E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkeqësohet moti në veri dhe verilindje

Meteorologët parashikojnë që duke nisur nga dita e sotme dhe në vijim, vranësirat do të shtohen në të gjithë vendin. Në disa komuna të thella malore, bora nuk është shkrirë ende, megjithëse situata përmirësuar ndjeshëm.

Prefektja e Shbkodrës, Voltana Ademi, bëri të ditur se trashësia e dëborës e rënë pak ditë më parë vazhdon të mbajë të bllokuar komunat Shalë dhe Shosh të rrethit Shkodër, në akset rrugore të të cilëve vazhdohet të  punohet me mjetet e ndërmarrjes rajonale të rrugëve. Ndërkohë, në rrugët komunale brenda komunave të mësipërme qarkullimi i automjeteve është bërë i mundur të kryhet.

Në rrethin Pukë, edhe pse forca të shumta të ndërmarrjes rajonale rrugore të mbështetura edhe nga strukturat e tjera vendore, vazhdojnë të punojnë intensivisht për hapjen e aksit rrugor të Iballë, kjo komuna akoma është e bllokuar. Ndërkohë, të gjitha komunat e tjera të këtij rrethi janë të zhbllokuara në të cilat po punohet për hapjen e rrugëve komunale. Në rrethin Malësi e Madhe ngelet i bllokuar fshati Vermosh i komunës së thellë malore Kelmend. Në aksin e kësaj rruge po punohet nga pjesa e doganës së shtetit fqinj të Malit të Zi e cila është hapur 4 km në drejtim të fshatit Vermosh.

Edhe në Qarkun e Kukësit, situata po shkon drejt përmirësimit ndërsa priten edhe reshje shiu.  “Brenda ditës së sotme përfundon hapja e aksit rrugor  Domaj-Drajrec  duke shënuar kështu  rihapjen e aksit rrugor Kukës-Peshkopi, ndërsa mbetet ende i pahapur vetëm  segmenti rrugor  Pac-qafë Luzhë-Ragam, pjesë e aksit rrugor Krumë-Bajram  Curri", tha  përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit Azem Tema. Për disa zona të thella, ku trashësia e dëborës   është mbi një metër, ende mbeten  të izoluar  5 fshatrat e komunës së Arrnit si dhe disa fshatra të zonave të thella të rrethit të Kukësit e të komunave të Lekbibajt e Margegajt të rrethit të  Tropojës. /Start/

                                                                                             2012-02-26 11:51
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›