E Shtunë, 31 Tetor 2026

Periudha e errët mori fund

Sulmuesi i Liverpoolit, Andy Carroll thotë se periudha e errët tashmë është prapa tij dhe se është fokusuar që t’i arsyetojë 35 milionë funtet që i pagoi Liverpooli për të, kur e bleu në janar të vitit 2011 nga Newcastle.

Sulmuesi anglez i gëzoi tifozët në Anfield Road të shtunën, pasi shënoi golin vendimtar, për t’i dërguar Reds në finale të FA Cup, pas fitores ndaj Evertonit. Ai ia shtoi këtë gol, atij të shënuar në minutat e fundit ndaj Blackburnit, në fitoren që e kishte shënuar në fund të javës së kaluar.

23 vjeçari ishte bërë qendër e kritikave, teksa ish selektori i Anglisë, Fabio Capello, vitin e kaluar i kishte thënë atij që të konsumonte alkool më pak. Sidoqoftë, Carroll u ka thënë mediave britanike të martën se e ka ndryshuar mënyrën e jetesës.

“E kaluara ime është e shkuar. E ndryshova mënyrën e jetës, kur erdha në Liverpool dhe zbrita me këmbët në tokë. Po e shijoj jetën këtu. E kam lënë anash jetën e natës, ulem në shtëpi me të dashurën dhe e shikoj televizorin”, deklaroi Carroll.

Ai beson se sezonin e ardhshëm do të përmirësohet edhe më shumë. “Kam besim në veten. Nëse më jepet rasti, do të shënoj gola dhe do të përmirësohem. Këtë nuk do të mund ta bëj, nëse qëndroj në bankinë dhe futem në lojë në 10 minutat e fundit. Ajo që e kërkoj është që të luaj nga fillimi. Kur nuk luan, të humb edhe besimi”, përfundoi Carroll.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›