E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana e madhe, zgjerohet me 5 zona informale

Tirana do të zgjerohet zyrtarisht edhe me 5 zona informale që janë në pritje të legalizimit deri në vitin 2012. Një synim i tillë do të përmbushë ambicien e drejtuesve aktualë të bashkisë kryeqytetase për një Tiranë të madhe. E gjitha kjo do të jetë pjesë e një faze të dytë studimore të planit strategjik, pikërisht për Tiranën e madhe. Një lajm i tillë konfirmohet nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës. Tashmë ka nisur edhe puna për këtë fazë të dytë studimore, e cila është parashikuar që të përmbyllet brenda 2012-ës. Përfaqësuesit bashkiakë bëjnë të ditur se plani është i konceptuar mbi një sipërfaqe prej 400 km katrorë. Pjesë e kësaj hapësire do të jenë edhe pesë zonat informale që rrethojnë kryeqytetin dhe që janë në pritje të procesit të legalizimit. Hartimi i Planit Rregullues për Tiranën e Madhe do të ketë një kosto prej rreth 340 milionë dollarësh. Gjysma e fondeve mendohet të përballohet nga ana e qeverisë shqiptare. Ky studim ka marrë miratimin përmes votave që në vitin 2004 në KRRT-në e asaj kohe. Tashmë, ky dokument gjendet i depozituar që prej 2005-ës në sekretariatin e KRRTRSH-së së madhe.

Në hapësirën e studiuar prej 400 km bëjnë pjesë juridiksione administrative të qeverisjes vendore si: Bashkia Tiranë, Kamza, Vora, Komuna e Farkës, Vaqarri, Kashari, Berxulla, Zall Herri, Paskuqani, Preza dhe Dajti.

Ky plan strategjik për Tiranën e madhe është konceptuar që të kalojë përmes tri fazash. Faza e parë ka startuar që prej 2002-shit dhe ka vijuar deri një vit më parë në 2008-ën. Studimi në këtë fazë u përqendrua në korridorin midis autostradës dhe lumit të Tiranës, Kodër Kamzë, pjesa lindore e Yzberishtit, dhe kuadratin veriperëndimor të qendrës së Tiranës.

Ndërsa faza e dytë përfshin hapësirat kohore 2009-2012. Ajo mendohet që të përqendrohet në Kamzë, Paskuqan dhe Sauk. Faza e tretë, ose finalja, mendohet të zgjatet në kohë deri në periudhën 2013-2017. Studimi i saj mendohet se do të prekë zonat lindore të Bashkisë së Tiranës dhe zgjerimin e zonës së Yzberishtit.

Ndonëse deklaratat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, nuk kanë munguar në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor për përfshirjen edhe të komunave kufizuese të kryeqytetit me bashkinë mëmë, sërish deri tani nuk ka pasur ndonjë ndryshim të dukshëm. Fakti i vetëm që i lidh këto periferi me Tiranën janë ndërtimet e reja të pallateve shumëkatëshe tejet të diskutuara për prishjen e sistemit urbanistik të zgjerimit të kryeqytetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›