Shkarkohet ERT në Kuvend, debat në grupin e PD
• Parlamenti votoi dje me 69 vota pro shkarkimit të kryetarit të ERT-së, Hydajet Kopani. Njëkohësisht në votim u shkarkuan edhe tre anëtarët e tjerë të Entit.Votimi u bë pas kërkesës së ministrit Olldashi, i cili akuzoi ERT-në për mosllogaritjen e kostove të shërbimeve celulare dhe deformimin e tregut duke lejuar fitime maksimale për kompanitë. Gjatë paradites së djeshme shkarkimi i anëtarëve të ERT-së, ka rikthyer debatet në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Për rreth 25 minuta deputetët demokratë kanë kërkuar më shumë sqarime lidhur me vendimin e qeverisë për të shkarkuar kryetarin e ERT-së së bashku me tre anëtarë të këtij enti. Fillimisht ka qenë kryeministri Berisha i cili, pasi janë larguar mediat nga mbledhja e grupit, ka kërkuar prej deputetëve që të votojnë në seancën e pasdites së djeshme vendimin për shkarkimin e anëtarëve të ERT-së, ndryshimet në ligjin e Legalizimeve dhe atij të Përgjimeve. Burime nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike bëjnë të ditur se, kreu i qeverisë është shprehur para deputetëve demokratë se për një kohë të gjatë tarifat e kësaj telefonie nuk kanë ndryshuar dhe për shkak të kësaj është kërkuar shkarkimi i këtyre anëtarëve. Por mënyra se si po procedohet me këtë vendim, është kundërshtuar nga deputeti Mustafaj. "Ne duhet të dëgjojmë edhe pretendimet e tyre para se të marrim vendim. Kemi mungesë informacioni", është shprehur Mustafaj. Ndërsa deputeti Samit Gjergji është shprehur se, "ne jemi dakord për largimin e këtyre anëtarëve, por kush na garanton ne se të tjerët që do të vijnë do të jenë më të mirë se ata që do të largohen". Nga ana e tij kryeministri Berisha është shprehur se, me këtë vendim po zbatohet vetëm ligji.