E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekës, nis sot demontimi i kalibrave 75-175 mm

ELBASAN-  Në uzinën e lëndëve plasëse në mjekës të Elbasanit, do të përurohet sot linja e re e demontimit të municioneve të kalibrave të mëdhenj 75 deri 152 mm.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së zbatimit të projektit të NATO-s për ç’militarizimin e municioneve të tepërta shqiptare do të jenë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Alexander Arvizu, ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth si dhe ambasadorja e Gjermanisë, Carola Müller–Holtkemper. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Agjencisë së NATO-s, për demontimin e municioneve është miratuar në parim me vendim nr. 878, datë 03.11.2010 të Këshillit të Ministrave dhe është nënshkruar më 3 dhjetor të vitit të kaluar, nga zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia dhe drejtori i Prokurimeve të NAMSA-s, Patrik Feske. Ndërkohë që miratimi i saj në Parlament u bë seancën e kaluar plenare.

Projekti, siç parashikohet në marrëveshje do të zgjasë katër vjet dhe nëpërmjet tij planifikohet të shkatërrohen 76 000 ton rezerva municione të tepërta.

Përurimi i linjës së re të demontimit të municioneve të kalibrave të mëdhenj 75-152mm në uzinën e Mjekësit në Elbasan bëhet në prag të përvjetorit të tretë të tragjedisë së Gërdecit së 15 marsit 2008, ku si pasojë e një shpërthimi tragjik humbën jetën 26 persona, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u shkatërruan me mijëra banesa e biznese. 29 të pandehurit, mes tyre bosi i “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, dy prej njerëzve më të akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, gjykohen në gjëndje të lirë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›