“I papranueshëm raporti pedagog-studentë”
"Të ndryshojë raporti pedagog-student është i papranueshëm". Këtë deklaratë bëri dje në mbledhjen e Qeverisë Kryeministri i vendit Sali Berisha. Sipas tij, nëse numri i studentëve është 3-fishuar vitet e fundit në vendin tonë, numri i pedagogëve ende nuk është 2-fishuar. "Ky përbën një problem akoma serioz për cilësinë në Arsimin e Lartë. Ka nevojë për rishikimin e raporteve mes atyre që japin dhe atyre që marrin mësim nëpër auditoret e universiteteve", tha Berisha. Ai i kërkoi Ministrit të Arsimit Myqyrem Tafaj, që të bëjë propozimet për të gjitha ndryshimet në aktet ligjore dhe nënligjore, në mënyrë që të përcaktohet numri i saktë i pedagogëve në universitete. "Raporti student-pedagog, në tërësi është i papranueshëm për vendin tonë. Ky raport ka qenë edhe 4 vjet më parë, imagjinoni si është bërë ai tani, që ka arritur në disa mijëra më shumë niveli i studentëve", u shpreh kryeministri. Gjithashtu, kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit që me ndihmesën e kompanive serioze të fushës të bëjnë sa më parë reitingun (vlerësimin) e universiteteve. "është jashtëzakonisht e rëndësishme, shqiptarët të kenë reitingun e universiteteve të vendit, private dhe publike, në mënyrë që ta dinë se ku studion fëmija i tyre. Mundësisht të kontraktohet sa më shpejt një prej kompanive më serioze në botë që të bëjë reitingun (vlerësimin) e universiteteve", tha Berisha.