Për Traktatin e Lisbonës, reagon dhe ministrja e Integrimit, Bregu
Ky, hapi i fundit drejt ratifikimit të kartës, BE do të funksionojë në mënyrë më demokratike
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu përshëndeti miratimin përfundimtar të traktatit të Lisbonës të BE-së nga ana e Republikës Çeke, duke u shprehur se ky hap i fundit drejt ratifikimit të kartës, do të bëjë që Bashkimi Evropian të reflektojë vetëbesim në vendimet që do të marrë dhe të jetë më demokratik për së brendshmi.
“Ky është fundi i një procesi reformues të Bashkimit Evropian që ka zgjatur për kohë të gjatë. Tani Evropa, jo vetëm do të funksionojë në mënyrë më demokratike për së brendshmi, por do të reflektojë vetëbesim edhe në vendimet që do të marrë në planin e jashtëm”, u shpreh ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, në një deklarim në Uashington në prag të samitit BE-SHBA, mirëpriti heqjen e “pengesës së fundit” për miratimin e traktatit.
“Mendoj se potenciali transformues që ekziston, profili i ri i jashtëm i Bashkimit Evropian, do të ndihet menjëherë”, u shpreh ai.
Presidenti çek Vaclav Klaus, një euroskeptik që po vononte zbatimin e dokumentit të rëndësishëm, e nënshkroi në formën e ligjit.
Traktati i Lisbonës synon të lehtësojë punimet e BE-së që përbëhet nga 27 shtete, pothuaj sa dyfishi krahasuar me vitin 2004 kur një valë shtetesh ish-komuniste, përfshi edhe Republikën Çeke, iu bashkuan BE-së.
Vendimi i presidentit për të nënshkruar Traktatin, erdhi pasi gjykata kushtetuese e Republikës Çeke rrëzoi kërkesën e një grupi senatorësh euroskeptikë dhe vendosi që Traktati i Lisbonës nuk cenon kushtetutën e vendit. Ky vendim rrëzoi pengesën e fundit për firmosjen e Traktatit. Stoicizmi i Klaus bëri që Republika Çeke të jetë e fundit nga 27 vendet anëtare të BE-së që ratifikon traktatin, i cili i jep bllokut një president me kohë të plotë dhe një kryetar të politikës së jashtme më të fuqishëm, i cili do të forcojë pozitat e BE-së në arenën botërore. Nga ana tjetër, kritikët thonë se kjo lëvizje i jep Brukselit shumë kompetenca kombëtare. Tashmë, traktati do të hyjë në fuqi në 1dhjetor.
...