Shefer: Aderimi i Shqipërisë në NATO, ngjarje e rëndësishme për Aleancën

Flamuri shqiptar dhe ai kroat ngrihen në Selinë e NATO-s në Bruksel, përkrah flamujve të 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Shefer deklaroi sot në Bruksel, se "aderimi në Aleancë i Shqipërisë dhe Kroacisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme si për këto dy vende, rajonin, por edhe Aleancën në tërësi". Gjatë një ceremonie zyrtare të organizuar në Selinë e NATO-s në Bruksel, flamuri shqiptar dhe ai kroat u ngritën përkrah flamujve të 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në këtë ceremoni ku ishin të pranishëm 26 ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe delegacionet zyrtare të Shqipërisë dhe Kroacisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer uroi mirëseardhjen në Aleancë për dy anëtaret më të rinj të NATO-s. "60 vjet më parë përfaqësues të 12 vendeve nënshkruan Traktatin e Uashingtonit. Gjatë dekadave të ardhshme ky Traktat u kthye në Aleancën më të sukseshme të historisë dhe sot kjo ceremoni nënvizon edhe njëherë faktin se përse NATO mbetet unikale", u shpreh Shefer. Me hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, sipas tij, "ka arritur në 28 numri i vendeve anëtare të NATO-s dhe kjo thekson edhe njëherë faktin se "ideja e lirisë është e parezistueshme për të gjitha kombet. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë, si anëtare me të drejta të plota në Aleancë është një tregues i qartë i mundit të atyre që e kanë parë të ardhmen te NATO. Hyrja në NATO e Shqipërisë dhe Kroacisë përbën një shembull inkurajues për të dy vendet. Aleanca jonë do të ketë tani dy anëtarë të rinj që do të bashkohen me vendosmëri për të mbrojtur sigurimin, integritetin territorial për secilin prej tyre. Ky është angazhimi më solemn që mund të ndërmarrin", u shpreh zoti Shefer. Shqipëria përfaqësohet në këtë ceremoni me një delegacion zyrtar të kryesuar nga Kryeministri Berisha dhe që ka në përbërje të tij edhe Ministrin e Punëve të Jashtëm, Lulzim Basha dhe ambasadorin e Shqipërisë në NATO, Artur Kuko. Shqipëria dhe Kroacia u ulën zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në Aleancë, në Samitin e Strasburg-Kehl i cili zhvilloi punimet në datat 3 dhe 4 prill 2009, në Francë dhe Gjermani.
...