PD: Referendum për kufizimin e imunitetit
• Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, do të ndërmarrë nismën për hartimin e kërkesës për mbajtjen e një referendumi lidhur me kufizimin e imunitetit nga ana e deputetëve.Duke folur në Parlament gjatë ditës së djeshme deputeti demokrat tha se, kjo është një rrugë për plotësimin e një premtimi elektoral, i cili nuk ka mundur të mbahet dot deri tani për shkak të bllokimit në Kuvend. "Pavarësisht nëse do e marrim këtë nisëm apo jo, ashtu siç kërkohet referendum për sistemin zgjedhor, unë me kolegët e mi do kërkojmë referendum për kufizimin e imunitetit të politikanëve dhe prokurorja të mos hezitojë pavarësisht kësaj nisme të sjellë në Parlament, të gjithë ata politikanë të çdo rangu qofshin që janë të lidhur me krimin", theksoi deputeti Hoxha në fjalën e tij. Duke iu referuar një deklarate të kryeprokurores nga SHBA-ja, Hoxha tha se, "Kryeprokurorja Ina Rama është shprehur se, krimi i organizuar është i lidhur në shumë raste me politikën. Në parlament prej muajsh është diskutuar por është hedhur poshtë nisma për kufizimin e imunitetit. Ne duhet të krijojmë një bazë nisje për çdo deputet që të ketë kufi imunitar".