E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adela Oketa: Ju rrëfej momentet e vështira dhe çlirimin e Gazmendit

Adela Oketa refl ekton mirësi e sinqeritet, e ky është opinioni që do të mbajmë për të edhe pas intervistës. Ajo vjen në kafenenë ku lamë takimin, bashkë me Arbën, të mirëseardhurën më të re në familjen e tyre. E vogla ka më shumë ngjashmëri me të ëmën, sepse dy fëmijët e tjerë duket se i ngjajnë të atit. Sapo zgjohet nga gjumi, e vogla i qesh së ëmës dhe i hap këmishën në kërkim të ushqimit të saj. Adela na tregon historinë e një jete me Gazmend Oketën, inxhinierin që iu fut politikës për të kontribuar në zhvillimin e vendit duke përcjellë një mentalitet ndryshe, mision të cilin e mbart edhe sot në Partinë Fryma e Re Demokratike.
Kur jeni njohur me Gazmendin?
Ka qenë viti 1996. Unë sapo kisha mbaruar shkollën dhe prisja të diplomohesha për ekonomi. Punoja në një agjenci udhëtimesh part-time. Gazi hapi derën dhe më kërkoi t’i bëja fotokopjen e një dokumenti. Sa e pashë, më ngelën sytë te ai. Në fakt, ndjemë të dy një reaksion kimik sapo u pamë.
Dashuri me shikim të parë i bie?
Goditje rrufeje thuaj... (qesh)
U hutove në atë moment?
Ndjeva forcën e madhe të pëlqimit, por e mblodha veten dhe i thashë se fotokopjen e kishim të prishur ndërsa i shtrova si alternativë, variantin për t’ia bërë përmes faksit. Sigurisht që e pranoi, por siç më ka thënë më vonë, “fotokopja” nuk i hyri kurrë në punë.
Po si u takuat më pas?
Gazi erdhi pas disa ditësh sërish për fotokopje edhe pse e dinte që ajo nuk punonte. Më gjeti duke luajtur në kompjuter e menjëherë më bëri një batutë të tipit ‘mos ju pengova’, ndërkaq që më pyeti për çfarë studioja. I thashë se në atë puna isha provizore deri sa të merrja diplomën për ekonomi e të gjeja një vend në zanatin tim. Gazi më tha se në punën ku ishte, kërkohej një ekonomiste, ndaj me atë rast më kërkoi numrin e telefonit për të më lajmëruar nëse isha e interesuar. Më pas më dha shkresën që duhej ta kaloja mes faksit e u largua.
Si t’u duk Gazmendi?
Ai kishte pamje fi snike e serioze, megjithatë tërheqjen ndaj tij e provova sërish në takimin e dytë.
Të ngacmoi ideja që ai të kërkoi numrin e telefonit?
Lëre, lëre. Sa shkova në shtëpi, telefonin nga korridori e spostova në dhomën time dhe e ngrija unë e para sapo binte. Megjithatë thirrja nuk vonoi. E lamë të takoheshim për të folur për punë.
E si shkoi, folët për punë?
(Qesh). Vetëm për punë nuk folëm. Bëmë biseda nga më të ndryshmet, ia kaluam shumë mirë.
Si erdhi i veshur në takim?
Serioz. Edhe dy herët e tjera që e kisha parë kishte këmishë e kravatë.
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje në pamjen e tij?
Rregullsia, ishte perfekt. Madje në një moment më bëri përshtypje që mbante kartëvizita, që në ato kohë, rrallë kishte njerëz që i përdornin.
Sa vjet kishit diferencë e ku punonte zoti Oketa?
Kishim 6 vjet dhe në atë kohë Gazi punonte për një projekt të Bankës Botërore.
Puthja e parë?
Nuk më kujtohet ekzaktësisht, sepse ajo erdhi krejt natyrshëm. Që pas takimit të tretë ne shiheshim gjithnjë e më shpesh.
Po humor a kishte ai, apo mbetej në notat serioze?
Po të kujtoj një histori të atyre viteve. Një shoku i Gazit kishte ditëlindjen e na thirri në mbrëmje të dyve. Aty takova pjesën e panjohur të tij. Pashë një Gaz që ishte kapo i tavolinës, që bënte batuta pa fund, këndonte... Dhe më kujtohet që pas festës kur po më përcillte për shtëpi i thashë që, sikur njohja jonë të kishte qenë në atë festë, me siguri që nuk do ishim puqur.
Po pse?
Sepse unë kërkoja një njeri serioz dhe po ta kisha njohur ashtu, aq dominant, do të më frikësonte. Por tani, them se është fat që të kesh një njeri që i ka të gjitha komponentët e njerëzores, pra seriozitetin dhe humorin, apo socializmin.
Zgjati shumë marrëdhënia e dashurisë mes jush?
Ne u fejuam më 26 korrik të vitit 1997, pasi filluam të kufizonim daljet nga fjalët që po përhapeshin.
Prindërit, pyetën direkt për familjen e tij?
Jo, sepse kishin shumë besim tek unë. Pastaj unë nuk isha aq e vogël sa të më mbanin nën kontroll.
Kur erdhi fëmija i parë?
Erdhi shumë shpejt. Unë në fillim doja të rrinim pak më gjatë bashkë, por ndërrova mendim.
Ndodhi papritur?
Jo, ishte dëshirë e jona, por mosdashjen e menjëhershme e kisha në fillim si revoltë ndaj njerëzve që sapo martohesh pyesin: ‘A keni ndonjë beb? Hë, kur do e bëni...???’. Më pas vendosëm të mos nxirrnim “inate” fëminore të këtij lloji, duke i dhënë përgjigjen që prisnin.
Pse zgjodhët emrin Ana për vajzën?
Ne ishim të rinj në atë kohë dhe sapo mbaronte një film shihnim në titra emrat e aktorëve. Unë kisha qejf emrin Ana, pasi gjyshes sime i thërrisnin kështu e ndërsa një ditë po bënim ritualin tonë, Gazi tha: ‘Do e quajmë Ana’. Mua më erdhi aq për shtat sa s’thuhet, ndërkohë që edhe ai bëri zgjedhjen e tij.
Si shkon me shkollë vajza?
Ajo është një vajzë e mirë dhe sistematike.
Djali?
Djali erdhi pas 4 vitesh. S’e kishim diskutuar ndonjëherë faktin e gjinisë, por kur lindi Joni, gëzimi i të gjithëve ishte shumë i madh.
Sot jeni mamaja e një vajze 4.5 muajshe; si ndjeheni?
Arba na e ka ndryshuar jetën komplet. Të dy fëmijët para saj ishin lumturi, por ishin pjesë e ndryshimeve klasike që u ndodhin çifteve pas martese, ndërsa ardhja e kësaj të voglës, na çmendi jo vetëm mua dhe Gazin, por edhe Anën e Jonin. Për shumë vite ne mendonim të kishim një familje tradicionale të përbërë nga katër vetë.
Kush e hodhi si ide?
Në 40-vjetorin e Gazit bëmë një festë me miqtë tanë dhe Gazi, pasi falënderoi shokët për pjesëmarrjen, tha: ‘Bashkë me Adelën jemi në tratativa për të bërë një bebe tjetër’. Unë e mora thjesht si një batutë të tijën se as nuk e kishim diskutuar më parë, por ishte një gjysmë propozimi që mua më pëlqeu në fakt, se fëmijët sjellin gjithmonë gëzim në shtëpi.
Po kaluan disa kohë prej atëherë?
Kaluan, pasi unë isha në dilemë se si do të ishim neve në raport me Anën e Jonin.
E në fakt si e pritën?
Joni shumë mirë. Që kur i thamë se si ju duket ideja të bëjmë një bebe tjetër ai u lumturua e na tha: ‘Bëjeni se do të jemi shumë në shtëpi. Edhe kur babi ikën në punë ne do mbetemi sërish 4’, ndërsa Ana u tërhoq dhe na tha se donte ta mendonte. Por në momentin kur i treguam ekon, ata ulëritën nga gëzimi. Ne nuk e prisnim që do të reagonin në atë formë, sidomos Ana. Tani, prandaj them se Arba është lumturi më vete, sepse edhe Ana e Joni janë të lumtur e kënaqen me të voglën. Çdo mëngjes vijnë e fjalia e parë që thonë është: ‘Mam, si ka fjet Arba, a është mirë...’. Ata të dy kanë shumë dashuri për t’i dhënë Arbës.
E ndjejnë fëmijët që po i jepni Arbës dashurinë më të madhe?
Ne nuk bëjmë diferencë mes fëmijëve. Arba është më e vogël e do kujdes më shumë, po aq sa duan edhe dy më të mëdhenjtë, por në një tjetër formë: Të bisedosh me ta e të sillesh si mikeshë tanimë, e jo si mama. Të gjithë ne e kemi Arbën në qendër të vëmendjes, madje më kujtohet se kur isha shtatzënë, Joni, si tip kurioz dhe studios më thoshte: Kjo është java kur i është zhvilluar sistemi i dëgjimit. Joni në atë kohë vendosi t’i mësonte numrat deri në 12 e jo t’i këndonte.
Pse deri në 12?
Atë pyetje i bëmë edhe ne, por na u përgjigj që të gjithë fëmijët dinë të numërojnë deri në 10, ndërsa motra e tij duhet të ishte pararojë. E kur lindi Arba dhe ato erdhën në spital, doktor Halim Kosova nisi ta ngacmonte Jonin duke i thënë: ‘Më bëri përshtypje që kur lindi vajza seç thoshte ca numra, numëronte deri në 12...’, dhe Joni direkt e pa në sy doktorin. Me dyshim, sigurisht.
Besoj se nuk e kishit menduar ndonjëherë që bashkëshorti juaj do bëhej politikan?
Jo, jo, asnjëherë. Gazi ishte inxhinier dhe shumë i mirë në zanatin e tij. Të dy mendonim që do i mëshonim fort zanateve që kishim, sepse zanati s’të lë kurrë në baltë.
Po si erdhi propozimi?
Gazi në atë kohë punonte në një projekt për rikonstruksionin e hidrocentralit të Bistricës. Unë sapo kisha lindur Jonin dhe ai shkonte e vinte. Propozimin e parë Gazi e refuzoi.
E kishte marrë propozimin nga selia e Durrësit, apo qendrorja?
Propozimi i erdhi nga Tirana, por ai refuzoi. Mbase nuk ishte gati.
Kur iu bë propozimi i dytë?
Ndodhi në 2005-ën. Në atë vit kujtoj gjithmonë që ka qenë një frymë e përgjithshme për ndryshim, për t’u angazhuar në politikë edhe shoqëria civile, pasi politika e aso kohe po jepte pasoja edhe në biznesin privat; korrupsioni ishte në shkallë shumë të lartë... Ndaj ishte kjo frymë, që shumë njerëz filluan të kontribuonin për të mos penguar dhe veten, për të ndërtuar një ambient sa më të përshtatshëm për veten, për fëmijët tanë, të ardhmen e tyre dhe, kjo ishte shtysa edhe për pjesëmarrjen e Gazit në politikë.
Ju, e mbështetët?
Sigurisht që e mbështeta. Ai ishte dhe mbetet idealist i parimeve të tij.
Më pas, aq shumë funksione?
Në fakt, gjërat ecën shumë shpejt. Ai u bë zëdhënës i Partisë Demokratike, pastaj zëvendëskryeministër e më pas ministër i Mbrojtjes.
S’ke ardhur asnjë ditë të jetosh në Tiranë e mesa di unë, s’keni as në mend të vini!?
Ky është vendimi i të dyve. Durrsakët e kanë si parim që të mos ikin nga qyteti i tyre. Kjo mënyrë jetese është pak e lodhshme për të, pasi unë këtu e kam punën, shkollën e fëmijëve, familjen, çdo gjë. Por këtë vendim e kemi marrë, sepse jemi të dy të mendimit që jeta familjare në Durrës është disa herë më e qetë e më e mirë se jeta në një metropol të madh, heterogjen e të zhurmshëm. Në shkollën e fëmijëve ne i njohim prindërit, se nga vijnë ata, ndërsa në Tiranë, gjëja që nuk më pëlqen është se, pavarësisht se mund të jesh me tjetrin në të njëjtin nivel ekonomik nuk je me të në të njëjtin nivel social, intelektual. Kjo ta vështirëson paksa edhe pjesën e edukimit, pasi fëmija e ka shumë të vështirë të ndajë të mirën nga e keqja, tip celulari apo ndonjë luks jo i domosdoshëm. Te ne në Durrës, nuk ndodh kjo gjë, mjaft t’ua shpjegosh, e shembull të tillë nuk gjejnë as në klasë. Plus që këtu në Durrës kemi dhe familjet tona respektive, që na ndihmojnë e kujdesen për fëmijët tanë.
Kur Gazmendi ishte zëvendëskryeministër e ministër i Mbrojtjes, ju mungonte në shtëpi?
Pa diskutim që na mungonte, sidomos Anës, pasi Joni u rrit duke e pasur të atin me punë nëpër rrethe. Mbaj mend që kur dha dorëheqjen Besnik Mustafaj, ajo e dëgjoi në lajme dhe kur po dilnim më pyeti mua: ‘Po babi kur do e japë dorëheqjen...’. Unë i ia thashë Gazit, por ai ka pasur e ka një gjë, që kur merr një punë përsipër, do ta bëjë siç duhet e jo ta anashkalojë, sidomos në pjesën e Ministrisë së Mbrojtjes kur atij i duhej të punonte shumë, pasi në atë pjesë njohuritë e tij ishin të kufizuara, ndaj dhe vërejtja e Anës nuk vlejti shumë (qesh).
Mendoni se Gazin e zgjodhën pikërisht si ministër i Mbrojtjes fill pas Gërdecit e dorëheqjes së Mediut, për të qetësuar e pastruar paksa situatën?
Mendoj se po. Fakti që emri i tij nuk u kontestua, fakti që pas emërimit të Gazit nuk pati më sulme karshi Ministrisë së Mbrojtjes, më bën të mendoj kështu.
Kur ka qenë momenti më i vështirë i Gazit në politikë, për ju si gruaja e tij, pjesë që e keni diskutuar edhe në familje?
Ka pasur momente të vështira, sidomos vitet e fundit.
Për shembull?
Ka qenë momenti kur në komision diskutohej ligji i SHISH-it e Gazi, nëse më kujtohet mirë, bashkë me një apo dy të tjerë dolën kundër. E po kështu edhe çështja e importit të plehrave, me të cilën nuk ishte dakord. Pra, kanë qenë disa momente kur Gazi mendonte se duhej bërë ndryshe, ndryshe nga vendimi politik, dhe lirimi ka qenë kur ai vendosi të dalë nga grupi parlamentar i PD-së dhe them se tani ndjehet më i lirë.
E diskutoi me ju largimin nga PD-ja?
Në fakt jo. Këtë gjë e tha publikisht kur ishte i ftuar në një emision televiziv, megjithatë ishte i pritshëm.
Po me partinë e re si ju duket, si po e përjeton?
Një periudhë tjetër e lodhshme që përkoi me lindjen e Arbës, por është një periudhë më e mirë për të gjithë. Unë tani kam asistentë Anën e Jonin, ndërsa ai po ndjehet mirë në bindjet që ka për të bërë një politikë ndryshe.
Jo si gruaja e Gazmend Oketës, por si qytetare, mendoni se vërtet Fryma e Re demokratike do mund të bëjë një politikë ndryshe?
Do të doja shumë, vërtet, sepse është nevoja. Unë mundohem që t’i gjykoj ftohtë lëvizjet e tij politike dhe ia bëj shpesh këtë pyetje vetes. Them se ajo çka ata do të bëjnë, do ta tregojnë rrugës së gjatë që kanë nisur. Personalisht mendoj se Gazi e ka dhënë modelin e tij prej politikani dhe ai grup njerëzish që e ka besuar në fillim, nuk ka mbetur i zhgënjyer prej tij. Njerëzit sot janë të lodhur, mosbesues, ndaj ata duhet të punojnë shumë për të zgjuar shpresat te njerëzit, ndërkohë që hidhet në treg një alternativë ndryshe e kjo është pozitive për mua si qytetare, sepse kam më shumë mundësi zgjedhjeje.
Po për presidentin e vendit, Bamir Topi, ç’mendoni?
Ai është treguar i matur dhe i kujdesshëm gjatë gjithë kohës, duke reflektuar qetësi, për të cilën ne si qytetarë kemi nevojë. Mendoj se agresiviteti i politikës sonë, reflektohet dhe në shoqëri e po kështu reflektohet dhe qetësia, ndaj do ishte shumë mirë të merrnim mesazhe të tilla. Politika është model dhe sot na bën të mendojmë se një njeri që aspiron të hyjë në nivele të larta duhet ta bëjë duke qenë agresiv. Në fakt s’duhet të jetë kështu. Prandaj mendoj se për shumë prindër të cilët nuk dëgjohen e shihen nëpër ekrane, por që janë më shumë në numër se këta të fundit, modeli që duan të zgjedhin është reflektimi i një kulture qytetare, edukatë, qetësi, arsyetim, racionalizim..., gjë që zoti Topi e ka demonstruar.
Ju e keni takuar; si ju duket përballë?
Po, e kam takuar dhe vërtet ai demonstron qytetari.
Për pushime, bëhet fjalë këtë vit, apo?
Kjo është biseda më e shpeshtë e këtyre ditëve të fundit. Gazi është tejet i angazhuar me partinë e re, ndërsa ne kemi dy vjet thuajse pa bërë pushime bashkë, pasi vjet unë isha shtatzënë, pra e kushtëzuar.
Kur do i ktheheni punës?
Për momentin Arbën e kam të vogël dhe mendoj të kaloj edhe disa muaj me të, për ta nisur mbase, nga fundi i shtatorit.
Po në shtëpi, sherroseni ndonjëherë, apo jo?
Kemi debate sigurisht, si në çdo familje, por jo me tone të larta. Unë jam pak më hatërlie si natyrë (qesh).

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›