Përkujtohet kolosi i artit Aleksandër Moisiu, në 130 vjetorin e lindjes
Artistë të njohur, intelektualë krijues, studentë dhe drejtues të pushtetit vendor kanë përkujtuar në Durrës aktorin e madh Aleksandër Mosiu, me rastin e 130-vjetorin të lindjes. Në shtëpinë muze në lagjen Kala, ku ai ka kaluar disa nga vitet e fëmijërisë së tij bashkia e qytetit në bashkëpunim me teatrin që mban emrin e aktorit të shquar kanë organizuar një veprimtari kulturore, në të cilën studiues të artit, botues dhe aktorë kanë risjellë në kujtesën e të pranishmëve arritjet e Aleksandër Moisiut në skenat botërore në fillim të shekullit të 20-të, si dhe lidhjet e tij të shumta me qytetin e Durrësit.
Aktorët Era Çaushi dhe Xhelal Tafaj interpretuan dy nga esetë e shkruara nga Aleksandër Moisiu. Drejtori i muzeve të Durrësit, Edmond Agolli në emër të institucioneve që mbajnë emrin e Aleksandër Moisiu lexoi kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës për ta nderuar atë me titullin e lartë Nderi i Kombit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i pranishëm në ceremoni pas takimit tha se do të mbështesë kërkesën për titullin, ndërsa premtoi vendosjen e një busti prej bronzi të Moisiut në mjediset e shtëpisë muze. Në një nga mjediset e shtëpisë muze është hapur edhe një ekspozitë fotografike, ku janë fiksuar disa nga rolet e karrierës artistike 25-vjeçare të Aleksandër Moisiut.