PD-ja miraton e vetme ligjin për dosjet, fillon “gjuetia” ndaj spiunëve
Eljona Ballhysa
Demokratët kanë miratuar të vetëm dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve projektligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë, i quajtur ndryshe ligji i spiunëve. Drafti për hapjen e dosjeve ka shkaktuar edhe gjatë ditës së djeshme debate të ashpra midis deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës. Deputetët e PS-së e kanë cilësuar ligjin të njëanshëm dhe që ka nevojë për konsultim më të gjerë me grupe të shoqërisë civile. Ata kërkuan shtyrjen e mbledhjes deri në arritjen e një konsensusi. Por kërkesa e tyre është rrëzuar nga deputetët e maxhorancës në komision. Relatori i PD-së, Aldo Bumçi, u shpreh se projekti ka mëse 6 muaj që ndodhet në Kuvend dhe pret për arritjen e një konsensusi, i cili duket i largët, ndaj demokratët vendosën ta miratonin të vetëm projektligjin. Kjo solli irritimin e deputetëve të PS-së, të cilët në shenjë proteste braktisën mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Projektligji për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të regjimit komunist ka mëse tre vjet që dergjet në sirtarët e Kuvendit. Përveç variantit të PD-së, i cili u miratua dje në komision, janë edhe tre variante të tjera, një i PS-së, një i PDK-së dhe një nga deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj. Por duket se PD-ja vendosi miratimin e këtij projekti vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Tashmë kandidatët për deputetë duhet të kalojnë në filtrat e verifikimit për të vërtetuar nëse kanë pasur lidhje me sektorin e spiunazhit gjatë regjimit komunist, në mënyrë që të fitojnë të drejtën për të kandiduar.
Debati
Gjatë mbledhjes së djeshme fjalën e ka marrë relatori i PD-së për projektin në fjalë, Aldo Bumçi. Ai fajësoi PS-në për vonesat në miratimin e projektligjit, duke deklaruar se “prej 6 muajsh janë në pritje për të arritur konsensusin mes palëve”. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, u shpreh se projekti ka nevojë të marrë ekspertizën e KE-së, pasi është një draft që shkon përtej interesave të partive politike. “Unë i kërkoj kryeministrit, zotit Berisha, që ka disa gjëra në këtë vend, siç është dhe ky ligj, që nuk duhet t’i bëjë me gjaknxehtësi, sepse atë që mund të përpiqesh ta ndërtosh për shumë vjet mund ta prishësh dhe për një ditë. Dhe nuk është mirë që disa gjëra të prishen në këtë mënyrë, pasi nuk është çështja që ky është një ligj për PS-në, apo një ligj për PD-në. Ky është një ligj që ka krijuar dhe do të krijojë probleme në shoqërinë shqiptare”, - është shprehur Xhafaj. Ndërsa deputeti tjetër i PS-së, Bashkim Fino, kërkoi shtyrjen e mbledhjes për shkak se mungonte relatori i PS-së, Arben Isaraj. Kjo u mbështet dhe nga deputeti Spiro Peçi. Por deputetët e maxhorancës votuan kundër kësaj kërkese. Kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, bëri thirrje për kompromis mes palëve, ndërsa vendosi diskutimin e projektit. “Në momentin që zoti Bumçi thotë se është e pamundur që të ketë shanse të tjera për t’u afruar me njëri-tjetrin, atëherë do të thotë se ne duhet të vazhdojmë me diskutimin. Nuk është mbyllur ende mundësia për kompromis sepse ju e dini se në tavolinën e këtij komisioni janë gjetur kompromise”, - është shprehur Rusmali. Pas kësaj deputetët e opozitës braktisën sallën, ndërsa demokratët miratuan për çdo nen projektligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë.
Drafti
Gjatë diskutimit për çdo nen deputetët miratuan disa ndryshime në projektin e PD-së. Kështu, u ndryshua neni 3, duke mundësuar përjashtimin nga verifikimi të personave që kanë mbajtur postin e ministrit dhe postin e sekretarit të partisë gjatë regjimit komunist. Deputetët gjithashtu miratuan shtimin e një neni të ri, i cili u jep mundësi qytetarëve që të njihen me dosjen e tyre duke ruajtur konfidencialitetin. Drafti i miratuar parashikon verifikimin e figurave të zyrtarëve për periudhën nga nëntori i vitit 1944 deri më 8 dhjetor 1990. “Ligji parashikon bazën ligjore, duke u dhënë mundësi qytetarëve shqiptarë, të persekutuar ose jo, të njihen me përmbajtjen e dosjes që Sigurimi i Shtetit ka pasur kundër tyre. Ky është modeli i huazuar nga eksperienca gjermane në trajtimin e së kaluarës komuniste. Një tjetër pikë e rëndësishme e draftit parashikon që procesi i verifikimit të pastërtisë së figurave të zyrtarëve të lartë të sistemit komunist përjashton ish-sekretarët e parë të partisë në rrethe dhe ish-ministrat e sistemit komunist. Ligji i ri parashikon që shqyrtimi i pastërtisë së figurave të zyrtarëve të bëhet nga Autoriteti i Kontrollit të Figurave, një strukturë e cila do të përbëhet nga përfaqësues të të gjithë forcave politike”, - është shprehur Bumçi.
Funksionarët që janë objekt verifikimi
a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës;
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi;
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e Përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;
d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c;
f) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
i) Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiakë;
j) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR);
k) Funksionarë në Gardën e Republikës;
l) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati;
m) Diplomatët në përfaqësitë tona diplomatike;
n) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokalë të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;
o) Drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë;
p) Akademikë, rektorë/zv.rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike;
q) Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.
11 Dhjetor 2008