Rikthehet i ftohti, bora bllokon rrugët në juglindje
• Rikthehet dëbora në juglindje të vendit.KORÇE/ JORGJETA GJANÇIPak orë i ftohtë kanë bërë që trashësia e saj të arrijë nga 10 deri në 50 cm në Qarkun e Korçës, duke vënë në vështirësi qarkullimin në rrugët nacionale. Temperatura gjatë mesnatës dhe mëngjesin e djeshëm ka zbritur deri në minus 6 gradë dhe vetëm në mëngjes qyteti dhe zonat e tjera përreth janë gdhirë të mbuluara nga bora. Sipas përgjegjësit të zyrës së emergjencës në Prefekturën e Korçës, Dhori Çekrezi, që në orën 02:00 nisi puna për të mos u shkaktuar probleme në rrugë prej dëborës. Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve në Korçë u ngritën në alarm dhe me mjetet e rënda dhe dhjetë borëpastrueset që disponojnë filluan të hapin akset rrugore që lidhin qytetet dhe zonat rurale. Mjetet pastruese punuan derisa zbardhi dita dhe dëbora u hoq nga akset rrugore Korçë–Pogradec, Korçë-Kolonjë, Korçë-Bilisht–Kapshticë, etj. Megjithatë deri në ora 11:00 rrugët ishin të kalueshme vetëm me zinxhirë. Ndonëse në mesditë mund të kalohej pa zinxhirë, pasdite situata u përkeqësua, pasi dëbora e mbetjet e saj në asfalt ngrinë duke e bërë edhe më të rrezikshëm kalimin e mjeteve. Deri në mesditë u shënuan 12 raste të rrëshqitjes së mjeteve, por fatmirësisht nuk kishte pasoja të rënda për drejtuesit dhe pasagjerët e tyre. Gjatë ditës së djeshme është punuar dhe për hapjen e rrugëve që lidhin Korçën me zonën e Lozhanit e të Moglicës, me zonën e Liqenasit, me Vithkuqin, Voskopojën e me atë të Kamenicës dhe për zhbllokimin e rrugës së Dardhës. Sipas të dhënave të stacionit meteorologjik të forcave të aviacionit mësohet se ndryshimi i motit brenda disa orëve u kushtëzua nga mbërritja e frontit të ftohtë. Si rezultat i erërave të forta ka pasur dëme në bujqësi, në çatitë e objekteve të ndryshme, ndërkohë që nga filiali elektrik i KESH-it bëhet e ditur se gjatë ditëve të fundit janë shkaktuar mjaft këputje telash dhe defekte të ndryshme të sistemit elektrik. Njëherësh informohet nga ky filial se ndërhyrja nga brigadat e gatishmërisë ka qenë e menjëhershme dhe janë rregulluar në kohë sa më të shkurtër defektet, duke siguruar kështu furnizimin sa më të shpejtë të popullsisë me energji elektrike. Vetëm nga mesi i javës së ardhshme pritet që temperaturat të ngrihen dhe të normalizohet situata në rrugë e në zonat e thella që kanë shfaqur probleme.