim në tavolinën tonë, shumë metra më larg tyre, nuk mbanim dot buzëqeshjen.
Pse krijohej kjo situatë, se po më bën shumë kurioz?
E kuptoj që të bëj kurioz për sa them, pasi jam i bindur se ju mendoni se, çfarë situate mund të krijohej me një marshall, drejtues i një shteti me shumë republika, ndërsa kalonim neve, disa këshilltarë të zakonshëm të kryeministrit të Shqipërisë. Por ajo krijohej, pasi Sigurimi i tij kishte shumë frikë nga ne. Kështu, ndërsa neve kalonim dhe Titoja hante i qetë bukë, duke shkëmbyer batuta dhe buzëqeshje me njerëzit që e rrethonin, të gjithë njerëzit e tij të Sigurimit shpërqendroheshin dhe tendoseshin me një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj nesh, deri sa largoheshim përfundimisht nga afërsia e rrezikut për shefin e tyre.
Çfarë bënin konkretisht?
Na shoqëronin me sy, tepër të vëmendshëm, dhe duke u përqendruar me gjithë qenien e tyre drejt nesh. Mendoj se nga sa kishin ndodhur në politikat e dy shteteve dhe problematikat e dy liderëve, përkatësisht Enver Hoxhës dhe Titos, - e kam fjalën te akuzat dhe kundërakuzat,- dhe aq më shumë, angazhimi i jashtëzakonshëm i Titos, deri te përgatitja e bandave për asgjësimin e Enver Hoxhës dhe të vetë pushtetit të tij, normal që Sigurimi i tij shihte një mundësi rreziku, që mund t’i vinte nga njerëzit e Enver Hoxhës. Në këtë prizëm, ku ta dish se ata nuk mendonin se, dikush nga neve mund të ishte njeri i sprovuar për atentate dhe që ishte fshehur në atë delegacion si këshilltar i kryeministrit Mehmet Shehu. E vërteta është se, në atë moment apo në atë udhëtim, jetën e Titos e kishe shumë herë në dorë në rast se do të vendosje të bëje një veprim të çmendur. Pra, këtu lindte dyshimi i tyre, që, sa herë kalonim neve bëheshin, jo të vëmendshëm, por tepër të interesuar, aq sa na shoqëronin me sy të zgurdulluar, gati për të vepruar në çdo çast që mund të ndodhte diçka.
Ishte i madh restoranti?
Ishte restorant shumë i madh, se normal, flitet për një traget tepër modern dhe nga më të mëdhenjtë e asaj kohe, që mbante vetë emrin e mbretëreshës së Anglisë.
Kush ishit juve që kalonit në ato çaste para tavolinës së Titos? E kam fjalën për emrat, qoftë dhe disa prej tyre, për ilustrim të saktë të momentit. Pra, kush ishit?
Ishte Reiz Malile, isha unë, ishte Llambi Peçini, që ishte nga ana e Sigurimit,...etj.
Çfarë detyre ka pasur Reiz Malile, në atë kohë që ndodhej në përbërje të atij ekipi të rëndësishëm që shoqëronte Mehmet Shehun?
Ka qenë ambasadori ynë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Sa persona ishit gjithsej në atë delegacion?
Gjithsej bëheshim 7-8 veta. Siç thashë, ai delegacion kryesohej nga kryeministri Mehmet Shehu. Merrte pjesë dhe ministri i Jashtëm, Behar Shtylla.
Po Mehmet Shehu, sigurisht që ishte me juve?
Jo, Mehmet Shehu nuk hante bukë në restorant. Atij ia çonin në suitën ku ishte akomoduar. Pra, Mehmet Shehu nuk ka dalë fare nga suita ku rrinte, apo, që ta kuptoni më mirë, nga dhoma ku ishte akomoduar. Madje, mund të them se bashkë me të rrinte edhe Behar Shtylla, i cili mbante postin e ministrit të Jashtëm në atë kohë. Pra, dhe Mehmetit që hante së bashku me Beharin, i shërbehej në dhomë.
Pra, edhe Behari nuk erdhi asnjëherë në restorantin e vaporit?
Jo, Behari nuk vinte, se ai hante bashkë me Mehmet Shehun. Kështu që neve, ekipi që shoqëronim kryeministrin, ishim disi të shpenguar në lëvizje, jo vetëm kur hanim në restorant, por mund të rrinim dhe në kuvertë apo në sallën e tij. Konstatuam mes informacionit fillimisht, por më mbrapa e vërtetuam, se e pamë personalisht, se në atë vapor ishte dhe vetë i biri i Uinston Çërçillit, Randolf Çërçilli, i cili paraqitej si gazetar.
Lëvizte Mehmet Shehu nëpër vapor?
Patjetër që lëvizte, madje bënte edhe qyfyre. P.sh. në një rast, ai, duke bërë shëtitje në kuvertë i shoqëruar nga të gjithë ne, duke qeshur me të madhe tha: “Këtu jam më i siguruar se kurrë, pasi nuk ia vlen që të mbytësh të gjithë këtë vapor kaq gjigant dhe modern për të eliminuar Mehmet Shehun. Pastaj, këtu kemi dhe Titon, kështu që garancia bëhet shumë herë më e lartë”. Kuptohej që ato ishin shenja të holla ironie për udhëheqësin jugosllav.
Çfarë të veçante konstatuat në udhëtimin me të birin e kryeministrit të shquar të Anglisë?
Nisur nga fakti që delegacioni shqiptar që kryesohej nga Mehmet Shehu nuk udhëtoi me delegacionet e të gjitha vendeve të ashtuquajtura socialiste që udhëtuan me një kryqëzor të quajtur kryqëzori “Aurora”, në të cilin udhëtonte edhe Hrushovi, ai e kuptoi që marrëdhëniet midis nesh ishin prishur, prandaj kërkoi një takim me Mehmet Shehun. Kjo është e veçanta e tij. Pra, ai ka kërkuar të takonte Mehmet Shehun, por nuk e dinte se ishte pikasur që ishte i biri i Çërçillit, prandaj dhe paraqitej si gazetar.
Pra, vendet komuniste udhëtonin me një kryqëzor të veçantë?
Po, delegacionet e të gjitha vendeve komuniste që pranonin si udhëheqëse apo “Parti mëmë” - siç shpreheshin zakonisht në atë kohë, - Bashkimin Sovjetik, udhëtonin së bashku me një kryqëzor, që siç të thashë quhej kryqëzori “Aurora”. Randolfi e kuptoi, që nga fakti që ne nuk udhëtuam në të njëjtin vapor me Hrushovin, që një çarje e rëndë kishte ndodhur mes nesh, prandaj edhe kërkoi takimin në fjalë që ta përmenda pak më parë.
Po me Randolfin, u takua?
Nuk e ka takuar, pavarësisht se është akuzuar shumë se e paska bërë atë takim, madje është akuzuar se ka komplotuar në kurriz të shtetit, të atdheut dhe të vetë Enver Hoxhës e ku di unë se çfarë. Unë po të siguroj dhe të garantoj se jam njeriu i saktë që di të vërtetën, dhe po të them se nuk e ka bërë as atë takim, dhe as ndonjë tjetër. Madje as ai dhe as marshalli Tito nuk janë takuar asnjëherë me Mehmet Shehun në atë vapor, derisa kemi përfunduar në Nju-York.
Mos nuk jeni i mirinformuar profesor Popa për këtë detaj, pasi kjo dëshmi mendoj se ka rëndësi të madhe për opinionin publik, për vetë faktin se një deklaratë të tillë mbi takimin e tij me personat që ju përmendni e ka bërë vetë Enver Hoxha kur ka akuzuar Mehmet Shehun për prapaskena ndaj tij?
Unë jam korrekt me atë çfarë ka ndodhur, pavarësisht se kjo mund të merret disi si kundërvënie e atyre çka ka thënë Enver Hoxha, të cilat unë i di shumë mirë, madje Enver Hoxha ka thënë se, “së fundmi kemi mësuar nga njerëzit që e shoqëronin, se ai është takuar me Titon dhe me të birin e Çërçillit”. Pikërisht unë kam qenë tek njerëzit që e shoqëroja Mehmet Shehun dhe madje isha një person që isha shumë i rëndësishëm në atë udhëtim, për vetë faktin se kisha statusin e përkthyesit dhe këshilltarit të tij.
Dhe ju deklaroni fuqimisht se nuk e ka takuar?
Kam qenë prezent kur Randolf Çërçillit i është refuzuar takimi.
Si ka ndodhur?
Më ka ardhur Behar Shtylla dhe më ka kërkuar që të shkoja bashkë me të deri te kabina telefonike e tragetit.
- Hajde, - më tha, - se do t’i japim përgjigje djalit të Çërçillit, se ka kërkuar takim me shokun Mehmet.
Shkuam te një kabinë telefonike e tragetit dhe hymë për të telefonuar.
Më falni profesor, por me çfarë gjuhe bisedoi ministri Shtylla, se këto janë detaje që kanë rëndësi jo të vogël?
Bisedoi me të frëngjisht. Behari dinte edhe ca anglisht, por frëngjisht bisedoi, se atë gjuhë e dinte shumë mirë, se kishte mbaruar Liceun e Korçës. Unë frëngjisht kuptoja jo keq, për faktin se edhe unë kisha bërë gjithashtu një vit në Liceun e Korçës.
Dua të di saktësisht se si ia tha refuzimin e takimit?
I tha: - Zoti Çërçill. Jam Behar Shtylla. Ju keni kërkuar një takim me kryeministrin. Ju mora t’ju vë në dijeni se kryeministri është tepër i zënë dhe gjatë qëndrimit në vapor nuk ka mundësi t’ju takojë. Kur të arrijë në Nju-Jork do të shikojë në qoftë se do të ketë mundësi.
Çfarë komenti apo reagimi pat nga matanë receptorit?
U kuptua qartë se ai përplasi telefonin gjithë inat, pa mundur të thotë asnjë fjalë. Kuptohej që e shprehu këtë shpërthim zemërate, për përgjigjen që mori, pasi e përplasi receptorin në mënyrë të vrullshme dhe të zhurmshme. Për këtë nuk mund të më thotë kush gjë, se kam qenë prezent dhe e kam parë dhe dëgjuar personalisht për gjithçka që shpjegoj.
Po nëse Mehmet Shehu ka bërë vërtet një takim sekret me Randolf Çërçillin apo me Titon dhe se juve ju mori Behar Shtylla për të qenë dëshmitar i një përgjigjeje që atij do t’i interesonte më vonë, të cilën, për hir të së vërtetës, e deklaroni dhe tashmë kur kanë kaluar nga ai moment më shumë se 70 vjet? Pra, si mund ta përjashtoni juve mundësinë e një skenari të tillë?
Nuk ka mundësi. Unë isha prezent kur ai i përplasi telefonin gjithë inat.
Po pse e përjashtoni mundësinë e një takimi të mëparshëm dhe se kjo që po ndodhte, duke të marrë ty në këtë refuzim, mund të ishte një “film” që atyre u interesonte, se do t’u duhej më vonë?
E përjashtoj mundësinë, se isha vetë atje dhe e kam ndjekur Mehmet Shehun gjatë gjithë udhëtimit, në çdo hap. Nuk mund të lëvizte Mehmet Shehu dhe të mos vrojtohej nga ne, ashtu sikurse nuk mund të shkonte kush në suitën e pushimit të tij pa u vënë re nga ne. Por, të ta përsëris edhe një herë, unë personalisht e përjashtoj me forcë dyshimin e një takimi sekret, se unë kam qenë personalisht në çdo hap të Mehmet Shehut. E kam shoqëruar atë vazhdimisht.
Çfarë portreti ka pasur Randolf Çërçilli?
Ne e shikonim këtë Randolf Çërçilin, i cili ishte i vjetër, rreth 60 vjeç, tullac. Më kujtohet se ai i ishte qepur një vajze të re që ishte në vapor. Ajo ishte me të fejuarin e saj, por ai nuk donte t’ia dinte.
Ju, e shikonit këtë veprim vulgar të tijin?
Po ore, e shikonim qartë dhe çuditshëm. Madje një moment, që është shumë qesharak, ai donte t’i futej në kabinë asaj kur nuk kishte të shoqin brenda. Ai u afrua dhe kur tentoi të hynte brenda, aq sa po kapërcente pragun pas derës së hapur, ajo e shtyu me forcë duke e flakur jashtë kabinës, ndërkohë që nga brenda e mbylli derën me forcë, aq sa iu përplas pas fytyrës.
Ju pa juve?
Na pa dhe i erdhi zor që e ndoqëm këtë veprim të tijin, por gjithsesi nuk e vrau dhe shumë mendjen.
Ju vetë, mund të takoheshit?
Si mund të takoheshe nëse nuk vendosje për takim. Nuk mund të takoheshe vetëm prej faktit se ndodheshe në vapor, por nëse do të ndodhte një gjë e tillë, bëhej me kërkesë dhe nëse pranohej nga pala tjetër që i kërkohej. Në rast se nuk kishte ndodhur kjo mënyrë kontakti zyrtar si të thuash, nuk mund të takoheshe, se nuk e kishe as ti dhe as ai këtë të drejtë. E shumta që mund të bëje, ishte thjesht të shikoje dhe të të shikonin.
(vijon nesër) 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›