E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimet votohen pa konsensusin e opozitës

• Me 67 vota pro, 20 kundër dhe 4 abstenime Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjet e përgjimeve, duke e zgjeruar rrezen e interceptimeve. Opozita votoi kundër këtyre ndryshimeve. Me ndryshimet në ligjin e ri të telekomunikacioneve, e drejta e përgjimit i jepet edhe Policisë Kriminale, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SHISH. Këta institucione do të kryejnë për nevojat e tyre përgjimet për persona e çështje të ndryshme, por duke marrë më parë miratimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Opozita e kontestoi fuqishëm këtë ndryshim ligjor, duke theksuar se shkel të drejtat e njeriut. Deputetët e opozitës, Majko dhe Çipa të PS-së kërkuan që ky ndryshim ligjor të mos votohej, pa u konsultuar më parë me organizma që merren me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ndryshimet parashikojnë që "përgjimet, për llogari të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, nuk do të kryhen më nga SHISH-i, por nga një seksion i veçantë brenda këtij institucioni". Drafti propozon që "proceset teknike të përgjimit të komunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit do të realizohen deri më 1 mars 2008, nga prokurori ose oficeri i Policisë Gjyqësore, në sektorin e përgjimeve në SHISH". Ministri i Brendshëm, Nishani i cilësoi si të pavërteta qëndrimet e opozitës. "Ministria e Brendshme as bën përgjime dhe as kërkon të bëjë përgjime. Policia e Shtetit nuk kërkon të marrë asnjë lloj atributi të cilin ligjet e deritanishme nuk ia njohin. Çdo gjë është e mbështetur në ligjin e vitit 2003 'Për përgjimet' dhe nuk kërkohet të shtohen atribute për këtë dikaster, por synohet vendosja e bërthamës përgjuese pranë Prokurorisë së Përgjithshme", sqaroi ministri Nishani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›