E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet komandanti Ilaz Kodra

Nga Express më 29 prill 2011 në ora 15:30

Rruga e lirisë që trasuan dëshmorët duhet të shërbejë në forcimin e unitetit të gjithë spektrit politik kosovar, me qëllim të ndërtimit të shtetit sovran e të pavarur të Kosovës, ashtu siç e deshën dëshmorët, u tha në akademinë përkujtimore kushtuar komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra.

Të premten nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, në Teatrin Kombëtar u mbajt një akademi përkujtimore për dëshmorin Ilaz Kodra, në 12-vjetorin e rënies heroike.

Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, duke kujtuar rënien heroike të komandant Kodrës, ka thënë se vitet që kaluan nga rënia e tij, ia kanë shtuar lavdinë më shumë veprës së tij. Ai theksoi se duke nderuar jetën dhe kontributin e Kodrës, nderohen gjithë luftëtarët e Brigadës 114 të UÇK-së.

“Kjo brigadë është unike edhe për një fakt, se nga radhët e saj, në krye të detyrës ranë dy prej komandantëve më të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe Ilaz Kodra”, ka thënë Çeku.

Ai ka thënë se me emrin e komandantëve Fehmi Lladrovci dhe Ilaz Kodra do të shkruhej njëri nga kapitujt më të ndritshëm të historisë “rënia e komandantëve në vijat e para të frontit”.

“Një popull nuk e bën të madh numri i popullsisë, apo hapësira e territorit që e ka, një popull e bëjnë të madh dëshmorët, heronjtë që i ka, historia që e ka, vlerat që i ka. Ne jemi popull i madh, i kemi të gjitha”, tha Çeku.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemaili duke kujtuar periudhat e vështira dhe dëshpëruese që kalonte kombi shqiptar në Kosovë, ka thënë se shpresa e lirisë u ringjall në Prekazin Legjendar të Adem Jasharit.

“I gjetur në një okupim të egër disa dekadash, populli i Kosovës kishte mbetur populli i fundit i robëruar në Evropë, pa asnjë të drejtë elementare, duke u terrorizuar çdo ditë nga sistemi vrastar jugosllav, por pranvera e vitit 1998 ia riktheu kombit shqiptar shkëlqimin, duke filluar lavdishëm me Prekazin legjendar të Adem Jasharit, për të përhapur shkëndijat anekënd Kosovës”, ka thënë Xhemaili.

Ndërsa vajza e dëshmorit, Sumeja Kodra theksoi se në përkujtimet për dëshmorët, ngjallën edhe më shumë kujtimet për veprat madhështore, heroizmin, sakrificën dhe vetëflijimin e dëshmorëve në shërbim të lirisë së atdheut.

“Kjo rrugë e lirisë që na trasuan dëshmorët, çdoherë duhet të na shërbejë në forcimin e unitetit të gjithë spektrit politik kosovar, me qëllimit të ndërtimit të shtetit sovran e të pavarur të Kosovës, ashtu siç e dëshiruan dëshmorët”, ka thënë Kodra.

Ilaz Kodra u lind në Prekaz të Skenderajt. Që nga vitet e 90-ta i ishte bashkuar grupit të armatosur të Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas rënies së komandantit të parë të Brigadës 114 të UÇK-së, Fehmi Lladrofci, emërohet komandant, i cili e udhëhoqi brigadën me krenari deri më 30 prill 1999, kur bie heroikisht në një betejë përball armikut, derisa mbronte popullatën civile në fshatin Verboc të Drenasit. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›