E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova po e mban ‘gjallë’ Maqedoninë

Nga Express më 30 janar 2011 në ora 12:27

Qendra maqedonase e biznesit në Prishtinë si duket po e kryen me sukses misionin e saj, për tërheqjen e kompanive të Maqedonisë për të hyrë dhe investuar në tregun kosovar.

Kjo përfaqësi e cila është logjistikë për kompanitë nga Maqedonia dhe funksionon në kuadër të Qendrës për Zhvillimin e Sipërmarrjeve, është bërë për shkak se ky vend po paraqitet si një treg i madh dhe shumë atraktiv për bizneset e Maqedonisë.

Jovan Maxhovski, menaxher rajonal për Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, ka thënë se Shërbimet e kësaj qendre deri tani i shfrytëzojnë një numër i madh i kompanive.

Kosova importin më të madh të mallrave e ka nga Maqedonia, rreth një e katërta e importit të përgjithshëm, ndërsa Maqedonia eksportin më të madh e ka në Kosovë.

Shpesh është thënë se tregu i Kosovës ka mbajtur gjallë kompanitë maqedonase, jo vetëm në dyvjetorin e fundit, kur shpërtheu kriza globale, por që nga vitit 1999 e këtej.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Maqedonisë, nga janari deri në shtator të vitit të kaluar, Maqedonia ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 328 milionë euro, që shënon rritje të dukshme në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2009 kur është shënuar eksport në vlerë prej 206 milionë dollarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›