E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje huligane në ndeshjen Besëlidhja-Tërbuni

Lezhë (Start)- Tifozët e Besëlidhjes dhe Tërbunit janë përfshirë në një përleshje të dhunshme midis tyre. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë zhvillimit të takimit në stadiumin e Lezhës midis Besëlidhjes vendase dhe Tërbunit të Pukës. Disa tifozë janë lënduar, dhe njëri prej tyre është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit.

Tifozët e të dyja skuadrave ndodheshin në të njëjtën tribunë, ndryshe nga çka parashikohet në rregullore. Përleshja filloi për shkak të sharjeve të ndërsjellta, dhe mungesa e kordonit policor për të ndorë tifozeritë nga njëra-tjetra, u dha mundësinë e kontakteve fizike.

Pamjet e transmetuara në televizionin Klan, nuk kishin lidhje aspak me një stadium futbolli, por ngjanin me skenat e dhunshme që ndodhin në përleshje protestuesish. Një njeri i gjakosur goditej nga disa persona, dhe kulmi ndodhi kur koka e tij futet tek hekurat e stadiumit, dhe më pas goditet në mënyrë ç'njerëzore.

Policia mbërrin me vonesë në vendin e ngjarjes duke kaluar hekurat e stadiumit, atëherë kur tifozët kishin degjeneruar në përleshje të egër. Ndërhyrja e tyre solli qetësimion e përkohshëm. Sherri masiv ndodhi më i ashpër jashtë stadiumit, ku dhe aty u desh ndërhyrja e forcave të rendit, e cila solli qetësimin e situatës.

Zhvillimi i ndeshjes nuk ka shumë histori për trajtim, pasi që nga fillimi i saj lojtarët e Lezhës kanë protestuar tek gjyqtari për vendimet e tij. Në fillim vendasit kalojnë në avantazh, dhe më pas barazojnë miqtë. Ky barazim solli ekzaltimin e tifozëve pukjanë, gjë që solli më pas dhe acarimin midis dy tifozerive. Stafi i Besëlidhjes ka kundërshtuar ashpër disa herë gjyqtarin, madje disa prej tyre kanë hyrë dhe në fushën e lojës.

Ky rast i paprecedentë pritet të shqyrtohet hollësishëm në mbledhjen e radhës në Komisionin e Disiplinës. Pamjet filmike tregojnë qartë disa nga huliganët e përfshirë në përleshje, dhe kjo pritet të sjellë edhe ndjekjen e tyre penale. Deri tani pesë prej tyre janë arrestuar nga policia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›