Përkatësia e gazetarëve që qëllojnë me këpucë dhe shpërdorimi i lirisë

Shfaqja e djeshme e kolegëve para selisë së kryeministrisë na bëri të mendojmë historinë e afërt të profesionit tonë, por edhe etikën që po shfaqim aktualisht, në këtë fazë-zgrip të zhvillimit të gazetarisë. Shumë kolegë tanët, 100 përqind të rreshtuar në pozicione antiqeveritare, u shfaqën me versionin-revoltë të një gazetari islamist të Bagdadit, i cili tentoi të qëllonte me këpucë presidentin e SHBA-ve, Xhorxh Bush. Motivet janë krejt të ndryshme, bile shumica e atyre që mbanin dje fjalime në udhën e madhe “Skënderbej” as e durojnë viktimën për të cilën kan dalë në rrugë të madhe. Hedhja e këpucëve tërhoqi shpejt e shpejt analizat e vëzhguesve, të cilët nuk kuptonin mirë domethënien e këtij veprimi. Fakti se shteti ishte gjunjëzuar para një shtetasi të vet ishte shumë i vakët për të fshirë shembullin e kujtesën e Bagdadit.
Por përkatësia e gazetarëve që qëllojnë me këpucë tregon se këto subjekte që pak kanë të bëjnë me fjalën e lirë janë të angazhuar gjerësisht në një aksion të shpërdorimit të lirisë. Shumica e atyre që ishin dje në udhën e madhe “Skënderbej” me siguri e kuptojnë shumë mirë se ishin aty e se mund t’i hiqnin këpucët e t’i jepnin kuptim erës së lëkurës e shollës së tyre, në sajë të ndryshimit të sistemit, për të cilin patën kontribuar vetë. Enveristë të të gjitha llojeve, të cilët patën lënë shenjë në vitet e shkuara të komunizmit, ishin dje para selisë së kryeministrisë duke flakur këpucët në shenjë të mungesës së lirisë, për shkak se po shijonin një fitore të rëndësishme, aksioneri më i madh i të cilës ishte Sali Berisha. Ishte ai që udhëhoqi shqiptarët në betejën fisnike e mbresëlënëse të rrëzimit të diktaturës më të egër komuniste të Evropës, por për enveristët e djeshëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shpërdorimi i lirisë është i barabartë me rreshtimin e agjitpropëve para vitit 1990.
Enveristët u shfaqën dje në mbrojtje të një shpifësi industrial, të cilit nuk i ka lezet as roli i gazetarit, as roli i njeriut publik, bile si rrallë herë as roli i viktimës. Hedhja e djeshme e këpucëve ishte shfaqja e një islamo-komunizmi, ende latent në radhët e medias shqiptare, por rreshtimi kundër aksionerit kryesor në betejën që shqiptarët udhëhoqën kundër diktaturës enveriste ishte njëlloj si përdhosja e luftëtarëve të së vërtetës.
Mund të zbritet edhe tek emrat, por protesta e djeshme e këpucëve kishte një rezultante demaskuese, tek e cila mund të identifikohen të gjithe. Ishte një protestë e turpit, për një viktimë që nuk është në lartësinë e viktimës dhe kundër një njeriu që është kontributori kryesor në garantimin e lirisë së medias në Shqipëri.
...