Anglia në ankth, dëmtohet Xherard
Stiven Xherard ka bërë që e gjithë Anglia të përfshihet nga ankthi. Mesfushori i Liverpulit është dëmtuar vetëm 30 sekonda pasi ka filluar stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Fabio Kapelo. “Tre Luanët” sapo kishin filluar një lojë kontrolli në alpet austriake ku ndodhen të grumbulluar dhe zv.kapiteni i skuadrës doli nga fusha. Fizeoterapisti i skuadrës, Stefano Tireli, nxitoi për të kontrolluar gjendjen e lojtarit dhe kaloi 20 minuta duke i bërë masazh në pulpën e djathtë dhe në shpinë. Xherard, që të dielën do të festojë 30-vjetorin e lindjes, u rikthye në fushë gjatë fundit të seancës stërvitore, duke kryer disa vrapime të lehta. Ai u shpreh optimist se problemi nuk është serioz, megjithatë fakti që ndjeu probleme kur mungojnë vetëm pak ditë nga starti i Botërorit 2010 mjafton për të alarmuar Kapelon.
Situata e Xherard u mbajt nën kontroll edhe në hotelin “Shlos Piklarn”, ku është akomoduar përfaqësuesja angleze. Sipas të gjitha gjasave, mesfushori nuk do të luajë në miqësoren e së dielës në Grac përballë Japonisë. Gjendja e kapitenit të Liverpulit ishte një tjetër goditje për ekipin e drejtuar nga Kapelo, që përpara fillimit të Kupës së Botës në Afrikën e Jugut vuan prej problemeve të disa elementëve kryesorë.
#