Përleshja në Korçë, shkon në 2 numri i viktimave, arrestohet autori

Policia e Korçës ka bërë të mundur arrestimin e autorit të përleshjes së djeshme ku dy të rinj u vranë dhe 3 të tjerë u plagosën.
Burime nga policia e Korçës bënë me dije se është arrestuar 33-vjeçari Erjon Mukadezi i cili mbrëmjen e djeshme qëlloi me armë zjarri 5 të rinj në një kazino.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Radanec” në një kazino ku 33-vjeçari Erjon Mukadezi pas një sherri me disa të rinj ka marrë armën dhe ka qëlluar drejt tyre duke lënë të vdekur 22-vjeçarin Mikel Tepexhi dhe ka plagosur dy vëllezërit Denis dhe Emiljano Meminin, Kastriot Sypin dhe Ermal Demollin.
Menjëherë të plagosurit janë dërguar në spital ndërsa mësohet se Kastriot Sypi ka ndërruar jetë paraditen e sotme si pasojë e plagëve të marra.