E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjetësisht të diskriminuar!Nga TemaZ. Bamir Topi President i Shqipërisë Znj. Jozefina Topalli Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë Z. Sali Berisha Kryeministër i Shqipërisë Z. Ermir Dobjani Avokati i Popullit Të gjithë deputetëve të parlame

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Përjetësisht të diskriminuar!Nga Tema

Z. Bamir Topi

President i Shqipërisë

Znj. Jozefina Topalli

Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë

Z. Sali Berisha

Kryeministër i Shqipërisë

Z. Ermir Dobjani

Avokati i Popullit

Të gjithë deputetëve të parlamentit shqiptar

Jemi mbi 200 familje nga Shkodra, banorë në ndërtesat e ish-pronarëve që në vitin 1992, kur ato ishin banesa shtetërore si të gjitha pallatet shumëkatëshe, dhe ne vazhdojmë akoma të paguajmë qira.

Me kthimin e shtëpive ish-pronarëve të tyre ne trajtohemi me termin: “Të pastrehë në shtëpitë e ish-pronarëve” dhe barazohemi me atë kategori qytetarësh që kanë ardhur në qytet këto 17 vitet e fundit, ose me ata qytetarë që i kanë privatizuar një herë shtëpitë e tyre, por i kanë humbur në firmat piramidale, ose me ata qytetarë të pastrehë që krijohen nga shtesa e popullsisë etj.

Zotërinj, që ju jemi drejtuar, kërkojmë të arsyetoni në interes të popullit, siç e keni misionin, përfaqësues të popullit dhe me arsyetimin logjik të zgjidhni problemin tonë për strehim.

Ne nuk jemi të pastrehë, ne kemi banuar dhe banojmë në ndërtesa ish-shtetërore, si 230 000 familjet shqiptare, që përfituan banesa me çmime simbolike, ose falas, në bazë të ligjit 7652 date 23.12.1992.

Ne që banojmë në shtëpitë ish-shtetërore, sot të kthyera ish-pronarëve, duhet të barazohemi dhe të trajtohemi si 230 000 familjet shqiptare me ligjin 7652, datë 23.12.1992, siç ka premtuar disa herë zoti Sali Berisha, kur ka qenë President i Republikës së Shqipërisë, më vonë ndër fushata elektorale dhe si kryeministër.

Ne kërkojmë shtëpi e jo kredi.

Ne na takon të bëhemi pronarë të banesave që duhet të na i sigurojë shteti, e jo të paguajmë kredi gjithë jetën, pasi ka mjaft familje prej nesh që paguajnë qira mbi 60 vjet.

Kredia thuhet se është e butë, pa interes bankar. Kështu u duket atyre specialistëve që kanë hartuar këto ligje. Por ne i themi atyre specialisteve, se kësti i një muaji që do të paguajmë ne është sa dy ose trefishi i shumës që kanë paguar rreth 70% e familjeve që kanë privatizuar banesat me ligjin 7652, datë 23.12.1992, që ato shtëpi sot janë shitur dhe shiten me miliona.

Ne, për shembull, sipas ligjeve të kohëve të fundit për këtë problem, mund të blejmë një hyrje pallati të privatizuar në vitin 1992, rreth 35-50 milionë lekë të vjetra, në kohën që pronari që e shet këtë hyrje e ka privatizuar vetëm me 20 mijë lekë të vjetra.

Kështu që ne na takon të paguajmë gjithë jetën kredi e ndoshta edhe pas vdekjes nga trashëgimtarët tanë.

Kemi lexuar të gjitha gazetat e këtyre 17 viteve që kanë trajtuar këtë problem, që shpesh i bien ndesh njëra-tjetrës, derisa u konkludua me dhënie kredie pa interes.

Ku dallojmë ne nga banorët e pallateve apo se kemi qenë në kushte banimi realisht mizerabël (shpesh me WC të përbashkëta)? Si rregull, me ligjet e shtetit nuk ka fat. Kush ka qenë në pallat, ka pasur fat e ka përfituar banesë. Kush ka qenë në shtëpitë e ish-pronarëve, nuk kanë pasur fat dhe do të blejnë banesat dhe do të paguajë kredi gjithë jetën.

Mendojmë se nuk duhet të jetë kështu. Ne duhet të trajtohemi si gjithë të tjerët, e të na jepen shtëpi, siç u janë dhënë të gjithëve në të njëjtat kushte si ne. D.m.th., ata ishin në banesa të shtetit, edhe ne ishim në banesa të shtetit.

Ndonjë individ pushtetar, specialist apo drejtues mund të thotë: “Keni të drejtë, po ku t’i gjejmë fondet?” Ne iu themi: “Nga buxheti i shtetit ose nga shitja e pasurive kombëtare, për të cilat ne kemi kontribuar, ndoshta më shumë se ndonjëri që në një forme ose tjetër ka marrë shumë më shumë se çfarë i takon.

Ju lutemi zotërinj, që ju jemi drejtuar, gjejeni edhe pak kohë për të parë e studiuar hallin tonë jetik dhe gjykoni si për veten tuaj edhe për këtë kategori njerëzish në të gjithë Shqipërinë, që “ faji” i tyre i vetëm është se shteti i asaj kohe i ka strehuar në banesa të ish-pronarëve, të cilët kanë shumë të drejtë të gëzojnë tanimë trashëgiminë e të parëve të tyre ose të prindërve të tyre, pasi shumica e atyre që i ndërtuan, tani nuk jetojnë më.

Lista e të pastrehëve, e shpallur në gazeta, përmban shumë pasaktësi (pasi figurojnë edhe persona që kanë marrë shtëpi). Ne pretendojmë për një listë reale, duke shënuar vetëm familjet, që më 23.12.1992 quheshin grupi “A”, ku futeshin familjet që banonin në shtëpitë e ish-pronareve.

Mbetemi me shpresë të një gjykim njerëzor e objektiv nga ana juaj për këtë problem jetik për ne, duke flakur trajtimin e fatit mbi ligjin.

Me shumë respekt

Përfaqësuesit e disa familjeve shkodrane

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›