Shkencëtarët britanikë zbulojnë “benzinën artificiale”
Sipas shkrimit të gazetës londineze “Daily mail”, shkencëtarët britanikë janë duke punuar në perfeksionimin e lëndës së re djegëse që kanë zhvilluar, e cila do të kushtojë më lirë dhe do të jetë ekologjike.
Në fakt, bëhet fjalë për karburantin e bazuar në hidrogjen, i cili me rastin e djegies nuk liron gazra të serrave, kurse në pompa do të gjendet për tri deri në pesë vjet, me çmim prej rreth 70 centë për një litër.
Provat e para në automjetet dhe motorët e tanishëm, pritet të bëhen viteve të ardhshme dhe nëse çdo gjë kalon si duhet, atëherë benzina e re për disa vite mund të gjendet edhe në tregun e gjerë.
“Në disa aspekte hidrogjeni është karburant i përsosur”, ka thënë profesori Stiven Benington, shkencëtar që udhëheq projektin.
“Disa thonë se kjo lëndë djegëse jep tri herë më shumë energji se sa benzina, kurse gjatë djegies prodhon vetëm ujë”, ka shtuar ai.
Energjia e hidrogjenit mund të shfrytëzohet me djegien e këtij gazi, ose përmes kombinimit të tij me oksigjenin në qelitë energjetike, të cilat prodhojnë energjinë elektrike. Megjithatë, metodat e tanishme të ruajtjes janë të shtrenjta dhe nuk janë tepër të sigurta, gjë që paraqet pengesë për përdorim të gjerë.
Për të tejkaluar këtë vështirësi, shkencëtarët nga laboratori “Radeford Eplton”, në afërsi të Oksfordit, kanë gjetur mënyrën që hidrogjeni i ngjeshur të paketohet në toptha të krijuar në bazë të materialit të hidrogjenit, të cilët në pompa mund të derdhet si likuid.
Me një rezervuar të plotë të “benzinës artificiale” mund të vozitet rreth 500 deri në 600 kilometra, që është pothuajse e njëjtë sikur me benzinën e vërtetë, derisa çmimi me gjithë taksa, do të ishte rreth 70 centë për litër.