E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrjet për dhunë, tre emrat e opozitës që priten të pyeten

26/01/2011  Sekuestrohet fletë-palosje të PS. Prokuroria, verifikim Ngjelës, Ruçit e Gjinushit

TIRANE- Demonstrata e dhunshme e organizuar nga eksponentë të PS-së dhe partive të tjera opozitare, ka sjellë hetimin të organizatorëve, nxitësve të dhunës, si dhe të personave që u kanë bërë thirrje publike popullit për veprime të dhunshme. Duke ju referuar nenit 223 të Kodit Penal, pritet që në ditët në vazhdim Prokuroria e Tiranës tu dërgojë fletë-thirrje, Spartak Ngjelës, Gramoz Ruçit, si dhe Skëndër Gjinushit, pasi ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se këta tre emra në disa dalje publike kanë bërë deklarata, duke e nxitur popullin për dhunë kundër rendit kushtetues. Burime pranë akuzës kryeqytetase thanë se lidhur me hetimin për akuzën e parashikuar nga neni 223, kanë filluar hetimet dhe se një grup hetimor është duke kryer verifikime, për dokumentimin dhe administrimin në dosje të këtyre thirrjeve që dyshohet se janë kryer nga personat e lartpërmendur. Gjithashtu akuza ka urdhëruar sekuestrimin e ftesave dhe fletë-palosje të PS. Ndërkohë për sa i përket thirrjes për të dëshmuar të deputetit të PS, Tom Doshi, burimet sqaruan se ai nuk është paraqitur dje në Prokurori. Ndërsa për sa i përket deputetit tjetër Paulin Stërkaj, ky i fundit nuk dihet me saktësi se kur do shprehë vullnetin e tij për tu marrë në pyetje nga Prokuroria e kryeqytetit. Mendohet se shkak i mosparaqitjes së Doshit ka qenë mbledhja e tryezës së partive opozitare, ku u diskutua për vazhdimin ose jo të demonstratave të opozitës. Lidhur me këtë çështje aktualisht grupi i hetimit është duke administruar, të gjitha pamjet filmike, të kamerave të Kryeministrisë, të policisë, por dhe të televizioneve që kanë transmetuar përgjatë pasdites së 21 janarit. “Të gjitha pamjet filmike, por edhe informacionet e servirura nga policia, do administrohen në dosje, ku më pas pritet analizimi i tyre”,-thanë burimet pranë akuzës së Tiranës. Ato shtuan se hetimi i kësaj ngjarjeje do jetë gjithëpërfshirës dhe se do fillojë kryerjen e procedurave penale tek organizatorët “de juro”, por dhe “de fakto” të demonstratës së dhunshme të opozitës shqiptare. Burimet thanë se hetimi nuk do shtrihet vetëm tek emrat e sipërcituar, por edhe tek personat që kanë drejtuar turmën e njerëzve gjatë demonstratës së dhunshme. Lidhur më këtë çështje, prokurorët e Tiranës shprehen se do i shkojnë deri në fund dhe se do kryejnë një hetim gjithëpërfshirës të situatës.

Pjerin Ndreu në pyetje

Ish-drejtori i përgjithshëm i policisë, aktualisht kryetari i PS në degën e Tiranës Pjerin Ndreu do të thirren në Prokurori për të dëshmuar lidhur me organizimin, drejtimin dhe menaxhimin e demonstratës së dhunshme. Ndreu është fiksuar nga kamerat e policisë në mesin e turmës, si dhe në përplasjen e saj me Policinë e Shtetit. Prokurorët sqaruan se pyetja e Ndreut pritet të kryhet brenda kësaj jave, ndërkohë që ai do pyetet fillimisht në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen e 21 janarit, ku humbën jetën 3 persona dhe mbi 50 të tjerë u plagosën më armë zjarri dhe mjete të forta. Pjerin Ndreu do i japë përgjigje dhjetëra pyetje të grupit hetimor, që aktualisht ka filluar formulimin dhe vënien në karrigen e dëshmitarit të personave që organizuan dhe drejtuan demonstratën e dhunshme përpara Kryeministrisë së vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›