E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet greke rrëzojnë euron

Kursi
Dollari arrin nivelin më të lartë në pesë muaj

Monedha e përbashkët europiane, euro, shënoi nivelin e saj më të ulët që nga vera e kaluar, si pasojë e shtimit të shqetësimeve mbi vështirësitë financiare të Greqisë. Euro kushtoi dje rreth 1.403 dollarë, me rënie prej 1.3 për qind. Kundrejt monedhës shqiptare, euro mbeti e pandryshuar në 137.7 lekë. Presioni mbi euron u rrit dje, pasi tregtarët që patën besuar se kjo monedhë do të forcohej, u detyruan të mbyllin pozicionet e tyre për të pakësuar humbjet.
Një zëdhënëse e Bashkimit Europian deklaroi dje se “nuk kishte dijeni nëse ekzistonte ndonjë plan për shpëtimin e Greqisë nga falimenti”. Kjo deklaratë solli rritjen stratosferike të interesave të borxhit të Greqisë, si dhe rënien e euros.
Qeveria greke reagoi menjëherë, duke deklaruar se nuk pret ta shpëtojë askush dhe se do t’ia dalë me forcat e veta.
“Ne nuk po presim asnjë paketë shpëtimi nga Bashkimi Europian për të mbyllur deficitin tonë buxhetor”, deklaroi në Athinë ministri i Financave, George Papacostantinou. Deklarata e tij nuk i bindi investitorët. Bondet e qeverisë greke që konsiderohen më të këqijat në Europë, fluturuan në 300 pikë bazë më lart se sa bondet e qeverisë gjermane, të cilat konsiderohen më të mirat. Kjo është diferenca më e lartë e regjistruar që nga krijimi i euros një dekadë më parë. Bondet dyvjeçare qenë rreth 4.34 për qind dje, ndërsa ato dhjetëvjeçare u rritën në 6.16 për qind.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›