E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha mbledh në selinë e PD kandidatët e konfirmuar

11/05/2005  Brenda 2 ditësh përfundon procesi i përzgjedhjes së konkurrentëve

Kyetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thirrur dje në zyrën e tij kandidatët për deputetë të Durrësit, Vlorës dhe Elbasanit, ku është informuar mbi situatën dhe mbarëvajtjen e fushatës në zonat e tyre përkatëse. Burime në PD shprehen se gjatë bisedës me ta Berisha i ka këshilluar të bëjnë kujdes me listat e zgjedhësve si dhe me marrëdhëniet me anëtarësinë e bazës. Në takimin e djeshëm ishte prezent edhe sekretari i Përgjithshëm i PDR-së, Ferdinant Xhaferri, i cili kandidon në zonën 28 në Durrës, nën siglën e PD-së. Sipas burimeve në PD, brenda dy ditëve pritet të mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike për të vendosur për 50 kandidaturat e tjera, të cilat nuk janë vendosur ende. Një ditë më parë, kreu demokrat Berisha tha se bërja publike e kandidaturave të mbetura është vonuar nga bisedimet për koalicionet. Në qytetet që ende nuk janë vendosur kandidaturat mbeten Shkodra, Tepelena, Erseka etj., ndërkohë që ka përfunduar lista e kandidatëve pjesërisht për Durrësin, Vlorën, Elbasanin, Tiranën, Korçën etj. Në Tiranë ende nuk është shpallur kandidati i Vorës dhe i Bathores, në Qarkun e Durrësit ka mbetur pa plotësuer ende zona e Krujës, ndërsa në Korçë nuk është vendosur kandidati në Ersekë. Gjithsesi, burime në PD shprehen se mbledhja e ardhshme e kryesisë do të vendosë përfundimisht për kandidaturat e mbetura, pasi deri në shpalljen zyrtare të fushatës elektorale ka mbetur më pak se një muaj dhe duhet parapërgatitur anëtarësia e bazës, duhen bërë prezantimet paraprake dhe sheshuar mosmarrëveshjet që vijnë nga caktimi i kandidaturave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›