E Diel, 1 Nëntor 2026

"Peripecitë e integrimit në NATO"

Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, i cili vizitoi ditët e fundit Shqipërinë, ka rrëfyer në "Top Story", përballë gazetarit Sokol Balla peripecitë e integrimit në NATO, debatin dhe konfliktin me Kroacinë dhe nëse Shqipëria po paguan kosto për këtë. Po ashtu, Presidenti slloven ka treguar përse nuk e ka firmosur ende dekretin e ratifikimit të protokollit të NATO-s për Shqipërinë, ka shprehur opinionin e tij për konflikti Maqedoni-Greqi mbi çështjen e emrit etj.

Sot është data 19 shkurt, data e juaj e lindjes. Përfitoj nga rasti t‘ju uroj Gëzuar ditëlindjen!

Ju falënderoj shumë.

Duhet t‘ju bënim ne një dhuratë, por aktualisht ju na sollët një dhuratë tek ne, duke firmosur protokollin e anëtarësimit në NATO për Shqipërinë...

Në njëfarë mënyre, po. Unë e kam firmosur këtë protokoll disa ditë më parë dhe kjo do të publikohet së shpejti. Kështu që procesi i ratifikimit ka mbaruar dhe kjo është një dhuratë. Gjithashtu, edhe një kënaqësi për mua, sepse kam një traditë që e festoj ditëlindjen time në punë.

Për opinionin publik shqiptar nuk është ende shumë e qartë arsyeja pse ju nuk e firmosët protokollin e anëtarësimit për në NATO të Shqipërisë menjëherë, por patët një stepje. Mos vallë, kjo ka lidhje me çështjen e Kroacisë apo patët ndonjë arsye tjetër?

Jo, kjo ishte një procedurë e rregullt. Ju duhet të kuptoni që duhen disa ditë kohë. Në këtë situatë që jemi, ku ka shumë debate, njerëzit mundohen të shikojnë përtej kësaj, duke bërë analiza dhe gjetur detaje. Në rrethana të tilla, kjo ka tërhequr vëmendjen, por secili duhet të kuptojë që do të duhet edhe një javë para se të publikohet.

Për çështjen e Kroacisë, ka ende ndonjë mundësi për referendum?

Mendoj se do të gjendet një mënyrë që të evitohet. Ende jemi në bisedime. Kjo është një iniciativë që vjen nga shoqëria civile. Parlamenti është shprehur në favor të Kroacisë si antare e NATO-s. Kjo pjesë e procedurës ka përfunduar, por ka ende debate. Shoqëria civile ka të drejtë të iniciojë një referendum dhe kjo vonon procedurën e firmosjes për Kroacinë.

Kjo vonon procedurën vetëm për Kroacinë dhe nuk e prek Shqipërinë, apo jo?

Jo. Këtu kemi të bëjmë me dy vendime të ndryshme ligjore, pa lidhje midis tyre, janë dy rrugë të ndryshme.

Për Shqipërinë është diçka shumë e rëndësishme që ju ishit vendi i fundit që firmosët dhe që ia hapët dyert për në NATO. Ǒdo të thotë kjo për Shqipërinë?

Për Shqipërinë, sigurisht ky është një fillim i ri, do të thoja njohje për rolin e konsoliduar dhe maturinë që Shqipëria ka treguar në problemet e Ballkanit e të Evropës më gjerë. Shqipëria, në këtë aspekt, është një aktor shumë kostruktiv.

Sllovenia mbështet Shqipërinë, apo në tërësi të gjitha vendet e Evropës Lindore, për anëtarësim në BE?

Absolutisht, ne besojmë që anëtarësimi në BE është nevojë për çdo vend nga pikëpamja ekonomike, politike dhe strategjike. Tani, në periudhën e krizës ekonomike, këto çështje nuk ngacmojnë mjaftueshëm nivelin e vëmendjes ndërkombëtare apo të publikut, por nuk ka asnjanësime. Sllovenia është pro gjithëpërfshirjes.

Shqipërisë i është premtuar që më 2009, para ose pas zgjedhjeve, do të arrihet liberalizimi i vizave. Dimë që ju e keni mbështetur këtë, e keni shprehur dhe dje, gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi. A mendoni se do të ndodhë liberalizimi i vizave?

Shpresoj. Nuk mund të jem dhe shumë i sigurt, pasi liberalizimi i vizave nuk varet nga Sllovenia, por ka shumë vende, përfshirë edhe Slloveninë, që e mbështesin këtë. Ka shanse të mira në këtë aspekt.

Thatë që Evropa do të hapë kufijtë, sidomos për juglindjen e saj dhe Ballkanin Perëndimor. Për momentin, Presidencën e kanë çekët, kemi Presidentin Klaus dhe qëndrimet e tij publike për çështjen e zgjerimit...

Kam vizituar Pragën në dhjetor dhe kam pasur një takim të gjatë me Presidentin Klaus. Do të thoja që disa herë shfaqjet e tij publike kanë bërë që të duket me origjinal dhe antik, e i ndryshëm nga zhargoni i BE-së. Nuk mendoj se ai është më euroskeptik sesa duhet. Ai është në favor të zgjerimit dhe të kuptimit të sistemit evropian e të Bashkimit Evropian, si një shtet solid. Ndonjëherë kjo krijon edhe përplasje e keqkuptime, por mendoj se në përgjithësi gjithçka është ‘ok‘.

Keni vizituar para dy ditësh Maqedoninë. Tashmë dihen problemet e saj me Greqinë, për shkak të çështjes së emrit, probleme që ndalën anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO. Cili ishte perceptimi juaj për Maqedoninë, pasi ka shumë raporte kontradiktore?

Para së gjithash, unë kam një mendim timin, se niveli i stabilitetit etnik në Maqedoni është përmirësuar. Eshtë arritur progres dhe partitë e bazuara në elementë etnikë jane duke bashkëpunuar normalisht, veçanërisht në procese pluraliste. Por nuk duhet të gënjejmë veten, pasi problemi i emrit duhet të zgjidhet, duhet të gjendet një kompromis. Mësova që deri tani nuk ka një vullnet të plotë që të pranohet kompromisi. Dua t‘u bëj një thirrje partive në Maqedoni, por edhe në Greqi, që të mendojnë seriozisht për këtë problem dhe të gjejnë kompromis këtë vit.

Ju e vizitoni Shqipërinë një vit pasi Kosova u shpall e pavarur. Sllovenia ishte në grupin e parë të vendeve që u angazhua në mbështetje të plotë për pavaresinë. Ende në këtë vend ka probleme jo vetëm ekonomike, sociale apo politike, por më e rëndësishmja është çështja e sigurisë, sidomos në Veri. E shikoni të mundshme në afat të gjatë, gjetjen e një zgjidhjeje në këtë pikë, pra të sigurisë së Veriut të Kosovës?

Po. Koha tregoi se pavarësia e Kosovës ishte e nevojshme dhe faktor stabiliteti për Ballkanin. Duhet të kemi sensin e qartë të prioriteteve tani. Dhe prioriteti numër një dhe më i qartë është forcimi i institucioneve dhe vendosja e shtetit ligjor. Kosova duhet të përdorë disa strategji kyçe, ka nevojë për institucione të forta, me standarde të mira të respektimit të ligjit. Nëse kjo do të ndodhë, do të jetë më i lehtë integrimi i plotë në komunitetin ndërkombëtar.

Ju thoni që Sllovenia dhe Kroacia do ta arrijnë zgjidhjen për Gjirin e Pinarit?

Them se po. Kjo është një çështje që duhet të diskutohet. Ka disa mënyra të mira për zgjidhjen. Duhet të shikojmë përtej. Them që edhe Komisioni Evropian ka dhënë kontribut të rëndësishëm, duke propozuar njëfarë mediacioni dhe kjo është diçka e mirë dhe ndihmë.

Gjatë vizitës tuaj, takuat disa prej personaliteteve më të rëndësishëm të Shqipërisë. Ǒmund të na thoni për takimin tuaj me Presidentin Topi dhe Kryeministrin Berisha?

Takimet ishin shumë miqësorë dhe premtues. Në takimin me Presidentin Topi, të cilin e kam takuar shpeshherë dhe vura re që ndajmë me të edhe shumë mendime të përbashkëta në disa aspekte. Besoj se nga kjo vizitë dhe nga çdo takim me personalitetet që pata në Shqipëri arritëm një platformë të mirë për bashkëpunimin midis dy vendeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›