E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkthehet ligji anglez i antimafies

02/08/2009  Ekspertët: Dispozitat e këtij ligji luftojnë maksimalisht pasurinë e organizatave kriminale

Pas shfuqizimit nga Gjykata e Lartë të ligjit italian, tani po huazohet sistemi anglez

TIRANE- Bllokimi i ligjit nga Gjykata e Lartë, që sekuestron dhe konfiskon pasuritë e organizatave kriminale, ka detyruar ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme që të ulen dhe të rishikojnë një model tjetër ligjor, për sekuestrimin e pasurive të bandave që veprojnë në Shqipëri, por dhe jashtë kufijve të saj. Mësohet se nga studimet që kanë kryer drejtorët e këtyre dy institucioneve është vendosur që në të ardhmen për hetimin e pasurive të personave me eksponentë kriminale, vendi ynë të përdorë ligjin anglez. Aktualisht të gjitha dispozitat që parashikon ligji anglez për hetimin e pasurisë së organizatave kriminale, janë duke u shqyrtuar dhe përshtatur në gjuhën shqipe. Burimet thonë se tashmë puna po fokusohet më tepër në huazimin dhe përshtatjen e këtij ligji me realitetin shqiptar. Në ndryshim me ligjin e antimafies italiane, të cilin organi i akuzës e përdori për gati 3 vjet me radhë, ligji anglez është më i qartë dhe më konciz në përcaktimin e sekuestrimit të një pasurie, që mendohet se mund të jetë vënë nga të ardhura kriminale. Sipas specialistëve që janë duke e studiuar maksimalisht, ligji anglez në shumicën e dispozitave të tij, i tregon qartë të gjitha palëve në gjykatë se një biznes, pronë apo diçka tjetër, nuk mund të justifikohet me fatura shit-blerje të rregullta nga pronari, atëherë e gjithë pasuria sekuestrohet dhe administrohet nga shteti. Nga ky ligj Prokuroria nuk kryen shumë veprime hetimore, pasi çdo dyshim që kanë prokurorët mund ta vërtetojnë atë, nëpërmjet faturave. Pritet që në kohët në vazhdim ligji t’i kalojë anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe më pas, ky i fundit do i kalojë për miratim ose jo Parlamentit. Ndërkohë që mësohet se për këtë projektligj në dijeni është vënë edhe Kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili ka shprehur gatishmërinë e tij që të votojë pro miratimit në Parlament. Sipas Kryeministrit, vendimi për shfuqizimin e ligjit nga Gjykata e Lartë është një problem për drejtësinë shqiptare. Gazeta “Metropol” publikoi disa muaj më parë një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë për ndryshimin e ligjit “Antimafie” për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së të pandehurit Xhevdet Troplini. Nga momenti i shpalljes së këtij vendimi, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka pasur të pamundur të kërkojë në gjykatë sekuestrimin e pasurive të kriminelëve dhe të bandave kriminale të tjera, pasi prokurorët nuk kanë arritur të gjejnë hapësirat ligjore për të kryer kërkesat.

Deklarata e Berishës

“Kemi një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2007, vendim i cili ndërhyn duke kufizuar sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve të veprës penale për krimin e organizuar. Ky vendim do të kundërshtohet me ligj. Ligji të bëhet urgjentisht dhe t’i përmbahemi modelit britanik”. Sipas Berishës, vendimi i Gjykatës së Lartë të vitit 2007 kufizon mundësinë e rrënimit të bosëve të krimit. “Atyre po nuk ua rrënove ekonominë, pushteti u mbahet. Ndaj, ne duhet të marrim ligjin e fundit që ka votuar Parlamenti britanik. Mësohet se për këtë ligj ka propozuar edhe drejtori përgjithshëm i Agjencisë kundër Krimeve Serioze dhe të Organizuara të Britanisë së Madhe.

Kërkesat e rrëzuara

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë rrëzuar përsëri kërkesat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për sekuestrimin e pasurisë së shtetasit Xhevdet Troplini, i cili akuzohet për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike” nga Shqipëria në Itali. 10 anëtarët e Kolegjit të Bashkuar të kryesuar nga kryetari i asaj kohe (2007) Thimio Kondi, kanë plotësuar kërkesën e Troplinit, në mënyrë që këtij të fundit të mos i sekuestrohet objektet e ish-Ndërmarrjes së Rritjes dhe Zënies së Peshkut, që ndodhet në qytetin bregdetar të Durrësi. Arsyetimi i këtij vendimi ka qenë se Troplini ka qenë në burg dhe s’mund të kryente veprime kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›