E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i merr lejet e ndërtimit Ramës



Lejet e ndërtimit në tokat me pronësi shtetin do t'i japë vetëm Kryeministri. Qeveria ka ndryshuar dje ligjin për zhvillimin e territorit, duke i marrë sërish disa kompetenca Këshillave të Territorit të Bashkive. Ndryshimet, prekin direkt lejet e disa ndërtimeve, të cilat pas miratimit të ligjit në Kuvend, do të jepen me firmën e kreut të Këshillit Kombëtar i Territorit, që është kryeministri. Në ligjin e ri kompetencat e Këshilli Kombëtar i Territorit, shtohen edhe me lejet për zhvillim apo ndërtim të cilat jepen në zona kombëtare, toka shtetërore dhe oborre të institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve, të zonave universitare, spitaleve dhe kopshteve e çerdheve. Pra edhe në rast se plani i një qyteti ka përcaktuar që në një tokë me pronësi shtetin do të ndërtohet një pallat, lejen për pallatin nuk e jep KRRT e Bashkisë, por KKT, pra firmoset nga kryeministri. E njëjta gjë vlen edhe për ndërtimet e planifikuara në shkolla apo çerdhe. Por ky nuk është i vetmi ndërtim që duhet të marrë firmën e KKT. Po ashtu edhe në rastet, kur bashkitë vendosin të zhvillojnë një territor, toka e të cilit është pronësi shtetërore, ose institucione shëndetësore apo arsimore, planin e zhvillimit duhet ta miratojë KKT. Në këtë mënyrë, si ndryshimin e destinacionit në tokat shtetërore, ashtu edhe leja e ndërtimit bëhet atribut i kryeministrit. Nga ana tjetër, ligji i ri parashikon që pas vendimit të KKT, pra të miratimit me firmë të Kryeministrit të planit të zhvillimit të një toke me pronësi shtetërore, dhe lejes së ndërtimit, kreu i njësisë vendore është i detyruar që brenda 20 ditëve të shpallë vendimin e marrë nga KKT-ja. Duhet theksuar se ndryshimi i ligjit, pra marrja e këtyre kompetencave, ka të bëjë me bashkitë e nivelit të parë. Në këtë grup hyjnë bashkitë më të mëdha të vendit, përfshirë edhe Tiranën, ku zhvillimi i ndërtimit është edhe më i madh. Një zgjidhje, ligji i ri, i jep zvarritjes së planeve urbanistike për qytetet. "Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, bashkitë e kategorisë së parë depozitojnë për shqyrtim planet zhvillimore rregulluese, kur planet nuk i janë nënshtruar shqyrtimit dhe miratimit nga KRRTRSH-ja". Në këtë mënyrë, pritet që brenda tre muajve të mbarojë edhe zvarritja e planit për Tiranën, apo qytetet e tjera të mëdha të vendit.

Ndryshimet në ligjin për urbanistikën

Neni 8
Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT)
SHTOHET
d. Miraton kërkesat për zhvillim dhe lejet e ndërtimit në:
i) zona kombëtare; ii) toka shtetërore; iii) oborre të institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve, të zonave universitare, spitaleve dhe kopshteve e çerdheve".
SHTOHET
1. Këshilli Kombëtar i Territorit është autoriteti përgjegjës, që ka kompetencë ekskluzive shqyrtimin përfundimtar të planeve zhvillimore (rregulluese/të planifikimit) të bashkive të kategorisë së parë, në territorin e vendit dhe miratimin e tyre.
2. Këshilli Kombëtar i Territorit ushtron, përjashtimisht, këtë përgjegjësi dhe në territore administrative të tjera, ku parashikohet zhvillimi i porteve të hapura ndërkombëtare, i centraleve energjetike, digave dhe dambave të larta si dhe ndërtimeve të tjera me interesa strategjike për vendin.
3. Në kuptim të këtij neni, bashki të kategorisë së parë janë Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Berati, Pogradeci, Korça, Lezha, Lushnja, Kukësi, Peshkopia, Laçi dhe Kavaja.".

Neni 74
Paraqitja dhe shqyrtimi i kërkesës për zhvillim
SHTOHET
"Në rastet kur zhvillimi është projektuar në zona kombëtare, në toka shtetërore, dhe në oborre të institucioneve publike arsimore, të të gjitha niveleve, zonave universitare, spitaleve, kopshteve dhe çerdheve kërkesa për zhvillim i përcillet për miratim KKT-së. "

Neni 75
Vendimmarrja për kërkesën për zhvillim
SHTOHET
"Në të njëjtën mënyrë, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore ose zyrtari i autorizuar prej tij shpall vendimin e marrë nga KKT-ja për rastet e përcaktuara në paragrafin e fundit të pikës 8, të nenit 74. ". (afati 20 ditor për përgjigje ndaj kërkesave)

Neni 77
Leja e ndërtimit
SHTOHET
"Lejet e ndërtimit në zona kombëtare, në toka shtetërore, e në oborre të institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve, të zonave universitare, spitaleve, të kopshteve e të çerdheve miratohen nga KKT-ja".
DISPOZITë KALIMTARE
Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, bashkitë e kategorisë së parë depozitojnë për shqyrtim planet zhvillimore rregulluese, kur planet nuk i janë nënshtruar shqyrtimit dhe miratimit nga KRRTRSH-ja, sipas ligjit nr.8405, datë 16.9.1998, "Për urbanistikën", të ndryshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›