Përjetësohet Zonja nga qyteti, shtatore në Tushemisht të Pogradecit (FOTO)
Pogradec- Atë që të gjithë e mbajnë mend mirë ndër breza dhe që është shndërruar në një personazh mjaft të dashur për të gjithë, karakteri i famshëm i Zonjës nga Qyteti është përjetësuar në fshatin Tushemisht të Pogradecit.
Shtatorja e aktores Violeta Manushi e ndërtuar pikërisht mbi personazhin e saj tek filmi “Zonja nga qyteti” dhe “Shoqja nga fshati” është vendosur në sheshin qëndror të këtij fshati.
Me iniciativë të kryetarit të Komunës Buçimas, është vendosur shtatorja e Ollgës së luajtur nga aktorja e famshme, Violeta Manushi, me qëllimin për ta kthyer atë në një atraksion turistik.
Punimi mban firmën e Vasillaq Kolevicës dhe Sadik Spahija. Në ceremoninë e vendosjes së përmendores ka qenë i pranishëm edhe kreu i LSI-së Ilir Meta i cili vlerësoi figurën e aktores Violeta Manushi si një prej artisteve më me vlerë që ka dhënë një kontribut të çmuar në kinematografinë shqiptare.
Violeta Manushi lindi më 6 mars të vitit 1926, në Voskopojë të Korçës dhe ndërroi jetë më 7 korrik të vitit 2007. Ajo ishte një nga ikonat e Teatrit Popullor, ndër të parat aktore që ka shkëlqyer njësoj si në komedi, ashtu edhe në dramë, si në skenë ashtu edhe në kinematografi. Gjatë karrierës së saj realizoi 100 role në teatër dhe 16 role në kinematografi.
Përjetësohet shtatorja e Ollgës