Çregjistrimi, Braçe teston opinionin në Facebook
Çregjistrimi i Kastriot Islamit është bërë çështje që ka tërhequr vëmendjen e gjithë opinionit të gjerë, çka duket se e ka bërë më të vështirë vendimmarrjen e deputetëve socialistë. Ndaj, për të qartësuar qëndrimin që do të mbajë në mbledhjen e sotme të grupit, deputeti Erion Braçe ka testuar dje opinionin e qytetarëve të ndryshëm që i ka miq në faqen e tij në Facebook. “Ju kërkoj ndjesë që po ju pyes: Cili është mendimi juaj për çregjistrimin nga Grupi Parlamentar i PS-së i deputetit Kastriot Islami?”, - pyeste dje në rrjetin social Facebook Erion Braçe. Pyetje kjo që, për hir të së vërtetës, kishte hapur një debat të madh dhe ku shumica e bashkëbiseduesve shpreheshin pro çregjistrimit të Islamit. Ndërkohë që binin në sy qëndrimi kundërshtues ndaj këtij çregjistrimi e ish-deputetes socialiste Rajmonda Stefa apo edhe disa degë të PS-së, përfshi këtu edhe atë të Ksamilit, të cilët e konsideronin këtë masë si të tepruar dhe për më tepër jo efektive në rregullimin e situatës në PS.