Policia arreston 55 pirromanë, MB: Akuzohen se u kanë vënë zjarrin pyjeve
Ministria e Brendshme i është përgjigjur akuzave të deputetit të PS-së, Eduard Shalsi, i cili akuzoi qeverinë se s`ka bërë asgjë për menaxhimin e zjarreve. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësi i MB-së, Leonard Olli , ndonëse e vlerësoi si tepër të vështirë situatën e zjarreve në vend, të cilat po sipas tij në masën më të madhe janë provokuar qëllimisht, tha se situata është në kontroll falë angazhimit të gjitha strukturave shtetërore.
“Kemi pasur një prani të konsiderueshme zjarresh për këtë sezon, të cilat kryesisht kanë qenë të qëllimshme dhe lidhur me këtë 55 autorë të dyshuar janë kapur. Masat e marra nga Ministria e Brendshme kanë mundur të mbajnë në kontroll situatën dhe nga mbi 300 vatra të shfaqura, aktualisht numërohen vetëm 33, të cilat janë në kontroll të plotë dhe po punohet për shuarjen e tyre nga toka e ajri” tha Olli.
Në vazhdim duke bërë një krahasim të së njëjtës problematike me vendet e tjera në Ballkan apo Europë, Olli deklaroi se në Shqipëri nuk ka pasur asnjë dëm të pronës private dhe asnjë jetë të humbur.
Ministria e Brendshme i bëri thirrje PS dhe deputetëve të saj të mos bëjnë kritizierin nga poltronet e shtëpisë, por më së paku të dënojnë rastet kur individë të caktuar djegin qëllimisht masive të tëra pyjesh.
“Të gjitha strukturat shtetërore janë të angazhuara për përballimin e situatës. Të bësh kritizierin nga poltronet e shtëpisë është e lehtë, por të përballesh nga afër me situatën është e vështirë, do të ishte më mirë që të paktën të dënoheshin rastet e zjarrëvënieve të qëllimshme” përfundoi zëdhënësi i MB-së.