E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimi: Invalidi trafikoi 72 klandestinë

Katër anëtarë të një grupi kriminal, që trafikonte klandestinë në Greqi ranë dje në pranga ndërsa anëtari i pestë i bandës ndiqet në "arrest shtëpie". 

Dashamir Biçaku

Masa e arrestit në shtëpi ndaj Pëllumb Gurit, 35 vjeç nga Lushnja, është vendosur për shkak të problemeve të tij shëndetësore edhe pse sipas hetimeve, ai rezulton të ketë qenë drejtuesi dhe organizatori i trafikimit të klandestinëve nga qytetet kryesore të Shqipërisë në drejtim të Greqisë. "I pandehuri Pëllumb Guri, 35 vjeç nga Lushnja prej vitesh gëzon statusin e invalidit megjithatë nga hetimet rezulton të ketë qenë organizatori i mbledhjes së klandestinëve dhe më pas ideatori i nisjes së tyre për në Jug të Shqipërisë, në Sarandë, ku personat tentonin të kalonin ilegalisht në Greqi përmes detit ose përmes kufirit tokësor", thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, nga data 5 prill deri në fund të muajit maj 2008, pesë të arrestuarit akuzohen se kanë tentuar të kalojnë në Greqi pesë grupe klandestinësh, me gjithsej 72 persona, të gjithë të arrestuar nga policia në tentativë për të kaluar kufirin. Pas vendosjes në "arrest shtëpie" për invalidin që konsiderohet kapoja i grupit, policia ka vendosur në pranga edhe katër anëtarët e tjerë të organizatës kriminale. Resul Çela, 42 vjeç, nga Lushnja, Bardhi Proda 38 vjeç, nga Saranda, Irfan Dalipaj, 47 vjeç nga Berati dhe banues në Tiranë dhe Nino Tushe, 38 vjeç nga Gjirokastra kanë rënë në pranga gjatë aksionit të përbashkët të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit, të koduar me emrin "Butrinti". Ky është vazhdim i të njëjtit operacion të një viti më parë me të njëjtin emër, i cili goditi një grup kriminal që trafikonte klandestinë në Greqi me ndihmën e punonjësve të policisë. I vetmi që ka mundur të shpëtojë nga burgu, ka qenë Pëllumb Guri, për shkak se është i sëmurë dhe për shkak të paralizës qëndron në karrocë. Mirëpo kjo gjë, duket se nuk e ka penguar atë që përmes telefonit dhe njohjeve të tij të organizojë mbledhjen e klandestinëve dhe më pas nisjen e tyre drejt Greqisë.
Trafiku i klandestinëve
Të gjithë personat e arrestuar nga policia me vendim gjykate, akuzohen nga Prokuroria për trafikim dhe kontrabandim të personave dhe klandestinëve në drejtim të Greqisë kundrejt shumave, që varionin nga 1 000-1 500 euro. E gjithë kjo veprimtari është kryer në bashkëpunim nga personat e arrestuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Gjatë veprimtarisë së tyre kriminale, të arrestuarit akuzohen se kanë mbledhur grupe klandestinësh në Tiranë, Lushnjë, Sarandë, Korçë e Vlorë, dhe më pas i kanë dërguar për në zonën e Konispolit në Sarandë. Në këtë drejtim sipas burimeve të policisë, ishte kanalizuar kalimi i klandestinëve që duhej të lëviznin në drejtim të Greqisë e më pas shpërndaheshin sipas destinacioneve përkatëse ku donin të arrinin. Resul Çela ishte personi kryesor që drejtonte klandestinët në terren, duke marrë edhe udhëzimet përkatëse nga i paralizuari Pëllumb Guri, i cili drejtonte veprimtarinë nga karroca përmes bisedave në celular. Irfan Dalipaj grumbullonte klandestinët në Tiranë dhe Nino Tushe në Gjirokastër. Nga prilli i këtij viti të arrestuarit kanë mundur të organizojnë pesë grupe, me një numër total prej 72 personash. Të gjithë grupet që prej 5 prillit kanë dështuar të kalojnë në kufirin grek, pasi janë kapur nga policia duke qenë se organizatorët vëzhgoheshin nga hetuesit e policisë dhe të prokurorisë nëpërmjet përgjimeve telefonike dhe ambientale. Të gjithë personat e kapur në këto grupe dhe që kishin qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të drejtuar nga të arrestuarit e djeshëm, janë bllokuar dhe proceduar penalisht.

Fier, krerët e grupit
ishin në survejim

FIER - Survejimi që zhvillohej prej disa kohësh ka bërë që uniformat e komisariatit të Fierit të ndihmuara edhe nga informacionet e kolegëve të tyre në Lushnjë, të zbulojnë dy shtetasit e implikuar në një rrjet trafiku klandestinësh. Grupi në fjalë arrinte të siguronte dhe më pas transportonte për në vendet fqinje, qytetarë të moshave të ndryshme kundrejt shpërblimeve të konsiderueshme në lekë. Resul Çela 42 vjeç, banues në Lushnjë dhe Pëllumb Guri, 35 vjeç po nga ky qytet, kanë rënë në prangat e policisë pasi rezultojnë se janë të implikuar dhe pjese e rrjetit që trafikonte klandestinë, përmes zonës kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë në Sarandë.

Të arrestuarit

• Pëllumb Guri 35 vjeç, Lushnjë

• Resul Çela 42 vjeç, Lushnjë

• Bardhi Proda 38 vjeç, Sarandë

• Irfan Dalipaj 47 vjeç, Berat

• Nino Tushe 38 vjeç, Gjirokastër

Linjat e trafikut

Tiranë-Elbasan-Korçë

Tiranë-Fier-Gjirokastër

Tiranë-Fier-Vlorë-Sarandë

5 prill-30 maj

• Pesë grupe me klandestinë

• 72 persona gjithsej

• 2 mijë euro pagesa për secilin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›