E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimet, Qeveria prek fondin rezervë

Qeveria shqiptare vendosi të prekë fondin rezervë të Këshillit të Ministrave pas një kërkese të bërë nga Shërbimi Informativ, i cili ka kërkuar 6 milionë lekë të reja për riparimin e pajisjeve të sistemit të përgjimeve. 

Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave miratoi shtesën në buxhetin e Shërbimit Informativ, i cili do të përdorë shumën prej 6 milionë lekësh të reja për blerjen, transportin dhe instalimin e pajisjeve të reja në sistemin e Përgjimit të Telekomunikimeve. Shërbimi Sekret ka bërë kërkesë në Qeveri për shumën e parave të nevojshme për shkak se në buxhetin e caktuar për vitin 2008 këtij institucioni, nuk ka pasur asnjë mundësi për përdorimin e ndonjë fondi me qëllim riparimin e pajisjeve të përgjimit të telefonave. Ato kanë filluar të shfaqin problemet e para duke u bërë pengesë për realizimin e përgjimeve që duhet të bëjë Shërbimi Informativ për nevoja të këtij institucioni apo për llogari të Policisë së Shtetit. Pak kohë më parë, gazeta “Panorama” ka publikuar faktin se për shkak të mungesës së fondeve, Shërbimi Informativ Shtetëror po përballej me probleme serioze në Sistemin e Përgjimeve. I cili për shkak të konsumimit të pajisjeve ka nevojë të riparohet por për shkak të mungesë së fondeve, SHISH nuk ka pasur mundësi të paguajë kompaninë britanike që ka instaluar sistemin dhe mund të realizojë ndërhyrjet me qëllim riparimin e tij. Si pasojë e këtyre problemeve, mësohet se në momente të caktuara sistemi i përgjimeve ka pasur probleme serioze deri në ndërprerje të përkohshme të funksionimit.
Qendra e Përgjimeve
“Në Shërbimin Informativ Shtetëror është ngritur dhe funksionon rregullisht Qendra e Përgjimit të Telekomunikimeve, e pajisur me aparatura teknike dhe pajisje të tjera, të sistemit “Aries”, të blera dhe të instaluara nga shoqëria e huaj “RPL Electronic, Ldt”. Gjatë këtyre viteve, për mirëmbajtjen e këtij sistemi janë kryer shërbimet e nevojshme nga kjo shoqëri, me një kosto totale rreth 70 milionë lekë të reja, por pa arritur t’i bëhet një rinovim thelbësor, në pjesët fizike dhe teknologjike të sistemit”, thuhet në kërkesën që Shërbimi Informativ ka bërë në Qeveri për shtesën në buxhet. Sipas saj, “aktualisht sistemi ka filluar të shfaqë probleme duke ndikuar negativisht në serverat kryesorë të tij, si dhe në rrjetin e operatorëve, që punojnë në terminalet e transkriptimit”. Me këto sqarime, SHISH ka argumentuar kërkesën që ka bërë në Qeveri për 6 milionë lekë të reja, me qëllim riparimin sa më të shpejtë të pajisjeve të dëmtuara në Qendrën e Përgjimeve. Sipas SHISH-it, pas problemeve të ndeshura me pajisjet e dëmtuara është kontaktuar me kompaninë britanike që i ka instaluar ato. Kjo kompani ka ofruar pesë opsione rinovimi për pajisjet e Qendrës së Përgjimeve, nga të cilat Shërbimi Sekret Shqiptar ka zgjedhur alternativën që kushton më pak, vetëm 6 milionë lekë të reja. “Kjo shumë do të përdoret për rinovimin e pjesëve fizike dhe programeve që përdoren në bazën e të dhënave si dhe rritjen e kapacitetit arkivues të tij, duke iu përshtatur teknologjisë bashkëkohore në këtë fushë”, thuhet në kërkesën e SHISH-it, drejtuar Qeverisë. Në kërkesë thuhet se me shumën prej 6 milionë lekë të reja, SHISH do të realizojë blerjen, transportin, instalimin dhe testimin e pajisjeve dhe programeve të reja që do të vendosen në Qendrën e Përgjimit të Telekomunikimeve. tr.so

Ligji, SHISH bën vetëm përgjimet parandaluese
TIRANE – Ndryshimet në ligjin “Për Përgjimin e Telekomunikimeve” i kanë lënë Shërbimit Informativ të drejtën për të kryer vetëm përgjimet parandaluese. Sipas përcaktimeve të reja në të njëjtin ligj, tashmë përgjimet procedurale të bëra me kërkesë të Prokurorisë apo të policisë dhe me autorizim gjykate, realizohen nga Qendra Kombëtare e Përgjimeve Telefonike në Prokurorinë e Përgjithshme. Shërbimi Informativ tani kryen vetëm përgjimet parandaluese të cilat nuk kanë efektin e provës dhe nuk përdoren si të tilla. Ky lloj përgjimesh bëhet nga SHISH ose nga policia me qëllim për të mbajtur nën kontroll veprimtarinë e personave apo grupeve të veçanta që kryejnë aktivitet kriminal. Mbajtja e tyre në mbikëqyrje të vazhdueshme mundëson parandalimin e krimeve apo kapjen në flagrancë të autorëve të tyre. Bisedat e tilla administrohen nga sistemi kompjuterik i zyrës së Përgjimeve në Shërbimin Informativ, ku bisedat arkivohen për t’u shfrytëzuar në çdo kohë. Pikërisht pajisjet që mundësojnë këtë gjë, janë dëmtuar prej disa muajve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›