E Shtunë, 31 Tetor 2026

Isaraj: “Duhet një projektligj i ri”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Tre projektligjet vendosin kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë, por përveç konsideratave subjektive të luftës politike, asnjëri prej tyre, nuk arrin në relacionet shoqëruese të shpjegojë dhe argumentojë interesin e sotëm të publikut”

Socialistët duket se nuk janë të kënaqur me asnjë prej projektligjeve të dorëzuara në Kuvend lidhur me hapjen e dosjeve. Kritika të ashpra kanë marrë jo vetëm draftet e propozuara nga Partia Demokratike dhe Partia Demokrtistiane, por dhe ai i propozuar nga vetë Partia Socialiste. Anëtari socialist i Komisionit të Ligjeve, njëkohësisht i zgjedhuri si relator për këto projektligje, Arben Isaraj, bëri dje një analizë të gjatë nëpërmjet së cilës kërkoi që të tre projektligjet të tërhiqen, sepse kanë shkelur 25 nene të Kushtetutës. Madje, ai ka sqaruar për gazetën se sot do të diskutohet me relatorin demokrat për këtë çështje. Por për të, zgjidhja më e mirë është paraqitja e një projektligji të ri. Megjithatë, duket se alternativa e pritshme do të jetë diskutimi i sotëm mes dy relatorëve që do të vendosë për hapat e mëtejshëm lidhur me këto projektligje.
Kritikat
Isaraj ka kritikuar ashpër tre draftet e diskutuara dje në Komisionin e Ligjeve. Sipas tij, në bazë të paragrafit 2, pika 3, neni 69 i Rregullores së Kuvendit, ku thuhet se “Projektligjet e paraqitura nga deputetët vihen në rendin e ditës të seancës plenare jo më vonë se 8 javë (pra 2 muaj) nga data e paraqitjes së projektligjit”, të tre nismat janë jashtë afatit për t u shqyrtuar nga Kuvendi. Madje, ai pohoi se projektligji i PDK-së nuk ka as mbështetje ligjore. Një tjetër problem, sipas tij, përbën qëllimi i këtyre projektligjeve, të cilat dalin krejtësisht jashtë objektit, veçanërisht ai i PD-së dhe PDK-së. Isaraj theksoi se qëllimi i ligjit duhej të plotësonte disa kërkesa të përsëritura të shoqërisë shqiptare si dhe të përputhej e pajtohej me të drejtën për informim të sanksionuar në nenin 23 të Kushtetutës së Shqipërisë. Në këtë frymë, sipas tij, ligji pritej të rregullonte aksesin e shtetasve shqiptarë, për njohjen e disa të dhënave) mbi personat të nxjerra nga dokumentet shtetërore apo dosjet e ish- Sigurimit të Shtetit, si dhe të drejtën për të ditur identitetin e agjentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. “Por, duke parë brendinë e projektligjeve vërejmë me lehtësi, se propozuesi nuk ka ndjekur thjesht qëllimin e bërjes publike të disa të dhënave të ish-Sigurimit të Shtetit. Ai ka nxitur dhe përgjegjësinë politike, ligjore dhe morale të individëve që kanë marrë pjesë në veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit, duke synuar largimin e tyre nga funksionet që mbajnë si dhe parandalimin e tyre në kandidimin për zgjedhje apo emërim në këto funksione”, - tha deputeti socialist. Një tjetër shkelje, sipas Isarajt, është fakti se statusi ligjor i komisionit të verifikimit, është në papajtueshmëri me Kushtetutën. “Thelbi i antikushtetueshmërisë së projektligjeve të paraqitura, qëndron tek ato nene të propozuara, nëpërmjet të cilave komisionit të verifikimit i atribuohen kompetenca të tjera, veç atyre që lidhen me ruajtjen dhe vënien në dispozicion të publikut të informacionit personal ose publik, vjelë nga veprimtaria e ish-Sigurimit të Shtetit dhe që ruhet në arkivat shtetërore”, - tha ai. Deputeti i PS-së theksoi më tej se të tre projektligjet vendosin kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë, por përveç konsideratave subjektive të luftës politike, asnjëri prej tyre, nuk arrin në relacionet shoqëruese të shpjegojë dhe argumentojë interesin e sotëm të publikut, që passjell kufizimet e të drejtave dhe lirive, mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve (shumicës), si pasojë e kufizimeve të të drejtave apo rrezikun real se një pakicë mund t i përdorë të drejtat dhe liritë e saj, në dëm të të drejtave dhe lirive të shumicës. Duke analizuar gjerësisht këto fakte, Isaraj propozoi tërheqjen e të tre projektligjeve.

Ky lajm është publikuar: 08/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›