E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtohet përjetësisht Ferdinand Mara

Trajneri i gjimnastikës, në shoqërinë e personave të tjerë, dhunon sportistët në një garë kontrolli te palestra "Partizani"

Kryesia e Federatës së Gjimnastikës nuk ka falur më. Pas ngrirjes së vendimit të saj të parë për përjashtimin e trajnerit të gjimnastikës Ferdinand Mara, ajo ka marrë vendimin përfundimtar për përjashtimin e tij përjetësisht nga Federata e Gjimnastikës. Sipas presidentit të Federatës së Gjimnastikës, Flobenc Dilaveri, ky vendim ka ardhur pas incidentit të ndodhur në palestrën e klubit "Partizani" disa ditë më parë, kur po zhvillohej një garë kontrolli me sportistët. Trajneri Ferdinand Mara ka hyrë i shoqëruar nga persona të tjerë dhe ka ushtruar dhunë dhe presion psikologjik, duke filluar nga sekretari i Federatës së Gjimnastikës, përfaqësuesja e MTKRS-së, trajnerët, sportistët e deri te prindërit e sportistëve që kanë qenë aty. Gjatë këtij incidenti është goditur edhe trajneri Vladimir Limaj me mjete të forta. Pas këtij incidenti kryesia e Federatës së Gjimnastikës ka vendosur përfundimisht përjashtimin e trajnerit të gjimnastikës Ferdinand Mara përjetësisht nga kjo federatë. "Vendimi i mëparshëm ka qenë i ngrirë për një afat 6-mujor me mendimin se situata do të përmirësohej, por ajo në fakt u rëndua më shumë pas incidentit të ndodhur në garën e kontrollit në palestrën e klubit "Partizani". Aktualisht, në këtë palestër është krijuar një atmosferë shumë e rëndë, sa gjimnastët kanë frikë të shkojnë në stërvitje. Përveç kësaj, trajneri Ferdinand Mara ka hyrë në palestër ditën e premte dhe ka dëtmuar 2-3 vegla të gjimnastikës, duke i çmontuar dhe i ka nxjerrë jashtë përdorimit. Për këtë incident të fundit për të federata do të ngrejë edhe një padi në gjykatë,"- konfirmon vendimin e kryesisë presidenti i FSHGJ-së, Flobenc Dilaveri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›