Berisha shtron darkë për Thaçin
TIRANË Menjëherë pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi ka udhëtuar dje drejt Tiranës. Megjithëse një vizitë private, Thaçi është pritur nga kryeministri Berisha, ku kanë diskutuar rolin në rritje të Kosovës në rajon. Gjatë takimit, Berisha shprehu kënaqësinë e veçantë që shteti më i ri i Europës, Republika e Kosovës, është shndërruar e po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një faktor real të paqes, stabilitetit e promovimit të bashkëpunimit e miqësisë në rajon. Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës e falenderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen e vazhdueshme e të jashtëzakonshme që ai dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha aspektet. Pas takimit, kryeministri Berisha shtroi një darkë për nder të kryeministrit Hashim Thaçi, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore.