E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtohet Fushë-Kosova

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të premten ka marrë vendim që skuadra e Ligës së parë, Fushë-Kosova të përjashtohet nga kjo ligë. Ky klub prej edicionit të ri do të garojë në Ligën e dytë, që në fakt i bie Liga e tretë, pas Superligës dhe Ligës së parë.

Ky komision e ka marrë këtë vendim, pasi më parë Komisioni i Garave i FFK-së kishte hapur procedurë disiplinore ndaj Fushë-Kosovës, e cila dyshohej ta ketë kurdisur ndeshjen ndaj Ulpianës, (0:2).

“Pas administrimit të provave dhe shkresave në lëndën e cekur është marrë vendim që Fushë-Kosova të largohet nga Liga e parë dhe në kampionatin 2010/2011 kjo skuadër do të garojë në Ligën e dytë të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të lëshuar për media nga FFK-ja.

Para se Komisioni Disiplinor ta merrte këtë vendim, Komisioni i Garave takimin e kishte regjistruar si të zhvilluar. Mirëpo, pikët e asaj ndeshjeje dhe golaverazhi nuk është regjistruar fare në tabelë.

Komisioni i Garave, duke u bazuar në faktet që kishte mbledhur, kishte konstatuar të ketë pasur parregullsi në ndeshjen Fushë-Kosova – Ulpiana.

“Bazuar në deklaratat e trajnerit të Fushë-Kosovës dhe disa lojtarëve të Fushë-Kosovës, të cilët kanë dëshmuar se pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes, në zhveshtore kanë hyrë disa anëtarë të Kryesisë dhe kryetari i Fushë-Kosovës dhe kanë kërcënuar se ndeshja duhet të fitohet nga Ulpiana. Gjithashtu, bazuar në incizimet televizive, janë vërejtur qëndrime statike të disa lojtarëve të Fushë-Kosovës gjatë pjesës së dytë”, thuhet në arsyetimin e Komisionit të Garave, në bazë të të cilit ky komision edhe ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Fushë-Kosovës.

Ndeshja Fushë-Kosova – Ulpiana ishte shumë domethënëse për lipjanasit, të cilëve u nevojitej gjithsesi fitorja në këtë ndeshje, për të shpresuar ende që të mbeten pjesë e Ligës së Parë. Ndërsa, Fushë-Kosovës nuk i nevojitej fitorja, kështu që ndeshja përfundoi 0:2 për lipjanasit.

Përndryshe, kjo është hera e parë në futbollin e pasluftës që vetë akterët e ndeshjes deklarohen se ishin të përfshirë (pa dashje) në një kurdisje të lojës. Në të kaluarën ka pasur shumë dyshime rreth kurdisjeve të mundshme të ndeshjeve, por kjo është hera e parë që FFK-ja reagon si duhet, duke hetuar dhe dënuar.

Hetime ndaj Ulpianës dhe të tjerëve

Me largimin e Fushë-Kosovës nga Liga e parë, nuk ka përfunduar dosja e këtij skandali. Komisioni i Garave i FFK-së ka iniciuar procedurë disiplinore edhe ndaj Ulpianës, e cila në këtë rast dyshohet të jetë palë e interesit prej ngjarjes.

Po ashtu, Komisioni i Garave ka iniciuar procedurë disiplinore edhe ndaj Kryesisë së Fushë-Kosovës, përkatësisht kryetarit të klubit Bashkim Ismajli dhe përfaqësuesit zyrtar të kësaj skuadre, Nysret Rexhepi.

Sa i përket Ulpianës, edhe ky klub në bazë të rregullores mund të dënohet me largim nga Liga apo heqje të pikëve.

Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu thotë se dënimi i shqiptuar ndaj Fushë-Kosovës është hapi i parë. Sipas tij, tani do të nisin hetimet ndaj Ulpianës dhe aktorëve të tjerë të asaj ndeshjeje.

“Për Fushë-Kosovën ka pasur fakte, andaj është marrë vendimi, sepse trajneri i saj dhe lojtarët janë deklaruar. Por, për Ulpianën ende nuk ka dëshmi, sepse lojtarët e saj apo dikush nuk ka deklaruar se ka dhënë mito për ta fituar takimin. Por, hetimet do të vazhdojnë edhe ndaj Ulpianës, por edhe ndaj aktorëve të tjerë”, tha Salihu për Express.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›