E Diel, 1 Nëntor 2026

Flakët e zjarrit nuk kursejnë as Apoloninë e lashtë

Drejtori i parkut arkeologjik, Marin Haxhimihali: vënia e zjarrit në këtë zonë ka qenë e qëllimshme

FIER Edhe në muajin shtator nuk reshtin zjarret. Këtë radhë epiqendra e një zjarri të fuqishëm ka qenë parku arkeologjik kombëtar ‘Apolonia’. Flakët janë diktuar në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, në një pjesë të luginës në afërsi të disa shtëpive, luginë e cila lidh vargun e kodrave ku shtrihet Apolonia e lashtë. Flakët të ndihmuara edhe nga era e fuqishme janë përhapur me shpejtësi përgjatë gjithë kodrës në drejtim të qendrës monumentale. Zjarri është diktuar rreth orës 05.30 nga specialisti i parkut arkeologjik, Arjan Dimo. Ky i fundit ka njoftuar më pas edhe forcat e rendit dhe ato zjarrfikëse. Ndërkohë që punonjësit dhe specialistët e parkut me mjetet fikse të zjarrit kanë arritur të neutralizojnë flakët që kanë rrezikuar deri dhe një pjesë të monumenteve të kulturës. Në vendngjarje kanë shkuar mjetet zjarrfikëse. Më e rrezikuar ka qenë qendra e Temenosit, si dhe zbulime të tjera në agoranë e qytetit. Mjetet zjarrfikëse nuk kanë arritur të shkojnë në një pjesë kodre, për shkak të terrenit të thyer. Pas disa orë përpjekjesh vatra të shumta zjarri janë shuar, ndërsa zjarrfikësit kanë vijuar deri në mesditë të luftojnë për të shuar gjithë hapësirën e përfshirë në flakë. Dhjetëra ha të kodrës ku shtrihet qyteti antik janë shkrumbuar. Sipërfaqja e djegur shkon në rreth 60 ha. Nuk dihen shkaqet e rënies së këtij zjarri. I kontaktuar, drejtori i zyrës së parkut arkeologjik, Marin Haxhimihali, është shprehur se “në një kohë kur për tre muajt e stinës së verës Apolonia u ruajt nga zjarri, pikërisht në ditën kur pritej të fillonin shirat, parkut iu vu flaka. Kjo është e qëllimshme, sipas opinionit tim, dhe organet e drejtësisë duhet të bëjnë të pamundurën për të gjetur shkaqet dhe autorët e kësaj zjarrvënieje. Fatmirësisht ka qenë ndërhyrja e specialistëve të parkut dhe veçanërisht e Arjan Dimos, që me fikset e zjarrit, të cilat ne i kemi blerë dhe kemi marrë edhe vërejtje për shkelje financiare, arriti të mbante larg qendrës monumentale flakët që mund të shkatërronin këtë qendër. Policia nga ana e saj ka nisur hetimet, pasi po punohet në pistën e zjarrëvënies me qëllim. Por deklaratë zyrtare për shkakun e rënies së këtij zjarri masiv nuk ka. Edhe vitin e kaluar në këtë pjesë kodre ra një zjarr masiv, ndërsa nuk u zbuluan autorët dhe shkaqet e rënies së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›