Përgjimi, kërkohet dëshmia e Dondollakut
• Një eksponent i ekspozuar në përgjimet që Antimafia italiane ka bërë ndaj anë-tarëve të “Bandës së Lushnjës”, i ka shpëtuar pak ditë më parë arrestimit të policisë.Trazhgim Sokolaj Dosja e Prokurorisë së Antimafies italiane është përkthyer dhe regjistruar në Prokurorinë shqiptare, ndërsa policia ka filluar veprimet hetimore. Njëri prej personazheve që rezulton në përgjime, i cili sipas të dhënave operative ndodhej në Shqipëri, i ka shpëtuar arrestimit në momentin e fundit. Gjithçka duket se ka ndodhur si pasojë e një vonese, ndërsa burimet e Prokurorisë përjashtojnë mundësinë e rrjedhjes së informacionit. Policia kishte disa ditë që ishte vënë në ndjekje të personit të dyshuar në të paktën dy qytete, mirëpo organet e rendit nuk kishin autorizim për ndalimin e tij. Autorizimi ka ardhur me vonesë, policia ka vepruar në vendqëndrimin e të dyshuarit, por i dyshuari për trafiqe të paligjshme nuk është gjetur aty. Personazhi në fjalë, sipas burimeve hetimore, rezulton se është përmendur në përgjimet e anëtarëve të Bandës së Lushnjës, por ende nuk mund të thuhet nëse ka vepruar bashkërisht me ta. Në kuadër të hetimeve për dosjen e përgjimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dëshminë e personazhit të cilësuar si numri dy i “Bandës së Lushnjës”, Enver Dondollaku. Ai mbahet në gjendje arresti në Itali, ndërsa Prokuroria ka kërkuar në Gjykatë ekzekutimin e një letër-porosie drejtuar autoriteteve italiane. Atyre u kërkohet se Dondollaku të merret në pyetje për llogari të Prokurorisë shqiptare lidhur me bisedat telefonike që ka zhvilluar me Alfred Shkurtin, i njohur si Aldo Bare. Dy ditë më parë, gjykata ka miratuar ekzekutimin e letër-porosisë, ndërsa dokumentacioni është nisur në drejtim të Italisë.Përgjimet italianeProkuroria e Antimafies në Itali ka zhvilluar përgjime telefonike ndaj të dyshuarve si anëtarë të “Bandës së Lushnjës”, pasi ata u implikuan në trafikimin e dyshuar të drogës drejt Italisë. Atje u vendos Enver Dondollaku, i cili akuzohet se ka vepruar për llogari të Alfred Shkurtit, me të cilin komunikonte rregullisht në telefon lidhur me aktivitetin kriminal. Është e paqartë nëse përgjimet janë realizuar nga telefoni i Dondollakut apo dy personazhet e bandës kanë qenë në përgjim, por hetuesit italianë kanë zbardhur bisedat që gjithë të dyshuarit e tjerë kanë bërë me Baren e Dondollakun. Mes këtyre telefonatave të përgjuara është interceptuar edhe personazhi që pak ditë më parë i ka shpëtuar arrestimit nga policia shqiptare. Përgjimet kryesisht flasin për episode të ndryshme të trafikimit të drogës në drejtim të Italisë. Megjithatë autoritetet italiane gjatë interceptimit të telefonatave të personave të dyshuar si anëtarë të “Bandës së Lushnjës”, kanë arritur të mësojnë të dhëna me interes për hetimin e aktivitetit financiar të Aldo Bares. Dhjetëra fashikuj të policisë italiane, transkriptime të bisedave të përgjuara flasin për përpjekjet e ngritjes së bizneseve dhe pajisjes me licencat përkatëse nga Alfred Shkurti dhe personat e konsideruar nga drejtësia si bashkëpunëtorë të tij. Personi kryesor në përgjime është Aldo Bare, i cili ndodhet i arrestuar në Turqi. Ai rezulton të ketë kryer telefonata të shumta nga Turqia, Rumania dhe Maqedonia me Enver Dondollakun, i cili është personi i dytë pas Aldo Bares në numrin e telefonatave të përgjuara. Pikërisht për këtë shkak, Prokuroria shqiptare ka kërkuar nga gjykata miratimin e letër-porosisë për të marrë në pyetje Enver Dondollakun. Ai ndodhet i arrestuar pasi u kap në Padova nga policia italiane, ndërsa u dënua me 16 vjet burg nga Gjykata e Milanos për disa akuza. Dondollaku, njeriu u Bares në ItaliEnver Dondollaku, i cilësuar si bashkëpunëtor i ngushtë i Aldo Bares edhe gjatë aktivitetit të tij në Shqipëri, sipas përgjimeve dhe hetimeve të Antimafies italiane ishte vendosur në Romë dhe merrte vazhdimisht në telefon udhëzime nga Alfred Shkurti për drogën që nisej nga Shqipëria. Dhjetëra telefonata ndërkombëtare që flisnin për hollësi të aktivitetit kriminal, janë përgjuar nga Antimafia italiane gjatë bisedave telefonike mes Bares dhe Dondollakut. Bare në Turqi, Dondollaku në ItaliTIRANE - Enver Dondollaku aktualisht ndodhet në procedurat e mbajtjes në qelitë italiane, pasi Gjykata e Milanos e dënoi me 200 muaj burg. Është përfolur disa herë nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë mundësia e ekstradimit të përkohshëm të Dondollakut në Shqipëri, mirëpo deri më tani nuk është bërë asnjë veprim dhe nuk ka asnjë sinjal konkret. E njëjta situatë po ndodh edhe me Aldo Baren, i cili mbahet i arrestuar në Turqi. Gjykata e Shkallës së Parë në Ankara dhe ajo e Apelit kanë shqyrtuar dy herë radhazi kërkesën për ekstradimin e Bares në Tiranë, mirëpo ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Në rastin e Turqisë duket se çështja është politike, pasi miratimin përfundimtar duhet ta japë Qeveria, sipas ligjeve të brendshme, ndërsa avokati i Aldo Bares ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj klientit të tij si dhe ka kërkuar strehim politik, duke thënë se i akuzuari si drejtues i Bandës së Durrësit ndodhet në konflikt me Qeverinë shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar se kanë bërë përpjekjet maksimale dhe se procedurat e kërkesave për ekstradime kanë qenë të rregullta e ligjore, mirëpo ende nuk ka asnjë sinjal konkret për ekstradimin e të arrestuarve VIP.