Prifti: Bankat të mbështesin investimet ne energjetik
05/02/2010 Investimet në fushën e energjetikës
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë takimit me përfaqësues të bankave në Shqipëri ka kërkuar më shumë mbështetje për koncesionet. “Shqipëria ofron mundësira të jashtëzakonshme që në Evropë janë të ezauruara. Këto janë mundësi që duhet të mbështeten nga sistemi bankar në Shqipëri. Ka projekte të vogla që janë mbështetur. Unë do të dëshiroja që ky takim të jetë një nxitje më shumë për të financuar në këtë sektor”, është shprehur Prifti në mbështetje të investitorëve që kanë përfituar të drejtën e koncesionit. Për këtë ai ka paraqitur dhe një situatë të zhvillimeve në këtë fushë. “Janë rreth 100 koncesione që janë dhënë gjithsej në Shqipëri, që në fakt në shumicën e tyre kanë pasur një sukses të dukshëm. Që nga koncesioni i aeroportit, që në fakt i ka ndërruar pamjen atij aeroporti e deri te koncesioni i Petroliferës, Porto Romanos e deri te më të mëdha dhe më të vogla në hidrocentrale, miniera e fusha të tjera. Deri tani janë investuar në koncesione rreth 2 miliardë euro, pra që nga koha kur është filluar të jepen këto koncesione”, është shprehur Prifti. Sipas tij, në fushën e energjetikës janë dhënë rreth 90 koncesione, 14 të tjera janë në proces, gjithsej janë 263 hidrocentrale, sepse ndonjëherë një koncesion ka brenda më shumë se sa 1 apo 2 hidrocentrale. “Nga 90, 57 prej tyre janë për hidrocentrale të vogla, më pak se 5 megavat kapacitet të instaluar prodhues, 21 janë deri në 10 megavat. Pra, nga 90, 78 janë më pak se sa 10 megavat, shumica e koncesioneve të dhëna nga METE janë për hidrocentrale të vogla. 22 të tjerë deri në 50 megavat. Nga 57 koncesione janë të planifikuara edhe 103 milionë euro investime. Deri në 10 megavat janë 21 dhe janë 129 milionë euro investime të pritshme. 358 milionë euro priten për hidrocentralet e tjera që janë deri në 50 megavat. 26 hidrocentrale sot prodhojnë energjik elektrike si rrjedhojë e këtyre koncesioneve dhe janë të suksesshëm, 18 janë në ndërtim”.
Meqenëse ka qenë mungesa e financimit të këtyre veprave nga sistemi bankar në vend problemi kryesor, unë mendova se diskutimin në radhë të parë ta bëjmë me ju, me sistemin bankar në vend dhe më pas me institucionet e tjera financiare ndërkombëtare dhe ky mund të jetë çelësi i suksesit tonë në të ardhmen.
Janë bërë ndryshimet në ligjin për koncesionet, kur bankat e kanë të drejtën për ta marrë këtë koncesion dhe për ta menaxhuar vetë ose për t’ia kaluar dikujt tjetër në menaxhim nëse bllokohet financimi. Ne e kemi realizuar këtë. Një shqetësim tjetër para një viti ishte tarifa afatgjatë e garantuar për koncesionarët.
Enti Rregullator i Energjisë sot ka të drejtën të ofrojë kontrata që të japë garanci për vlerën e energjisë deri në 15 vjet. Kurse për hidrocentralet që janë mbi 15 megavat praktika që është ndjekur nga qeveria koncesioni ka shkuar në Parlament dhe ai ka miratuar një çmim afatgjatë për koncesionarët.