E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtimi, Islami: Mbledhja e grupit socialist të bëhet me praninë e mediave

Berisha bashkë me Fatos Nanon dhe Ilir Metën

(I përditësuar)-Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka përjashtuar sot Kastriot Islamin. Vendimi është marrë në mbledhjen e grupit, në të cilën është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Bëhet e ditur se katër deputetët e PS-së kanë votuar kundra përjashtimit të Islamit nga grupi, ndërsa dy të tjerë kanë abstenuar. Në një prononcim për mediat, Islami është shprehur:

Më ka vënë në dijeni Taulant Balla që më thotë se është diskutuar dhe është vendosur që kjo dhe të gjitha mbledhjet si kjo, do të bëhen me dyer të mbyllura. Kjo është ngjarje shumë speciale, e rrallë për politikën shqiptare, e pamundur për politikën e vendeve demokratike. Unë nuk e konsumoj qëndrimin tim në një sallë të mbyllur.

************

Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, ka kërkuar sot që mbledhja e grupit parlamentar të PS të bëhet në prani të mediave.

Në një prononcim para se të hynte në selinë rozë, Islami u shpreh se i ka kërkuar kreut të grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi, që mbledhja e sotme të bëhet me prezencën e mediave.

Pritet që në mbledhjen e sotme grupi parlamentar i PS-së të diskutojë dhe të vendosë në lidhje me përjashtimin e Islamit. Diskutimet dhe votimin për përjashtimin e Islamit do t`i drejtojë kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Në mbledhjen e  kryesisë, Ruçi u ngarkua që të thërriste deputetin Islami për të sqaruar mungesën e tij, në votimin për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, në seancë plenare. Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, pritet të mbahet sot në ora 13:00.

Ndërkohë që lideri i opozitës Edi Rama zhvilloi dje, takime me anëtarë të kryesisë së PS-së dhe me deputetë të ndryshëm, me të cilët ka diskutuar veç çështjeve organizative, edhe çështjen e përjashtimit të Islamit.

************

Berisha fton Kastriot Islamin që të bashkohet me PD

Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike – ashtu siç bën vazhdimisht ka komentuar mbi zhvillimet e fundit brenda opozitës. Këtë herë ai ka folur për Kastriot Islamin, për të cilin grupi parlamentar i Partisë Socialiste mund të marrë vendimin për përjashtimin e tij nga grupi.

Berisha, gjatë një ceremonie për promovimin e librit biografik për Enver Hoxhën të Blendi Fevziut, i ka bërë ftesë Islamit që ti bashkohet PD-së. Me doza sarkazme, Berisha është shprehur se në PD nuk bëhen përjashtime ndaj edhe i sugjeronte Islamit një gjë të tillë. Vetë Kastriot Islami në rrjetin social “Facebook” ka përgënjeshtruar një gjë të tillë.

Berisha edhe pse vazhdimisht është shprehur se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e opozitës, nuk lë rast ti shpëtojë pa komentuar zhvillimet brenda saj.

Në rastin e drejtimit të një sfide të kreut të PS-së Edi Rama për debat publik me të, Berisha reagojë duke thënë se nuk dëshironte pasi kështu do të ndikonte në kongresin e PS-së.

Berisha ka përdorur vazhdimisht divergjencat brenda radhëve të PS-së për ti kthyer ato në kapital politik për partinë e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›