E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ligjeve mënjanon draftin e Biberajt

Autori i Lajmit: red.
Diskutimi për projektligjet e paraqitura për publikimin e dosjeve të ish-sigurimsave ka provokuar debate të forta dje në Komisionin Kuvendor të Ligjeve. Projektligji i paraqitur nga deputeti Aleksandër Biberaj është shpërfilluar nga kreu i këtij Komisioni, Fatos Beja, dhe është lënë jashtë axhendës së diskutimit. Biberaj kërkoi shqyrtim të draftit të paraqitur prej tij pak ditë më parë, por kreu i Komisionit të Ligjeve deklaroi se Kuvendi do të shqyrtojë vetëm projektligjet e paraqitura nga grupet parlamentare. “Unë kam paraqitur variantin integral për të tre projektligjet”, - tha Biberaj. Por Beja e ka kundërshtuar duke pohuar se nuk ka ardhur një projektligj i tillë. “Nuk na ka ardhur projektligji juaj nga ndonjë grup parlamentar. Në Komision do të shqyrtohen vetëm draftet e grupeve dhe jo të deputetëve”, - iu përgjigj Beja pretendimeve të ngritura nga deputeti Biberaj. Ai shtoi më tej se Komisioni i Ligjeve mund të marrë në shqyrtim një për një çdo nismë, por ky, për momentin, do të diskutojë 3 projektligjet e dorëzuara prej kohësh në këtë komision. Beja ka kundërshtuar më tej dhe qëndrimin e deputetit socialist Elmaz Sherifi, i cili pohoi se, sipas mediave, shumica në Kuvend janë ish-bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. “Nuk jam dakord me deklaratat se shumica në Parlament janë ish-sigurimsa. Nuk bëhet fjalë për faje individuale, por për një komision administriv”, - tha Beja. Ai shtoi më tej se të tre projektligjet synojnë dënimin e krimeve të komunizmit ashtu siç janë denoncuar dhe goditur krimet e nazizmit. Gjithashtu Beja ka ftuar të dy relatorët, Aldo Bumçi dhe Arben Isaraj, që të diskutojnë bashkarisht ose të diskutojnë me grupet parlamentare përkatëse dhe në mbledhjen e ardhshme të komisionit të diskutohet në lidhje me procedurën dhe mënyrën se si do të shkohet me një raport dhe me një produkt konkret në Parlament. Debatet u përqendruan në 3 dosjet me projektligje të tre subjekteve politike, PD, PS e PDK, të cilat duhet të diskutoheshin në Komision.

Ky lajm është publikuar: 08/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›