E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjetësisht dashuria sjell 85-vjeçaren Pelinku në skenë

—-Nga Anisa Ymeri—-

Skena dhe pasioni i saj për teatrin mposhtin 85-vitet e saj. Aktorja Drita Pelinku prej javësh shkel në skenën e Teatrit Kombëtar ku mbahen provat e shfaqjes më të fundit në të cilën aktorja interpreton, muaj pasi kremtoi 85-vjetorin e saj të lindjes.

Me hapin e saj të ngadaltë por të vendosur, Pelinku çdo mëngjes përshkon oborrin e teatrit ku ka shkuar dekada të jetës së saj, ngjitet në skenë dhe fillon pa reflektuar aspak lodhje provat për dramën lirike e cila do të ketë premierën këtë 31 Maj.

Ashtu, fjalëpakë….aktorja nis provat e pohon me mirësi se në premierë vetëm do të flasë për këtë rol të cilin ka dashur prej vitesh ta ngjisë në skenë. E pagëzuar “Përjetësisht dashuria…”, dramaturgu, njëherazi regjisor i shfaqjes Mihal Luarasi ka shkruar një rol në një dramë me vetëm 2 personazhe, enkas për aktoren famëmadhe. Ajo daton në vitin 2003, por vetëm tani do të mund të shohë dritën e skenës. Dy protagonistët e shfaqjes janë e paarritshmja Drita Pelinku dhe aktori Vangjel Toçe që do të përcjellin një dramë të madhe të shoqërisë së sotme shqiptare.

“Drama lirike flet për një çift të moshuarish të cilët si shumë shqiptarë të tjerë jetojnë vetëm sepse fëmijët e tyre jetojnë në emigracion. Trajton një dramë të shoqërisë së sotme shqiptare, vetminë dhe dhembjen e tyre, por edhe dashurinë e dy njerëzve të cilët kanë një jetë që jetojnë bashkë”- rrëfen Luarasi.

Për dramaturgun dhe regjisorin, të punosh me një aktore të këtyre përmasave domos është privilegj. “Nuk dua të ndalem të talentin e jashtëzakonshëm të aktores sepse këtë e kanë treguar dekadat e saj në skenë dhe rolet e paharruara. Dua të flas për pasionin e kësaj gruaje, pasion i cili veçse shtohet dhe ky fakt më sjell shumë gëzim”- vijon rrëfimin e tij Luarasi.

Është pasion i cili lexohet në çdo lëvizje të saj, në çdo fjalë, në intonacionin e saj, në vendosmërinë për ndjekur çdo këshillë të regjosorit me të cilin 56 vite shkuar ka realizuar rolin e Luiza Millerit. Në 85-vjetorin e lindjes, një festë gati intime mes miqve të saj, kolegëve të një jete, e pyetur nga ministri i kulturës Aldo Bumçi se cila ishte dëshira e saj, aktorja ka përmendur këtë dramë dhe etjen për të qenë në skenë me këtë rol i cili qe shkruar enkas për të. Aty mori rrugëtimin e skenës shfaqja e cila sjell në skenën e teatrit aktoren e cila arrin të bëjë bashkë në një pjesë të vetme “Përjetësisht dashurinë…” dhe “Përjetësisht pasionin” e saj për teatrin.

Drama lirike “Përjetësisht dashuria…” pritet të ketë premierën mbrëmjen e 31 Majit në skenën e Teatrit Kombëtar e aty shqiptarët do të mund të shohin potencialin e një aktoreje e cila nuk ka lënë vitet t’i zbehin dhe as ta mbajnë larg skenës, larg tempullit të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›