E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Itali/ Zbehen shpresat për të mbijetuar

Gjatë gjithë natës së kaluar, ekipet e shpëtimit punuan me pajisjet e tyre të gërmimit dhe me duar për gjetjen e të mbijetuarve të mundshëm të tërmetit më të rëndë, që ka goditur Italinë në tre dekadat e fundit dhe që ka shkaktuar afro 180 të vdekur. Më shumë se 24 orë pas tërmetit që tronditi rajonin e Abuzzos në Italinë Qendrore, punonjësit e ekipeve të shpëtimit nxorrën nga rrënojat dy studentë nga një ndërtesë e rrëzuar në Aquila, qyteti malor mesjetar me 68,000 banorë, që është goditur më rëndë nga kjo katastrofë natyrore. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë gjallë nga rrënojat 100 persona, por ndërkohë shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur dhe zyrtarë të departamentit të Mbrojtjes Civile shpehen se shpresat për shpëtimin e tyre po zbehen me kalimin e orëve. Sipas zyrtarëve të Mbrojtjes Civile, bilanci i viktimave të katastrofës natyrore deri tani ka arritur në 179 të vdekur. Të paktën 34 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur dhe më shumë se 1 500 të tjerë të lënduar. Po sipas tyre, të paktën 17,000 persona kanë mbetur pa strehë, një shifër shumë e vogël sesa ishte njoftuar dje.

Tërmeti me fuqi 6.3 ballë sipas shkallës Rihter goditi dje në orët e para të mëngjesit duke rrëzuar dhe rrafshuar mijëra shtëpi, kisha dhe ndërtesa të tjera në 26 qytete dhe fshatra të rajonit të Abbruzos. Ndërkohë, goditje të tjera më të lehta tronditën sërish gjatë natës së kaluar zonën, afro 100 kilometra në lindje të Romës, në rajonin malor të Abruzzos, ndërsa mijëra banorë kaluan natën në automjetet e tyre dhe tendat e ngritura për to.

"Është një katastrofë serioze. Tani do të na duhet të rindërtojmë zonën dhe për këtë do të duhen shuma të mëdha", deklaroi kryeministri Silvio Berluskoni, qeveria e të cilit aktualisht përballet me një deficit dhe borxh të madh publik. Berluskoni shpalli menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme dhe premtoi se do të kërkojë qindra milionë euro ndihmë nga fondet e BE-së për situatat e jashtëzakonshme. Sipas vlerësimeve paraprake të Mbrojtjes Civile, në Aquila janë shkatërruar dy të tretat e ndërtimeve. Ndërkohë me ndihmën e dritës së prozhektorëve, punonjësit e ekipeve të shpëtimit dhe zjarrëfikësit punuan për heqjen e rrënojave të një kampusi studentor, ku shumë studentë gjenden ende të varrosur të gjallë.

Efektivë të policisë vazhdojnë patrullimin dhe kanë arrestuar disa grabitës. Mijëra tenda janë ngritur në parkingje dhe fusha sportive për të siguruar strehimin e mijëra personave tashmë të pastrehë. Berluskoni njoftoi se kabineti i tij do të sigurojë 30 milion euro si ndihmë parapake dhe premtoi ndërtimin e një qyteti tërësisht të ri në Aquila brenda dy viteve të ardhshme. Ai gjithashtu urdhëroi sot dërgimin e 1,000 ushtarëve në zonën e prekur. "Sonte mos u ktheni në shtëpitë tuaja, mund të jetë e rrezikshme", u kërkoi Berluskoni banorëve përmes një komunikimi në televizionin shtetëror. Ky ishte tërmeti më i rëndë që prej dhjetorit të 1980, kur një tërmet me fuqi 6.5 ballë sipas shkallës Rihter shkaktoi vdekjen e 2,735 personave. Shumë nga fshatrat mesjetarë në zonën përreth Aquilas janë rrafshuar.

Arrin në 179 numri i të vdekurve

Numri i të vdekurve nga një tërmet që goditi dje Italinë Qendrore ka arritur në 179 persona, 40 prej të cilëve nuk janë identifikuar ende, njoftoi agjencia Ansa duke iu referuar shifrave të publikuara nga qendra e koordinimit të ekipeve të shpëtimit në Aquila. Të paktën 34 persona rezultojnë aktualisht të humbur dhe të paktën 1500 të tjerë të lënduar. Edhe 30 orë pas tragjedisë, numri i viktimave vazhdon të rritet. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›