Spitali Amerikan zapton ambientet e Spitalit UshtarakNga TemaSpitali privat që ushtron veprimtarinë në ambientet e brendshme të Spitalit Ushtarak në Laprakë, i përfolur shpesh për mënyrën e paligjshme si është ndërtuar dhe si funksionon, duket se per
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Spitali Amerikan zapton ambientet e Spitalit UshtarakNga TemaSpitali privat që ushtron veprimtarinë në ambientet e brendshme të Spitalit Ushtarak në Laprakë, i përfolur shpesh për mënyrën e paligjshme si është ndërtuar dhe si funksionon, duket se periudhën e ndryshimit të qeverisë pas zgjedhjeve nuk e ka çuar kot.
Ndërkohë që ministrat po ndërroheshin në Ministrinë e Mbrojtjes, punëtorë të një firme të dyshimtë kanë nisur punë duke përfituar prej amullisë së ndryshimit.
Një urë e madhe metalike në trajtën e mbikalimit ka nisur të ngrihet për të bashkuar në formë bypass-i godinën e Spitalit Amerikan me godinën ekzistuese të Spitalit Ushtarak.
Veç kësaj, punëtorët kanë nisur punë për të lartuar një kat shtesë mbi tarracën e këtij spitali, pa asnjë lloj dokumenti dhe asnjë lloj lejeje. Madje, pa parë as projektin, nëse mbajnë apo jo muret.
Pasi iu mori një kat të tërë me bllokun operator dhe sallat e sapo-rikonstruktuara dy vjet me parë, duket se pronarëve të tij iu hap oreksi duke grabitur pa leje dhe pavijonin e kirurgjisë së këtij spitali dhe tentuan të grabisin edhe pavijonin tjetër të traumatologjisë në katin përballë.
Vetëm pas protestave të dëshpëruara të mjekëve dhe infermierëve, që kanë një jetë që punojnë në këtë spital, si dhe përballë presionit mediatik, ata u tërhoqën përkohësisht.
Në mungesë të tij, ata ia vunë syrin një reparti të protezave ortopedike, dhuratë e qeverise suedeze, që ishte dhe i vetmi shërbim unik në gjithë vendin dhe ia dolën që ta transferojnë këtë shërbim në një vrimë të ndyrë, ndërsa ambientet e rikonstruktuara prej suedezëve i përshtatën për vete.
Pak kohë më vonë morën farmacinë e Spitalit Ushtarak dhe në vend të saj ngritën një godinë disakatëshe, e cila është sot dhe godina e tyre bazë, por duket se ende s’janë të kënaqur me hapësirat e pushtuara dhe ia kanë vënë syrin tarracës së spitalit për të ngritur një kat shtesë dhe një mbikalim.
Duket se këta pushtues s’kanë të ndalur, për sa kohë gëzojnë përkrahjen shtetërore të personave të fuqishëm, por që asnjëherë s’guxojnë të dalin hapur si njerëz të interesuar për këtë biznes jo të pastër.
Fatmir Mediu ishte aksioner i denoncuar nga gazeta “TemA” pak muaj më parë, ndërsa motra e tij ishte personi që ka hartuar kontratën.
Të gjithë janë të revoltuar, sepse po i falen ambiente publike një firme që qëllim të vetëm të saj ka fitimin e që e ka vërtetuar se për këtë fitim shkel edhe mbi kufoma, sepse e ka realisht vdekshmërinë pas operacioneve në zemër disa herë më të lartë se mesataret evropiane, por që askush nuk i kërkon dot llogari, sepse pas tyre qëndrojnë njerëz me pushtet. Kështu ndodh edhe me drejtuesit e sotëm të Spitalit Ushtarak, të cilët e dinë mirë se drejtuesi i vërtetë i Spitalit Ushtarak është drejtori i Spitalit Amerikan, i cili i heq dhe i vë drejtorët sa herë të dojë e si të dojë.
Sigurisht, nuk pret askush që gjendja të ndryshojë edhe pas këtij shkrimi, sepse, edhe nëse ndodh diçka, nesër dihet që do ta quajnë aksident teknologjik, por e vetmja arsye e këtyre radhëve është për t’iu bërë të ditur atyre që halli i përplas në këtë spital se, edhe kur t’ju thonë s’ka analiza apo s’ka antibiotikë, kjo gjithnjë bëhet që t’ju detyrojnë të shkoni te spitali privat ngjitur dhe se gjendja shpesh lihet e tillë me qëllim prej drejtuesve.
Fatmir Mediu ka ndërtuar spital privat brenda Spitalit Ushtarak duke qenë ministër i Mbrojtjes
tema.al
28.02.2009
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka përdorur postin e tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes për të favorizuar biznesmenë afër tij për të ngritur një spital privat në mjediset e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas dokumentacionit të siguruar nga gazeta “TemA”, grupi i biznesmenëve i ka kthyer 5 për qind të aksioneve zotit Mediu në emër të Nick Nazar Mehmetit, një biznesmen me origjinë nga pjesa shqiptare e Maqedonisë, miku më i afërt i zotit Mediu, sponsor i tij financiar, lidhjet e të cilit kanë qenë për vite të tëra publike.
Dokumentet e themelimit të këtij spitali janë një histori e dyshimtë biznesi duke spekuluar me emra të mjekëve turq dhe më pas me talljen si spital amerikan.
Sipas dokumenteve që ka siguruar gazeta “TemA”, shoqëria që ka themeluar spitalin quhet UNIVERSAL-ALB dhe përbëhet nga dy kompani turke dhe një aksioner shqiptar nga Berati, i ditëlindjes 1978. Kapitali fillestar i kësaj kompanie ka qenë 4 milionë e 900 mijë lekë, ndërsa në Shqipëri u paraqit si investim miliona dollarësh.
Njëra kompani turke merret me biznese të ndryshme, por jo në mjekësi, tjetra ka si objekt të biznesit dhe pajisjet mjekësore, por asnjëra nuk përfaqëson ndonjë spital turk, siç u paraqit në fillim.
Objekti i punës i kësaj shoqërie duket qartë se s’ka të bëjë shumë me biznesin e mjekësisë.
Kjo shoqëri u vendos fillimisht brenda ambienteve të Spitalit Ushtarak duke shkatërruar për një kohë të gjatë punën normale të repartit të traumatologjisë dhe duke ngjallur protesta te mjekët. Por, pak nga pak, mjekët filluan të kërcënohen duke u thënë se pas spitalit turk gjenden njerëz të fuqishëm të qeverisë. Flitej për një zv/ministre dhe, sa herë që dikush kërkonte më shumë shpjegime, lihej të kuptohej për kryeministrin. Por, në të vërtetë, njeriu që qëndronte pas gjithë operacionit ishte Fatmir Mediu. Ai u lidhi atyre kontratën për qira me një çmim qesharak brenda mjediseve të spitalit për gati 1 mijë euro në muaj.
Ndërkohë është shumë qesharak dhe çmimi i qirasë që ata kanë paguar, duke qëndruar brenda një godine shtetërore që ishte spital dhe që kishte nevojë vetë për ambientet që ka zaptuar Fatmir Mediu me miqtë e tij.
Pika 8 e kontratës tregon se shuma që ata paguanin ishte 110 000 lekë.
Por, njeriu që qëndronte pas gjithë kësaj historie, nuk po dilte duarbosh nga kjo histori. Në momentin që këtij spitali iu dha për ndërtim trualli brenda Qendrës Spitalore të Spitalit Ushtarak në Laprakë, ata detyrohen të bëjnë dhe nderin e parë.
Në adresë të një qytetari amerikan me origjinë nga pjesa shqiptare e Maqedonisë, Nazar Mehmeti, me emrin amerikan Nick, shkojnë dhjetë aksione të kësaj shoqërie që përbëjnë 5 për qind të aksioneve të kësaj kompanie. Për gjithkënd që njeh Fatmir Mediun, e di mirë se Nick Mehmeti është vëllai i tij real në Teksas, sponsori i tij dhjetëvjeçar, i cili ka disa klube striptizmi në Teksas. Kalimi i 5 për qind të aksioneve te Nazar Mehmeti është bërë në konfidencë të plotë noteriale. Notere e aktit është motra e Fatmir Mediut, Adriana Mehdihoxha. (Ky është mbiemri real i Mediut), dhe transferimi është bërë në kohën që spitali u zgjerua.
Faksimile 4 tregon se kalimi 5 për qind i aksioneve i është bërë Nick, Nazar Mehmetit, me notere motrën e Fatmir Mediut, në mes të muajit mars 2007, pra, sapo spitali ka filluar punën. Është interesant fakti se, pas kësaj, Mediu është angazhuar konkretisht në lobimin për këtë spital në nxjerrjen e licencave, por dhe në donacione të qeverisë shqiptare për të.
Kështu, nën këtë lobim të fortë qeveritar, duke vënë në vështirësi serioze dhe mjekët shqiptarë që punonin aty, i ashtuquajturi Spitali Turk u bë më i preferuar për qeverinë se Spitali Ushtarak, që u la në mëshirë të Zotit.
Ironia e fatit ishte 15 marsi i vitit 2008, kur media ka rënë nën kurthin e lotimit qeveritar dhe ka paraqitur si heroizëm faktin që spitali, pas të cilit qëndron Fatmir Mediu, ka dhënë ndihmë mjekësore për të vrarët po prej Fatmir Mediut në Gërdec.
Dhe pas gjithë kësaj historie, kur Mediu largohet nga ministër i Mbrojtjes, natyrisht që aksionet e njerëzve të tij u ndjenë të pasigurta. Në media u tha se spitali iu shit një fondi investimesh amerikan. Nuk dimë sa e sigurt është kjo, por, sipas dokumenteve që ne kemi, spitalin e ka blerë një kompani e regjistruar në Holandë me emrin “Balkan Alliance Healthcare NV”. Media citonte se spitalin e ka blerë një kompani me qendër në Nju-Jork, por në QKR figuron kompania holandeze.
Siç shihet, shitja është bërë në maj të vitit 2008, kur Fatmir Mediu nuk ishte më ministër i Mbrojtjes dhe kur njeriu i tij nuk ndjehej më i sigurt se si do të shkonte biznesi. Falë lobimit të Mediut, ky spital privat sot ka zaptuar mjediset e qendrës spitalore ushtarake në Laprakë, duke thyer shpesh shumë ligje dhe rregulla të shtetit shqiptar. Por, askush nuk ka guxuar të ngrejë zërin.