E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtimi, Tahiri i PS padit Kuvendin në Kushtetuese

TIRANE- Deputeti i PS, Sajmir Tahiri i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese për shfuqizuar vendimin e Kuvendit për përjashtimin 15 ditë të tij dhe të 2 deputetëve të tjerë socialistë. Deputeti kërkon “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut të Vendimit nr. 10, Dt. 10.02.2011 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë .

Vendimi ndalon pjesëmarrjen në seancat plenare dhe komisionet e Kuvendit per 15 dite, si dhe heqjen e te drejtes se pagës për këtë periudhë për deputetët socialistë Sajmir Tahiri, Paulin Sterkaj, Armando Prenga .
Kjo është hera e parë që një deputet i Kuvendit kërkon shpalljen e antikushtetueshmërisë dhe shfuqizimin e një akti të vetë Kuvendit, dhe përbën precedent në praktikën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Sipas Tahirit në këtë procedimin disiplinor parlamentar “ nuk është respektuar as në formë e as në substancë e drejta themelore për një proces të rregullt ligjor siç parashikohet e garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”

Më pas Tahiri bën një rezyme të asaj cka ndodhi menjëheë pas seancës së 10 shkurtit, kur 7 deputetë të maxhorancës i dërguan Byrosë së Kuvendit
“Propozim për ndalim pjesëmarrje në seancat plenare dhe komisionet e Kuvendit” për vetë atë dhe katër deputetë të tjerë të opozitës, përkatësisht z. Paulin Sterkaj, z. Armando Prenga, z. Dashamir Peza dhe z. Taulant Balla.

Deputetët e maxhorancës argumentuan kërkesën e tyre duke pretenduar se këta deputetë të opozitës “në mënyrë të përsëritur dhe pas tërheqjes së vëmendjes së Kyretares së Kuvendit, kanë provokuar rrëmujë, kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës, kanë fyer dhe kërcënuar deputetë të tjerë dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, madje kanë shkuar deri tek vendi ku po fliste deputeti, kanë shkulur mikrofonin e tij dhe e kanë goditur fizikisht gjatë mbajtjes së fjalës”.
Po atë ditë Byroja shqyrtoi kërkesën e deputetëve të maxhorancës dhe vendosi përjashtimin nga pjesëmarrja në punimet e Komisioneve të Kuvendit dhe seancës plenare për një periudhë 15 ditore dhe sanksionimin financiar të ndalimit të pagës për 15 ditë për deputetët Saimir Tahiri, Paulin Sterkaj dhe Armando Prenga. Sipas Byrosë vendimi u mor për “përdorim të fjalëve fyese, provokim të rrëmujës në seancë plenare që pengon zhvillimin e saj, për pengimin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave për të marrë fjalën dhe diskutuar në seancë plenare, sikurse parashikohet në Nenin 80, pika 2 të Kushtetutës, për përdorimin e dhunës ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve e Këshillit të Ministrave dhe punonjësve të Shërbimit të Sigurisë së Kuvendit”. Byroja nuk mori vendim për dy deputetët e tjerë të PS.

Në vijim të këtij vendimi të Byrosë së Kuvendit, Tahiri informon Gjykatën Kushtetuese se së bashku me dy kolegët e tij është ndaluar të ushtrojë detyrën dhe funksionin tim kushtetues të deputetit të Kuvendit nëpërmjet pjesëmarrjes në seanca plenare dhe komisionet e Kuvendit për 15 ditë kalendarike. Gjithashtu i është ndaluar paga për të gjitha ditët e parashikuara në vendimin e Byrosë së Kuvendit.
Tahiri thotë se nuk është “njoftuar as për propozimin e shtatë deputetëve për marrjen e masës disiplinore, as për zhvillimin e mbledhjes së Byrosë së Kuvendit si dhe nuk janë thirrur për t’u dëgjuar e dhënë argumentat e tyre në lidhje me shkeljet e pretenduara, duke shkelur kështu çdo standart për respektimin e parimit kushtetues për një proces të rregullt ligjor. “
Sipas tij marrja e masës disiplinore dhe vendimi i Byrosë së Kuvendit është bërë i ditur fillimisht nga mediat e pastaj nga faqja zyrtare e internetit të Kuvendit si dhe nga zbardhja e vendimit të Byrosë dorëzuar në zyrën e Grupit Parlamentar të PS ditën e nesërme, dt. 11.02.2011.

Deputeti shton se të nesërmen ka kërkuar shpjegimet përkatëse pranë Byrosë së Kuvendit si autoritet disiplinor, por një gjë e tillë i është mohuar, gjithashtu nuk ka marrë as përgjigje zyrtare.

Deputeti socialist deklaron se vendimmarrja e Byrosë së Kuvendit ndaj 3 deputetëve socialistë është “pasojë dhe produkt konkret i një procedimi disiplinor quasi-gjyqësor” si dhe një proces ku nuk janë respektuar standardet e përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një proces të rregullt ligjor.
“Gjykoj se është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të marrë në shqyrtim këtë kërkesë duke shpallur antikushtetueshmërinë dhe shfuqizuar Vendimin Nr. 10, Dt. 10.02.2011 të Kuvendit të Shqipërisë duke imponuar njëkohësisht praktikën e respektimit në të ardhmen të standardeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor edhe në vendimmarrjen e brendshme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.”- thuhet në ankesën e dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›